8 vjetori i vdekjes së Teki Dervishit, përkujtohet korifeu i letërsisë shqiptare

8 vjetori i vdekjes së Teki Dervishit, përkujtohet korifeu i letërsisë shqiptare

Grupi joformal “Odisse”, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, përkujtoi në 8 vjetorin e vdekjes shkrimtarin, publicistin dhe dramaturgun Teki Dervishi – Korifeun e letërsisë shqiptare. Miqtë e afërt, ata që e njohën dhe që ishin bashkudhëtarë të jetës dhe veprës së publicistit, Teki Dervishi, ende e kanë të freskët kujtimin për të.

“Teki Dervishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk është shkrimtar mode ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës ndonëse nuk ishte jashtë kohës”,- deklaroi publicisti, Emin Azemi.

“Teki Dervishi lindi më 16 janar 1943 në Gjakovë, pikërisht në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Ai kaloi një fëmijëri tepër tronditëse e dramatike, duke përjetuar trysnit dhe padrejtësitë e shumta. Më vonë, në moshën 17 vjeçare u dënua dhe disa vjet qëndroi në burgun famëkeq të Goli Otokut”,- tha kritiku letrar, Ahmet Selmani.

“Teki Dervishi është njëri ndër figurat më të ndritshme të mbarë letërsisë shqipe i të gjitha kohërave. Aty e gjemë Tekin që përjetësisht do të mbetet dëshmitar i dhembjes dhe krenarisë së një populli”,- u shpreh shkrimtari, Xhabir Ahmeti.

Teki Dervishi është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi e drama. Është autor i romaneve: “Pirgu i Lartë”, “Padrona” dhe “Skedarët”, i përmbledhjes së tregimeve: “Etje dhe Borë”, i vëllimit të poezive “Nimfa”, “Shtëpia e Sëmurë” dhe “Thashë”. Ka botuar edhe këto drama: “Pranvera e Librave”, “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit”, “Kufiri me atdhe”, “Eshtrat që kthehen vonë”, si dhe “Nesër nisemi për Parajsë”.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Qershor 28, 2019 20:02

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA