Ansambli shqiptar së shpejti shpall konkurs për 37 punësime

Ansambli shqiptar së shpejti shpall konkurs për 37 punësime

Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve shqipe në Maqedoni është themeluar që një vit e gjysmë, por ky institucion ende nuk ka adresë, as objekt të vetin dhe as valltarë. Për momentin Ansambli disponon me 10 të punësuar administrativë dhe disa zyra, kurse për ushtrime përkohësisht nga Qeveria i është ndarë Shtëpia e Armatës. Drejtori i ri, Jeton Pustina, u ankua edhe për buxhetin që disponon Ansambli i këngëve dhe valleve shqipe dhe thotë se do të dorëzojë ankesë deri tek Ministria e Kulturës për të kërkuar më shumë mjete.

“Përveç buxhetit për programin artistik dhe për 10 personat e angazhuar me kontrata, Ansambli ka zero buxhet. Është shumë problem të funksionohet. Tani pasi mbaruan zgjedhjet, ne do të çojmë ankesë dhe do të kërkojmë më çdo kusht që ansambli të mbështetet më shumë. T’i ndahen mjete që të kemi mundësi të funksionojmë por mbi të gjitha të ndërtojmë një institucion që e duan të gjithë. Është 5 milion denarë për programin artistik, 4 milion denarë për rrogat dhe 3 milion denarë për një koncert ndërkombëtar”, theksoi Jeton Pustina, drejtor i AKVPSH në Maqedoninë e Veriut.

Për dy javë Ansambli shtetëror shqiptar do të shpallë konkurs për artistë, valltarë, instrumentistë dhe këngëtarë. Planifikohet që të pranohen gjithsej 37 persona, por ky numër nuk është i mjaftueshëm, thotë ai.

“Jemi institucion I ri, nuk kemi të punësuar të brendshëm. Ishte problemi se nuk mundeshim të angazhonim profesionistë nga jasht për audicionin, por duheshte të bënim kërkesë në Ministrinë e Kulturës. Ministria e Kulturës të dërgojë disa përfaqësues ne mes tyre profesionistë që i angazhojmë, të bëjmë një komision të përbashkët dhe ka shumë detaje për të arritur te konkursi, por besoj se këto dy javë do ta kemi konkursin. Konkursi do të zgjasë 15 ditë”, potencoi drejtori i AKVPSH në Maqedoninë e Veriut, Jeton Pustina.

Kur u themelua ansambli, iu nda salla “Partizani” në Çair, u nda edhe buxhet për rikonstruimin e saj, mirëpo këtë objekt nuk e pranoi drejtori i atëhershëm Fatos Lumani, sepse salla ishte në gjendje të mjerueshme. Tani ansambli ka disa zyra në ndërtesën e “Maqedonisë së re”, ku me gjasa do të jetë edhe adresa e këtij institucioni.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 16, 2019 20:50

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.