A do të rikthehen në fuqi faljet e Ivanovit?! Interpretimi autentik për amnistinë, gjatë dhjetorit

A do të rikthehen në fuqi faljet e Ivanovit?! Interpretimi autentik për amnistinë, gjatë dhjetorit

Nisma për interpretim autentik të nenit 11 të Ligjit për falje i është dorëzuar Komisionit Juridiko-Ligjvënës dhe Qeverisë për mendim. Sipas kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, për këtë çështje mund të diskutohet, më së shpejti pas 11 dhjetorit. Në ndërkohë, LSDM kërkon përkrahjen e të gjithë deputetëve, posaçërisht të atyre të VMRO DPMNE-së, për të mbyll përfundimisht aktin e faljes së ish presidentit Gjorge Ivanov.

“Më e rëndësishme në këtë moment është që të mbyllet abolimi jolegal i Ivanovit dhe të sigurohet përgjegjësi para ligjit për të gjithë që kanë shkelur ato.”,- theksoi Snezhana Vançeva nga LSDM.

Përderisa LSDM pret përkrahje për interpretimin autentik të nenit 11 të Ligjit për falje, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, pret përgjigje për propozimin e tij për të ndryshimin e këtij ligji dhe përjashtimin me ligj të personave të amnistuar nga jeta politike.

“Po konstatoj se ka heshtje dhe ende nuk i kanë pranuar kërkesat tona. E gjithë kjo tregon se amnistia si praktikë bëhet opsion i dëshiruar për Zoran Zaevin e amnistuar një herë dhe njerëzit e tij.” kryetar I VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski

Opozita shqiptare në parim është kundër faljeve dhe amnistisë, pasi konsideron se ky mekanizëm është keqpërdor nga politika për qëllime politike. Ajo kërkon përgjegjësi për të gjithë që janë në konflikt me ligjin posaçërisht për ata që dhunuan Kuvendin dhe të dyshuarit për krime që burojnë nga përgjimet e paligjshme.

“Më duhet të them se qëndrimi I ASH-së është konzistent kur është në pyetje lufta e vërtetë ndaj krimit dhe korrupsionit. Ne jemi angazhuar për të pasur një luftë pa kompromis për të gjithë ata për të cilët ka një fije dyshimi se janë të implikuar në krim dhe korrupsion.”,- u shpreh deputeti i ASh-së, Surija Rashidi.

“Sistemi i drejtësisë, me të vërtetë, në vend numëron dhe ne si shtet, si qytetarë kemi probleme serioze me sistemin e drejtësisë dhe atë që nënkupton sistem juridik dhe politik i një vendi. Personalisht dhe si subjekt politik gjithmonë kemi kundër amnistive dhe abolimeve.”,- u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Qëllimi i interpretimit autentik, sipas parashtruesve, është që të pengohen tentimet për shmangien e drejtësisë dhe sigurim të mosndëshkimit për vepra serioze penale, gjegjësisht aktivizim të faljeve të paligjshme të dhëna nga ish-presidenti Gjorge Ivanov, në kontekst të vendimit të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e nenit 11a nga Ligji për plotësim të Ligjit për falje, të miratuar më 19 maj të viti 2016.

Me këtë dispozitë iu mundësua ish presidentit Ivanov që të tërheq vendimin për falje, të cilin e mori pa procedurë paraprake për falje, duke u thirr në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 16.03.2016 me të cilin u rikthye në fuqi neni 11, i fshirë me ndryshimet e vitit 2009.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 2, 2019 19:21

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA