54 nxënës nga Bërnjanca vazhdojnë bojkotin, prindërit kërkojnë transport për nxënësit

54 nxënës nga Bërnjanca vazhdojnë bojkotin, prindërit kërkojnë transport për nxënësit

54 nxënësit e fshatit Bërnjancë të komunës së Gazi Babës, vazhdojnë bojkotimin e mësimit, sepse, siç thonë ata, janë të detyruar të udhëtojnë mbi 2 km në këmbë për të arritur deri te Shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë. Ata thonë se njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre dëshirojnë të mësojnë, por kërkojnë t’u sigurohet një furgon që do t’i transportonte deri në shollë.

“Është larg, frikohemi prej qenve, bie shi, bie borë, kërkojmë kombi”,- theksoi një nxënës.

“Frikohemi nga qentë, është ftohtë, dimër, baltë, shi, kërkojmë një furgon”,- u shpreh një nxënës.

Prindërit e tyre janë të vendosur se bojkoti do të vazhdojë deri sa të plotësohet kërkesa e tyre për transport deri në Shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Të pyetur se a kanë diskutuar me komunën e Gazi Babës për këtë çështje, ata thonë se kanë diskutuar me bashkësinë lokale prej nga kanë marrë përgjigje se Shkolla “Krste Misirkov” në Bërnjancë është e zënë dhe se nuk ka mundësi të zhvillohet ndërrimi i dytë.

“Ne dëshirojmë fëmijët tanë të mësojnë në Shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë e jo diku tjetër. Unë kam biseduar edhe me kryetarin e Këshillit të Bërnjancës më herët dhe na ka thënë se shkolla është e zënë, i kemi fëmijët tanë, kemi dy paralele. Nëse ka ndërrim natën edhe ne po i dërgojmë fëmijët natën, ditën është e pamundur”,- theksoi prindi, Ekrem Saliu.

“Pikësëpari neve nuk na pranojnë atje, e dyta ne nuk i dërgojmë fëmijë atje”,- tha një prind.

Shkolla dhe komuna e Haraçinës ndihmë banorëve brenda kompetencave ligjore

Nga Drejtoria e shkollës thonë se kanë dashur t’u dalin në ndihmë nxënësve të Bërnjancës, por nga komuna e Gazi Babës nuk kanë marrë ende përgjigje sa i përket transsportit që është nën kompetencë të komunës së Gazi Babës.

“Prej kryetarit të komunës së Gazi Babës ende nuk kemi marrë përgjigje që të mundet të organizojnë transport, sepse në territorin e komunës së Gazi Babës është objekti i shkollës, ku nuk kemi nxënës në paralele maqedonase, kemi kërkuar ndërrimin e dytë, mirëpo nuk kemi përgjigje”,- u shpreh drejtori i SH. F. “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, Azem Aki.

Edhe kryetarja e komunës së Haraçinës në një përgjigje me shkrim thotë se po përpiqet të gjejë zgjidhje për këtë problem, për çka ka kontaktuar kreun e komunës së Gazi Babës.

“Jemi në kontakt me komunën e Gazi Babës dhe do të mundohemi t’iu ndihmojmë prindërve për zgjidhjen e halleve të tyre, gjithmonë brenda kompetencave ligjore”,- shkruan kryetarja e komunës së Haraçinës.

Komuna e Gazi Babës nuk prononcohet për këtë problem

Ne u përpoqëm të kontaktojmë kreun e komunës së Gazi Babës, por zëdhënësja e kësaj komune, Elena Boshkovska Kërstevska, megjithëse na premtoi përgjigje me shkrim rreth kësaj çështje, deri në përmbylljen e kësaj kronike përgjigjja nuk na arriti.

Ndryshe, fshati Bërnjancë deri në vitin 2004 ishte pjesë e komunës së Haraçinës, por me një referendum vetëm të banorëve maqedonas, ky fshat, edhe pse i ngjitur me Haraçinën, me ndarjen e re territoriale iu bashkëngjit komunës së Gazi Babës. Por, fëmijët shqiptarë kanë vazhduar të ndjekin mësimin në shkollën e Haraçinës, pasi në shkollën e Bërnjancës është zhvilluar mësim vetëm në gjuhën maqedonase.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 10, 2019 19:21

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA