Imer Lladrovci: Adem Demaçi, një titan i shqiptarisë

Imer Lladrovci: Adem Demaçi, një titan i shqiptarisë

Imer Lladrovci

Adem Demaçi

Një titan i shqiptarisë

Vienë 2016

Kritë Maloku

Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar.” 1

Adem Demaci

Nuk më ka ënda kur shqiptarët në pushtet harrojnë interesin e kombit. E harrojnë se jemi të ndarë në gjashtë copë dhe bëjnë që të ndahemi dhe në më shumë pjesë. Kërkesa dhe dëshira ime është që kudo të jetë fryma për bashkim kombëtar. Jemi ushtarët e kombit, prandaj mbi të gjitha duhet të jenë interesat kombëtare.” 2

Hyrje
Në kohën kur fillova të shkruaj këtë kumtesë, mediat njoftuan se Adem Demaçi ishte shtruar në spitalin e Prishtinës në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Viti që shkoi ishte një vit i vështirë për Adem Demaçin, sepse për herë të parë në jetën e tij ai u përballë me ndërlikimet e një sëmundjeje që e cënuan seriozisht gjendjen e tij shëndetësore. Megjithatë, në disa paraqitje të pakta publike, Adem Demaçi përsëri u shfaq me stilin e tij të papërsëritshëm. Dukej se edhe një herë ai po i kthehej jetës publike, megjithëse tani me kufizime të dukshme komunikimi verbal, po gjithnjë si njeri me kurreshtje të pashuar për botën e zhvillimet e saj, për botën e tij të shenjtë shqiptare, një njeri i komunikueshëm që kapërcen ose bën gjithçka që të kapërcejë kufijtë e të mundshmes.
Por këto ditë (janari 2016), për fat të keq, problemet u rikthyen. Shëndeti i tij nuk i bindej vullnetit të tij të ç eliktë, të pathyeshëm. Një vigan që nuk e nënshtroi njeriu, njeriu i egër e armiqësor, armiku historik i shqiptarëve, në fund natyra me ligjet e saj të pamëshirshme e ka shtrirë në shtratin e lëngatës. Është e vështirë të thuhet se cili do të jetë epilogu i kësaj ndeshje me determinizmin biologjik, por një gjë është mëse e sigurt: Adem Demaçi ishte dhe mbeti deri në fund një titan i vërtetë. Ai e jetoi jetën e tij si askush tjetër në brezin e tij dhe në brezat e mëvonshëm.
“Adem Demaçi si njeri i papërkulshëm.”
Kështu e karakterizon atë profesori, poeti dhe kritiku letrar francez, Daniel Leuwers i cili ligjëron në universitetin francez “l’université de Tours”. Leuwers i ka drejtuar propozimin për ç mimin Nobël për vitin 2016 komitetit norvegjez në Osllo me këtë arsyetim: “Shteti më i ri i planetit, në mënyrë të pakontestueshme e meriton njohjen internacionale, e unë si kryetar i Asociacionit Internacional të kritikës letrare, jam i lumtur që më ka ardhur rasti të jem përkrahës për kandidaturën e tyre pranë jurisë së çmimit ‘Nobel’, me tërë admirimin dhe miqësinë time”. Demaçi është propozuar vitin e kaluar më 31 janar, “por ne tash e kemi marrë konfirmimin se ai është në garë dhe jo thjesht në procedurë” ka thënë për media Reshat Sahitaj.3
Rreth 60 vjet pas arrestimit të parë, vuajtjeve të burgjeve jugosllave, ç mimit Saharov të Parlamentit Europian më 1991 nami i tij prej kohësh ka kaluar kufijt kombëtar e ballkanikë. Shteti që deshi ta rrëzojë në humnerë, nuk e ekziston më. Iku me turp, duke lënë pas vete tragjedi popujsh që synoi t’i sundojë, asimilojë e madje t’i zhduk edhe fizikisht si në rastin e popullit shqiptar.
Adem Demaçi ekziston. Emri i tij ka mbërritur në olimpin që quhet Komiteti i Ç mimit Nobel për Paqe në Osllo.

Ky është pa dyshim një triumfi i madh njerëzor. Triumfi i tij politik. Triumf i një titani.

