Afaristët: Investimet për shoqërinë nuk paraqesin shpenzime por investime

Afaristët: Investimet për shoqërinë nuk paraqesin shpenzime por investime

Investimi në projekt me rëndësi për shoqërinë, përveç rritjes së konkurrencës dhe integrimit të kompanive në sektorin global, sjell përfitime për shoqërinë dhe mjedisin ku jetojmë. Kjo u tha në ndarjen tradicionale të çmimeve për kompanitë të cilat kanë investuar në përgjegjësi shoqërore. Kompanitë shprehen se këto projekte i shohin si investime e jo si shpenzime.

“Në 17 qytete kemi vendosur 40 stacione për mbushje të veturave elektrike, me çka ruhet mjedisi jetësor, e mira e përgjithshme dhe të mira të shumta për vozitësit e veturave elektrike. Kurse projektin “Duar të zëshëm në EVN”, është projekt me të cilin përmirësohen shërbimet për konsumatorët që janë me dëgjim të dëmtuar. Personeli ynë ka mësuar gjuhën e shenjave dhe mund të komunikojnë pa problem me ata që kanë dëgjim të dëmtuar”,- deklaroi Atanas Kostovski nga EVN – Maqedoni.

“Të rinjve në vend u japim mundësi që të zotërojnë aftësitë themelore për biznes dhe të fillojnë biznesin e tyre. Me këtë adresojmë shumë çështje, mbi të gjitha dëshirën që e kemi për t’i mbajtur të rinjtë këtu”,- theksoi Llambo Patçe nga “Birraria” – Shkup.

“Kemi menduar një shpikje shumë të mirë për akustikën mes dy banesave, ndërmjet shtëpisë dhe korridorit. Ato janë shtëpi ekologjike dhe mendoj se mund të lavdërohemi për standarde bashkëkohore, sepse për herë të parë e kemi aplikuar në Maqedoni”,- theksoi afaristi, Vanço Çifliganec.

Bekteshi: Rritet numri i kompanive që investojnë në projekte me interes shoqëror

Sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, çdo vit po rritet numri i kompanive që investojnë në projekte për përgjegjësi shoqërore. Ai paralajmëroi edhe rritje të fondeve për këto projekte.

“Ne vetëm se e kemi ndërtuar edhe strategjinë për përgjegjësinë shoqërore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe nga viti i ardhshëm do të rrisim edhe buxhetin për të ndihmuar dhe për të përkrahur kompani të tilla të cilat do të jenë të interesuara që të investojnë në projekte të cilat kanë të bëjnë me përgjegjësinë shoqërore”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Çmimet janë ndarë për pesë kategori, edhe atë për kategoritë marrëdhënie me punëtorët, menaxhim etik, marrëdhënie me tregun, kujdes ndaj mjedisit jetësor dhe investim në shoqëri.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 2, 2019 19:34

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA