​Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” organizuan konferencë shkencore ndërkombëtare

​Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” organizuan konferencë shkencore ndërkombëtare

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu Durrës, më 10. 6. 2019, u mbajt Konferenca shkencore ndërkombëtare, me temë: “Zhvillimi i letërsisë shqipe në vitet 1945 – 1990”. Bashkorganizator i kësaj konference ishte edhe Universiteti i Tetovës, përkatësisht Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Dekani i Fakultetit Filologjik i UT-së, Prof. Dr. Berton Sulejmani, në hapjen solemne të punimeve të kësaj konference tha se tubimet dhe bashkëtakimet e këtilla në frontin e gjurmimit të bashkëpunimit brendakulturor shqiptar kanë një rëndësi të dorës së parë, sepse i bashkojnë forcat dhe arritjet e rezultateve tona shkencore në fushën e filologjisë. “Është meritë dhe detyrim i përbashkët që të ndërtojmë ura jo vetëm në frontin e shkencave, në këtë mes filologjik, por kujtoj që këto iniciativa duhet të na shërbejnë që t’i diskutojmë edhe mundësitë e rritjes së shkëmbimit të profesorëve dhe studentëve tanë“, u shpreh Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Dekani i UT-së më tej theksoi se, si gjuhëtar, më duhet t’ju them se në gjuhësinë shqiptare në përgjithësi, në dialektologjinë shqiptare në veçanti janë arritur rezultate të lakmueshme. “Janë bërë studime për të gjitha të folmet në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Preshevë e Bujanoc, si dhe për të folmet e diasporës shqipe. Pas Luftës së Dytë Botërore për të folmet shqipe të trevave shqiptare në Maqedoni (sot Maqedonia e Veriut) janë shkruar mbi 40 skica e monografi dialektore të cilat sot e kësaj dite nuk janë përfshirë në kuadrin e dialektologjisë shqiptare. Pse po ndodh një gjë e tillë? Një iniciativë e tillë do të duhej që në këtë kohë të ishte punë e kryer. Nuk them se duhet përfshirë gjithçka që është botuar dhe po botohet, por është koha që të diskutohet për nivelin shkencor të këtyre studimeve dhe studimeve tjera albanologjike dhe nevojën e rishikimit, pse jo edhe të rishkrimit të tyre nga komisione të përbashkëta”-deklaroi dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Këtë tubim shkencor e përshëndeti edhe  zv/rektorit i  “Aleksandër Moisiu“,Prof. Dr. Lekë Sokoli, i cili foli mbi rëndësinë, kushtet e zhvillimit të letërsisë së kësaj periudhe, duke përmendur faktin se letërsia ka rëndësi të veçantë edhe për disiplinat e tjera shkencore.

Nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, me kumtesa shkencore morën pjesë: Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, Prof. Dr. Izmit Durmishi, Prof. Dr. Berton Sulejmani,  Prof. Dr. Zarije Nuredini, Mr. Sc. Vjollcë Berisha, Dr. Sc. Esmije Vejseli dhe Doc. Dr. Arlind Farizi.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Qershor 12, 2019 16:58
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.