1. Vitet e fëmjërisë, rinisë dhe prirja e rebelimit
Adem Demaçi ishte fëmija i tretë i Zeqir e Nazife Demaçit. U lind në Prishtinë më 26.02.1936 në një familje të ardhur këtu nga fshati Lupç. Kjo është data zyrtare, por, siç ka thënë disa herë vetë, ai është lindur në fakt së paku gjashtë muaj më herë, diku në verën e vitit 1935. Ndërsa gazetari amerikan Steven Erlanger shkruan në “New York Times”në gusht të vitit 1999: “Zoti Demaçi si gjithëmonë misterioz për moshën e tij […] I shtyrë për të thënë diçka më shumë, ai tha se ditëlindja e tij ishte 26 korriku 1935, por dokumentet e tij tregojnë se ai kishte lindur më 26 shkurt të vitit 1936. ‘Unë kam qenë fëmijë i dobët për nga shëndeti dhe për këtë arsye babai im nuk më regjistronte. Gjashtë muaj më vonë, nëna ime i tha babait: Më mirë regjistroje. ‘Ademi nuk do të vdesë’.” 4
Në moshën tetëvjecare i vdes babai nga nga tuberkulozi, atëherë sëmundje shumë e përhapur në popullsi, në rradhë të parë në shtresat e kequshqyera. Dhe familja e Zeqir Demaçit hynte në këto shtresa të varfëra të Prishtinës, si pjesa më e madhe e shqiptarëve që i nënshtroheshin një diskriminimi të egër etnik të Mbetërisë serbo-kroato-sllovene, e cila, duke pasur si synim dëbimin tërësor.5 të tyre, shërbehej edhe me forcën shkatërruese të sëmundjeve epidemike. Demaçi mbeti vetëm me nënën, vëllaun dhe motrën e tij. Disa vite më vonë i vdes edhe vëllau nga po e njejta sëmundje si ajo e babait të tij. Qysh në vitet e fëmijërisë ai konfrontohet me vdekjen në rrethin e ngushtë familjar, por ai nuk mposhtet nga dhembja, nuk thehet zemra e tij.
Një vit pas lindjes së Demaçit, akademiku serb Vaso Çubrilloviq harton elaboratin “Dëbimi i shqiptarëve”, të cilin ia drejton qeverisë mbretërore, e cila do të duhej ta realizonte atë në praktikë. Një vit e gjysmë më vonë, më 30 janar të vitit 1939, serbi i natyralizuar Ivo Andric poashtu bën një elaborat kundër shqiptarëve, veçse shkrimtari Andriç është edhe më radikal se historiani Çubrilloviq. Ai kërkon jo vetëm shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, por edhe zhbërjen e Shqipërisë si shtet, sepse “me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën arbanase në Kosovë, e cila në situatën e re më lehtë do të asimilohej.” Andriç është i bindur: “Çështja e shpërnguljes së arbanasve myslimanë në Turqi, gjithashtu do të ekzekutohej nën kushte të reja, sepse nuk do të kishte kurrëfarë aksioni të fuqishëm për t’u penguar kjo.””6 Fëmija Demaçi nuk kishte se si të ishte në dijeni të këtyre planeve e shestimeve të politikës serbe e jugosllave, mirëpo realizimin e kësaj politike e kishte përjetuar në mënyrë dramatike familja e tij dhe ai vetë në një kohë kur ishte në gjendje vetë të gjykonte. Me 20.11.1958 deklaron në hetuesi se “qëllimi i organizatës do të ishte pengimi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi”.7 Në familjen e nënës që në vitin 1912 ishin ekzekutuar brenda oborrit të shtëpisë babai Halimi dhe 4 xhaxallarët e saj. Kjo përvojë tragjike me pushtuesin e ri ishte pjesë e rrëfimeve të nënës qysh në fëmijërinë e hershme. Por kjo politikë e nxitjes së shpërngujes dhe dëbimit nuk do të braktiset asnjëherë në shtetin e sllavëve të jugut, ajo do të rivihet në rend të ditës edhe pas fitores së komunistëve jugosllavë.
Në moshën shtatëvjeç are, në shtatorin e vitit 1942 babai Zeqiri e regjistron Ademin e vogël në shkollën fillore ku tani mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, sepse pas pushtimit italian Kosova ishte bërë pjesë e shtetit shqiptar dhe ministri shqiptar i arsimit Ernest Koliqi kishte punuar shumë në përphapjen e rrjetit shkollor në Kosovë. Mësueses së tij, Vezire Selimi-Gllavica, Adem Demaçi do t’i binte menjëherë në sy. Mbi 70 vjet më vonë ajo kujton: “Në klasë të dytë kisha një djalë, Adem Demaçi, një djalë me flokë ngjyrë ari, […]. Më bëri përshtypje se kishte një zgjuarësi të veçantë.” Një ndikim të jashtëzakontë në edukimin e tij atdhetar do të luajë pikërisht kjo mësuese, të cilën Demaçi e kujton kështu: “E kam pasur mësuesen Vezire Selimi-Gllavica, e cila nuk e ka filluar orën e mësimit pa na detyruar të këndojmë këngën:
‘Po çka je mor djalë i bardhë
besa-besë unë jam shqiptar
se Shqipëria më tha një fjalë
më ke nanë e të kam djalë.'”8
Një mësues që ushtroi ndikim të madh te nxënësi Demaçi ishte edhe shkodrani Kolë Nikaj, “i cili në kohën mbas pushtimit të Serbisë na ka mbajt orë historie jashta planit, jashta programit”, duke u dhënë nxënësve njohuritë e nevojshme nga historia jonë kombëtare që nga ilirët e deri në shekullin XX. “Për neve ato ishin zbulime që s’i kishim dëgjuar kurrë. Ne rriteshim në frymën e atdhedashurisë e të dashurisë ndaj Shqipërisë.” Rreth 40 vjet më vonë Demaçi kujton: “Dashurinë për letërsinë dhe artin në shpirtin tim e mbolli mësuesi im i talentuar dhe i palodhshëm Kolë Nikaj.” Por Kolë Nikaj do të dëbohej nga Kosova.9

Një mësues tjetër që ndikon shumë në formimin e personalitetit të Demaçit është Zekirja Rexha. “Ai na ka frymëzuar dhe na e ka treguar të vërtetën. Ne si të rinj nuk e kemi ditur se në çfarë kohe po jetojmë. I kemi bërë pyetje shumë të rrezikshme dhe kurrë s’ka dalë asnjë fjalë nga jeta jonë brenda klasës.” Disa vite më vonë, një njeri tjetër që ndikon në formimin e Demaçit të ri si shkrimtar dhe atdhetar është Esad Mekuli. Tregimin “Kthimi” që trajtonte temën e shpërnguljes që kishte marrë hov në vitet ’50 nuk ia botojnë në “Rilindje”. Drejtori i saj Ymer Pula kishte frikë.”Unë e mora, ashtu si e kisha shkru e ia çova Esad Mekulit. E Esad Mekuli pa një fjalë e botoi në ‘Jeta e Re’. Edhe ishte trim, edhe ishte largpamës, […] fliste shumë pak, kështu që atë e kemi pas ne mësuesin tonë atdhetar më së pari e pastaj edhe si letrar, si poet.”10

2. Talenti letrar në shërbim të çështjes kombëtare. Romani “Gjarpinjtë e gjakut” dhe libri “Kur zoti harron”
Duke filluar nga viti 1953, kryesisht te “Jeta e Re”, por edhe në gazetën “Rilindja” Demaçi kishte botuar një mori tregimesh, përmes të cilave ai kishte shpalosur talentin e tij të jashtëzakonshëm letrar. Në kohën që Demaçi u burgos vëllimi me tregime “Kur zoti harron” gjendej në shtyp, por nuk do të nxirrejë në qarkullim, por do të kishte fatin e autorit të tij. Vetëm në vitin 1990 ky libër do të dalë nga errësira, nga burgu i heshtjes dhe do të botohet nga “Zëri i rinisë” nën përkudesjen e Shaip Beqirit, i cili në këtë kohë riboton edhe romanin “Gjarpinjtë e gjakut” në gjuhën standarde.
Në vitin 1958, revista letrare „Jeta e re“ kishte botuar në dy numrat e saj romanin e Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Meritë të veçantë për këtë botim kishte Esad Mekuli, i cili për vite me rradhë ishte kujdesur për zhvillimin e talentit letrar të Adem Demaçit. Kritika letrare e priti jashtëzakonisht mirë romanin, mirëpo pak muaj pas botimit, d.m.th. pas burgosjes së autorit të tij, libri do të ndalohet. Libri që e çoi në burg autorin e tij do të shfaqet me qindra herë edhe në akuzat e shumë të rinjëve shqiptarë që e kishin lexuar dhe nën shembullin e autorit kishin vepruar në mënyrë legale e ilegale kundër regjimit jugosllav. Studiuesi i veprës së Demaçit A. Konushevci konsideron se “është me shumë interes të shihet dhe të ndiqet historia e leximit të tij në aspektin socio-politik, socio-kulturor dhe socio-letrar, që nga koha e shumëzimit të tij në poligraf.” 11 Konushevci, “duke i marrë parasysh të gjitha elementët strukturore dhe kompozicionale”, ka bindjen se romani apo novela mund të vlerësohet si “një tragjedi e romanizuar për gjakmarrjen.”12 Agim Vinca sheh tek Demaçi njohësin e mirë të “jetës dhe i mendësisë së popullit të vet, i plagëve dhe i dhembjeve të tij. […] Pamja e fundit e romanit, ku njëri nga personazhet , kundërshtar i rreptë i zakoneve prapanike, pas përleshjes së dy familjeve, i drejtohet një fëmije, simbol i së ardhmes, me fjalët: ‘Shtypi, shtypi këta gjarpërinj të gjakut!…’, flet jo vetëm për mesazhin e qartë të veprës, por edhe për mundësitë e mëdha krijuese të autorit të saj.”
Shkrimtari dhe bashkëveprimtari i Demaçit Teki Dervishi për librin “Kur zoti harron” shkruan se “në kohën e errët kur soc-bizantinizmi bën përpjekje histerike për shfarosjen shpirtërore të shqiptarëve, në letërsinë tonë paraqitet Adem Demaçi i ri që shkruan tregimin modern të mbështetur në mësimin e thellë të traditës sonë kombëtare, të mbështetur poashtu në parimet estetike të një arti që nuk u nënshtrohet dogmave të ideologjizimit politik, por që përfill idejshmërinë më elementare të traditës së artit: humanizmin, të bukurit, emrin dhe gjuhën e krijuesit. Prandaj në këtë kohë të egër, heroin kombëtar (personazhin) e hasim vetëm në tregimet e Adem Demaçit. Në prozën e këtij të riu dëgjohet zëri i popullit shqiptar dhe jo zëri i një populli socialist (që nuk ka identitet, traditë as histori).” 13

Në librin e Hakif Bajramit “Dosja Demaçi” gjejmë këtë konstatim: Adem Demaçi “në mesin e shkrimtarëve të Kosmetit konsiderohet si shkrimtari më i talentuem”, gjë që tregon se për regjimin jugosllav ky shkrimtar i ri me këtë talent të madh letrar përbënte një rrezik të madh për politikat e tij ndaj shqiptarëve, nëse ai do të lihej i lirë për një kohë të gjatë.

3.  Arrestimi i parë dhe vitet e para të burgjeve
Adem Demaçit, si pothuajse të gjithë intelektualëve të rinjë kosovarë në atë kohë i propozohet të bëhet anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Ndryshe nga të tjerët që donin të bënin karrierë profesionale e politike, Adem Demaçi refuzon të bëhet anëtar i kësaj partie që kishte pushtet absolut, sidomos mbi shqiptarët e nënshtruar. Nxënësi që dikur i kishte filluar orët e mësimit me këngën e Nënës Shqipëri nuk mund të pranonte të bëhej anëtar i një partie e cila i shtypte barbarisht shqiptarët, e partisë që bënte gjithçka që kosovarët të mos e ndjenin veten djemë të Nanës Shqipëri, por të një nëne tjetër, joshqiptare, të nënës sllave, asaj që veten e quante Jugosllavi. Për Demaçin një përfytyrim apokaliptik! Ai refuzon në mënyrë të vendosur, me vetëdije të plotë dhe pa iu trembur syri. I dinte fort mirë konsekuencat e këtij qëndrimi intransigjent, por nuk u zbraps edhe kur filloi presioni i UDB-së omnipotente. “Kam pasur mundësi me eskivue që thonë për mos me ra në burg. Por unë kam ra në burg me vetëdije të plotë. E kam ditur çka po më pret.” 14
Pak muaj para arrestimit, Demaçi kishte marrë pjesë edhe në dy aktivitete me letrarët e Kosovës që ishin organizuar nga Dushan Mugosha e Mehmet Hoxha. Në të parin Dobrica Qosiq kishte ardhur për t’i mësuar shkrimtarët e Kosovës se si të shkruajnë letërsi sipas kërkesave të shtetit jugosllav. Demaçi e kundërshton hapur shkrimtarin shovinist serb, duke i thënë se ne nuk kemi nevojë për këshillat tua, sepse kemi letërsinë tonë që nga Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani. Edhe Mehmet Hoxhës që i këshillonte shkrimtarët e rinj të mos e lexojnë Ernest Koliqin Demaçi i thotë se shkrimtarët duhet të bëjnë pikërisht të kundërtën. Ata duhet ta lexojnë shkrimtarin e anatemuar dhe të mësojnë nga ai, sepse “Koliqi është një stilist i madh.”
19 nëntori i vitit 1958 është dita e arrestimit të parë të Adem Demaçit. Akuza: Veprimtari armiqësore kundër rregullimit shtetëror të Jugosllavisë dhe veprimtari politike për bashkimin territorial të viseve shqiptare nën Jugosllavi me Republikën e Shqipërisë. 19 nëntori i vitit 1958 është pika e kthesës në jetën e Adem Demaçit. Ishte menduar si pikënisje e rrokullisjes së tij në humnerë, por do të ndodhte e kundërta. Ata që e dërguan në burg bashkë me shtetin e tyre “vdiqën një nga një, kurse ne mbetëm gjallë sot e kësaj dite.”15
Në procesin gjyqësor, në mars të vitit 1959, Demaçi para trupit gjykues të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, atje ku në dhjetëvjecarët që do të vijojnë do të paraqiten me mijëra të rinjë shqiptarë, do të deklaronte: “Nëse Serbia dhe Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi dhe nëse e pengojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, atëherë nuk do të ketë paqe në Ballkan.” Historia do të ecë pikërisht këtyre shtigjeve fatale që kishte parashikuar Demaçi, duke u përmbysur sistemi i Versajës që nuk ishte ngritur mbi themele të shëndosha dhe sipas Fan S. Nolit “paqa e Versajës është më e keqe se lufta vetë. E tillë është edhe paqja në Ballkan. Ajo nuk ka zgjidhur asgjë.”16

Demaçi lirohet nga burgu i parë me 18 nëntor 1961, pra saktësisht tre vjet pas arrestimit. Pas daljes nga burgu nëna Nazife gëzohet, por në të njejtën kohë mëson se i biri ka filluar një rrugë të vështirë dhe shumë të gjatë. Nuk e kundërshton vendimin e të birit, përkundrazi i thotë: “Nana Nazife një ditë do të vdes, Nana Shqipëri do të jetojë gjithmonë. Kapu me Nanën Shqipëri, nana Nazife kalon si të mundet.”17 Në këto fjalë ka stoicizëm dhe shumë madhështi që mungonte pikërisht atje ku do të duhej të gjendej më shumë: te inteligjencia dhe familjet e tyre.

4. Organizimi politik dhe riburgosja
Në shtator të vitit 1963 Demaçi së bashku me Fazli Greiçevcin, Zeqir Gërvallën, Ahmet Haxhiun, Avdyl Lahun, Azem Beqirin dhe shumë tjerë themelon “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” . Me Ramadan Shalën në Pejë ai harton programin dhe statutin e organizatës.18 Pa vonuar shumë fillon aktiviteti politik i fshehtë përmes shkrimit të parullave, shpërndarjes së afisheve dhe shpalosjes së flamurit kombëtar në vende publike. Dhe vazhdon puna organizative e zgjerimit të rradhëve të saj në të gjitha qytetet e vendbanimet e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Ishin me qindra anëtarët dhe simpatizantët e kësaj organizate që ishte njëkohësisht organizata e parë e madhe, me një shtrirje pothuajse mbarëshqiptare, që po vepronte në Jugosllavinë e Titos pas konsolidimit të pushtetit të saj pas Luftës së Dytë Botërore. Më 8 qershor UDB-ja filloi arrestimet në masë të veprimtarëve ilegalë. Janë mbi 300 të arrestuarë, në mesin e tyre edhe Adem Demaçi dhe themeluesit e tjerë të LRBSH-së. Hetimet do të zhvillohen me një shpejtësi rekorde, kështu që brenda një harku kohor prej më pak se tre muajsh grupi i të burgosurëve do të ketë aktakuzën dhe procesin e tij. Me 27 deri më 31 gusht grupi do të dalë para gjyqit, i cili në përfundim do të jap dënime drakonike për udhëheqësit dhe anëtarët e tij. Demaçi dënohet me 15 vjet burg.
Fillojnë vitet e burgut që do të përfundojnë vetëm me 8 qershor 1974 kur Adem Demaçi do të dalë nga Burgu i Pozharevcit. Në ndërkohë Jugosllavia kishte ndryshuar, edhe pozita kushtetuese e Kosovës kishte njohur një ngritje të konisderueshme, por gjithnjë duke mbetur pjesë e Serbisë, d.m.th. një vend i robëruar dhe larg realitetit politik që synonte LRBSH-ja e Demaçit, e cila çështjen e Kosovës e shihte përfundimisht të zgjidhur vetëm kur ajo të bëhej pjesë e shtetit shqiptar. Një episod interesant nga jeta në burg që ka për protagonist nënën e Demaçit. “Shumë vështirë kur je vetëm dhe s’ke me kë ta ndajsh gëzimin. Kur m’u pat lindur ky Shqiptari im, isha në burg edhe erdhi nana, kishte marrë një kuti llokume dhe hyri në burg prapa atyre dyerëve të hekurit […] Thotë: ‘Po na ka gëzue Zoti, na ka le një djalë.’ Thash: ‘Po kujt do me i dhanë, policëve, milicisë do me ia dhanë llokumat? Kur të dalësh prej deret, atëherë i danë llokumat.’ Kur shkova në dhomë, atëherë, u gëzova fort, u gëzova fort për nanën, sepse nana nuk mund të vdiste pa e parë një djalë timin, e u gëzova që lindi djalë si deshti ajo, mirëpo nuk kisha me kë ta ndajë gëximin. Ishte shumë zor!”
Demaçi vazhdonte të mbahej në burg, mirëpo shembulli që kishte dhënë ai dhe puna e shokëve të tij idealistë që kishin mbetur jashtë, se nuk ishin zbuluar dhe as nuk ishin burgosur të gjithë ata që angazhoheheshin për të njëjtat qëllime politike si ai, do të bënte që në vitin 1968 të shpërthenin demonstratat e para shqiptare në ish Jugosllavi, një kualitet i tillë i shfaqjes së mospajtimit dhe organizimit të revoltës nuk ishte parë më herët. Në këto demonstrata që do të prëfshijnë edhe qytetet shqiptare jashtë Kosovës do të kërkohej e drejta e përdorimit të flamurit kombëtare, ndryshimi i kushtetutës dhe shpallja e Kosovës Republikë e barabartë me njësitë e tjera federative dhe e drejta e vetëvendosjes për shqiptarët në Jugosllavi, çka do të thoshte se për herë të parë publikisht dhe masivisht po artikuloheshin kërkesat politike që Adem Demaçi me Ramadan Shalën i kishin formuluar tashmë më tepër se katër vite më parë në programin politik të organizatës së tyre.

Në demonstrata do të brohoritet edhe emri i Adem Demaçit dhe do të kërkohet lirimi i tij nga burgu. “Shumë pjesëtarë të rinj, të cilët kishin qenë në LRBSH e vazhduan punën e tyre në Lëvizjen e madhe, në demonstratën e madhe të 68-shit. Demaçi dënimin e dytë përsëri do ta vuajë jashtë Kosovës, por tani një çikë më afër saj, në Burgun e Nishit dhe në atë të Pozharevcit. Me 8 qershor 1974, saktësisht 10 vjet pas arrestimit, Demaçi lirohet nga burgu i dytë. Ai ishte vetëm 38 vjeçar, por në burg e kishte kaluar tashmë pothuajse gjysmën e jetës. Përsëri Demaçi do të mbetet pa punë. Kosova tashmë kishte bërë përpara, kishte një status më të avancuar kushtetutar, nga statusi i obllastit, pra rajonit, ishte ngritur në rangun e një krahine autonome me përfaqësim direkt në organet federative të pushtetit, në Kuvendin federativ dhe në kryesinë e shtetit jugosllav ajo i kishte përfaqsuesit, përkatësisht përfaqësuesin e saj, ishte themeluar Universiteti i Prishtinës dhe Akademia, rrjeti i shkollave fillore dhe i atyre të mesme ishte shtrirë në gjithë Kosovën, megjithë këto zhvilime pozitive regjimi jugosllav në thelbin e tij kishte mbetur ai i moçmi, thellësisht antishqiptar, intolerant ndaj çfardo kërkeseje që nuk shkonte konform politikave jugosllave. Demaçi ndjente se angazhimi dhe vuajtjet e tij po jipnin rezultate, por e ndjente në të njejtën kohë që ndaj tij ky shtet nuk do të ndryshonte qëndrim. Sepse vetë Adem Demaçi nuk kishte ndërmend të bënte asnjë kompromis me krijesën e Versajës.

5. Autoriteti, mungesa e kompromisit elementar dhe burgosja e tretë
Mes 8 qershorit të vitit 1974 e 6 tetorit 1975 janë 16 muajt jashtë burgut për Demaçin. UDB-ja punon ethshëm për një proces të ri kundër tij, por faktet mungojnë, në ndërkohë që aktiviteti ilegal po rritej nga dita në ditë në Kosovë e në viset shqiptare përgjithësisht. Më 7 korrik 1974, pra brenda katër javëve të parë të Demaçit në liri shpërndahen afishe në rrethin e Gjilanit, më 24 dhjetor 1974 në konviktin e studentëve, me 21 e 22 shkurt 1975 në Preshevë, etj.etj. Dikund brenda Kosovës botohet madje edhe një gazetë ilegale, “Zëri i Kosovës”. 19 Të gjitha këto e shqetësojnë tej mase UDB-në, por faktet që do ta lidhnin organizativisht Demaçin me këtë veprimtari mungojnë. Mirëpo nuk mungojnë faktet e kontaktit të tij me njerëz që për UDB-në përbëjnë kontigjentin e armiqëve të përbetuar të Jugosllavisë. Ata e vizitojnë ish të burgosurin politik, bisedojnë me të për çështje organizative, kërkojnë këshillat e tij për rrugët që duhet ndjekur në luftën politike imediate kundër pushtuesit jugosllav. Më 6 tetor 1975 Adem Demaçi burgoset për herë të tretë, këtë herë pa as edhe një fakt të vetëm. Në procesin gjyqësor të datës 7 shkurt 1976 dënohet me 15 vjet burgim, kurse me dënime afatgjata dënohet pjesa tjetër e grupit prej 19 anëtarësh. Gjithsej 34 patriotë do të dënohen në mbarë Kosovën – gjatë këtij viti. 20 
Në një letër që Spasoje Gjakoviq i shkruan Mahmut Bakallit më 18 shkurt 1981, pra vetëm 3 javë para shpërthimit të demonstratave të 11 marsit 1981, shohim se Komiteti Krahinor i LKK-së ishte konglomerat metastazash të OZN-ës që kishin bërë kërdinë pas luftës përmes proceseve të montuara.21 Po nga ky qerthull do të përgatitet procesi i montuar kundër Demaçit në vitin 1976.

Më 21 prill 1990 me vendimin e Kryesisë së Jugosllavisë Adem Demaçi lirohet nga burgu pesë muaj e gjysmë para kryerjes së dënimit të tretë dhe të fundit të një shteti, të cilit nuk i kishte mbetur më shumë se një vit e gjysmë jetë, sepse pranvera tjetër Jugosllavinë do ta gjejë në fillimin e një lufte shkatërrimtare për të.

6. Viti 1990 dhe vitet e represionit që vazhdon

Në mars të vitit 1990 Demaçi ndodhej në burgun e Stara Gradishkës që prej katërmbëdhjetë vitesh. Nëpunës të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar futen në burg dhe bisedojnë me të burgosurin numër 1 të Jugosllavisë. Adem Demaçi u thotë se Sllobodan Millosheviqi po e çon Jugosllavinë drejt shkatërrimit të dhunshëm. Demaçi kishte punuar gjithë jetën e tij që kjo ngrehinë shtetërore të shembej, por ai do të donte që gjatë shembjes së saj të mos bëheshin dëme të mëdha, ai angazhohet që ky dekompozim të bëhej në mënyrë paqësore dhe pa gjakderdhje. Edhe pas 21 prillit 1990, Adem Demaçi përpiqet të gjejë rrugë që do ta shmangnin luftën. Në pjesën e parë të vitit 1991 Demaçi vihet në krye të “Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut” në Prishtinë. Shpejt do të krijohen nëndegët e këtij Këshilli në mbarë Kosovën. Në dhjetor 1991, Parlamenti Europian në Strasburg, me nismën e Aleksandër Langer-it dhe Doris Pack-ut i jep Adem Demaçit çmimin “Saharov”. Adem Demaçi udhëton në Perëndim ku takon shumë personalitete botërore. Në pranverë të vitit 1993, pas kthimit nga SHBA-ja, shkon në Beograd në përpjekje të sensibilizimit të serbëve për një zgjidhje paqësore të poblemeve të akumuluara me shqiptarët. Në verën e vitit 1994, me ftesë të profesorit Miladin Zhivotiq, Demaçi u gjend sërish në Beograd. Përsëri ua bën të qartë serbëve se nga pavarësia shqiptarët nuk mund të hiqnin dorë. Edhe një vit më vonë ai do të kthehet në Beograd, gjithnjë në përpjekje për të gjetur shtegun e paqes në një konflikt që po ashpërsohej. “Marrëveshja e Dejtonit” në vitin 1996 i jep fund shpresës së zgjidhjes paqësore të konfliktit serbo-shqiptar. Adem Demaçi i drejtohet Brukselit, Hagës dhe Londrës, por në Prishtinë nuk sjellë asnjë mesazh optimist. UÇK-ja tashmë ishte konsoliduar si faktor me ndikim, kështu që Demaçi më 5 dhjetor 1997 i drejtoi një letër të hapur UÇK-së.

7. Përfaqësimi politik i UÇK-së

Adem Demaçi më 12 gusht 1998 merrë një ftesë nga udhëheqja e UÇK-së për një takim me të në Tiranë ku u arrit marrëveshja gojore që ai të merrte për sipër udhëheqjen politike të UÇK-së dhe të punonte për krijimin e Asamblesë së Kosovës. Adem Demaçi pa u vonuar hap në Prishtinë Përfaqësinë Politike të UÇK-së, e cila do të vepronte deri më 26 shkurt 1999. Për shkak të mospajtimit të tij me “Projektin e Rambujesë” heq dorë nga përfaqësimi i mëtejmë i UÇK-së. Bombardimeve e NATO-s mbi Serbinë e gjejnë Adem Demaçin mes Prishtinës. Ai nuk deshi ta lëshojë Kosovën dhe as të fshihet, por doli haptas rrugëve të Prishtinës.

8. Vitet e administrimit ndërkombëtar

Vitet e UNMIK-ut për Kosovën janë vite të turbulencave dhe paqartësive të mëdha politike. Për Adem Demaçin vite angazhimesh të mëdha, por edhe kohë e refuzimit të tij nga administrata ndërkombëtare në Kosovë .

9. Pavarësia e Kosovës dhe aktiviteti politik i Demaçit

Ashtu si koha e UNMIK-ut, edhe vitet e para të pavarësisë për Demaçin janë vite të vështira, sepse Kosova është larg të qenit një shtet funksional dhe i pavarur në marrjen e vendimeve të rëndësishme për fatin e saj të mëtejmë politik. Faktorët vendorë dhe moskoordinimi i punës së tyre përbëjnë shqetësimin kryesor të Demaçit. Ai përjashtohet në mënyrë konsekunte nga vendimet e mëdha për fatet e vendit.

10. Përfundim
Në një kumtesë të tillë të shkurtër është e vështirë të përblidhet gjithë aktiviteti politik i një njeriu si Adem Demaçi që ka një veprimtari mbi 60 vje ç are politike. Megjithatë një pamje panoramike orientuese mund të jepet dhe unë jam përpjekur ta bëjë këtë gjë.
Adem Demaçi është një titan i shqiptarisë, një lloj shpëtimtari i kombit si ç e përfytyron Kristë Maloku në citatin që i kam paravënë kësaj kumtese. Fantazia e tij është platonike, këtë gjë e dëshmon vepra e tij e gjerë letrare dhe publicistike, vrulli dhe entuziazmi i tij si ai i Alkibiadit antik, gjë që shihet në veprimtarinë e tij legale dhe ilegale politike, kurse gatishmëria për vetëflijim e përmasave të Sokratit. Vetëm se fati deshi që Adem Demaçi të mbetet një Sokrat i gjallë dhe jo një Sokrat i masakruar në rrugët e Prishtinës në vitin 1999 kur të gjithë i ikën ndëshkimit të mizorit serb Millosheviq.
Pse titan i shqiptarisë? Sepse Adem Demaçi e rrëzoi gjithë atë armatë kundërshtarësh dhe armiqësh të tij dhe të kombit të tij, në emër të të cilit ai ka vepruar e folur me guxim gjithë jetën. Ishin shumë më të fuqishëm, kishin shumë përkrahje në vend dhe në botë, kishin arsenale të jashtëzakonshme armatimi, por në ç astin vendimtar asgjë nuk funksionoi dhe as i ndihmoi. Ata nuk janë më. As shteti i tyre dhe as ëndërrat morbide për zhdukjen e shqiptarëve.

Ata i përkasin prej kohësh botës së hijeve, Adem Demaçi të sotmes dhe të nesërmes së një bote shqiptare që do të dijë ta vlerësojë kontributin e tij të jashtëzakontë për kombin shqiptar, për të cilin ai e shkriu gjithë jetën e tij.

Vienë, 21.01.2016-16.2016
Shënime
1Kristë Maloku: Shteti apo kombi, “Dardania Sacra” nr.4. Prishtinë 2002,f. 74
2 Adem Demaci: Shekulli, botimi online, Tiranë15 Prill 2013
3 Koha Ditore : 12 Janar 2016 ,http://koha.net/?id=4&l=93070 
5 Bajrami, Hakif: “Dosja Demaci”, Prishtinë 2004, fq.6
6 Bogdan, Krizman : Elaborati i doktor Ivo Andriqit mbi Shqipërinë nga viti 1939, revista për Historinë bashkëkohore. Zagreb, më 1977, faq. 89, numër 2.
7 Bajrami, Hakif: “Dosja Demaci”, Prishtinë 2004, fq.6
8 Inter v i stë e Milaim Zekës me Adem Demacin: PA RROTLLA ADEM DEMAQI Pjesa e pare, 24.07.2013, https://youtu.be/fa8uuHWzEtU
9 Demaci, Adem: “Zoti nuk harron”, Prishtinë 1990, fq. 121
10 Intervistë e Milaim Zekës me Adem Demacin: PA RROTLLA ADEM DEMAQI Pjesa e pare, 24.07.2013, https://youtu.be/fa8uuHWzEtU )
11 Konushevci, Abdullah: Demaci (Vepra letrare), Prishtinë 2008,fq.25-26
12 po aty , fq.28
13 Teki Dervishit: te Selatin Novosella “Demaci Metaforë Lirie” Prishtinë 2012, fq. 215
14 Intervistë me Milaim Zekën: PA RROTLLA ADEM DEMAQI Pjesa e pare, 24.07.2013, https://youtu.be/fa8uuHWzEtU
15Hanzhek, Matjazh: “Njëzetë vjet as i gjallë as i vdekur”, Lubjanë 1990, fq.43
16 Milo, Paskal: “Shqipëria dhe Jugosllavia 1918-1927”, Tiranë 1992, fq. 354
17 Intervistë me Milaim Zekën: PA RROTLLA ADEM DEMAQI Pjesa e pare, 24.07.2013, https://youtu.be/fa8uuHWzEtU
18 Novosella, Selatin: “Demaci.Lëvizja për Bashkim”, Prishtinë 2012,fq. 75-92
19 Bajrami, Hakif: “Dosja Demaci”, Prishtinë 2004, fq.364-372
20 N ovosella, Selatin: “Procesi i Prishtinës, Prishtinë 2012, fq. 89-150
21 Kraja, Mehmet: “Identiteti kosovar”, Prishtinë 2011, fq. 114-115
https://www.youtube.com/watch?v=fa8uuHWzEtU&authuser=0
Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 28, 2018 17:56

PUBLICI8

Sondazhi

Vlerësimi juaj për vitin 2018 ?
Maqedoni
5°
2°
Sun
0°
Mon
-2°
Tue

ARKIVI I LAJMEVE