Artistët me forcë kundër pr.ligjit për artin: Kumbaro ngatërron amfiteatrin me Teatrin, Krishtlindjet me Pashkët

Artistët me forcë kundër pr.ligjit për artin: Kumbaro ngatërron amfiteatrin me Teatrin, Krishtlindjet me Pashkët

Grevë dhe bojkot deri në ndalimin e projektligjit të Ministrisë së Kulturës për artin. Aktori Neritan Liçaj vjen në një reagim tejet të ashpër në një intervistë sa i takon projektligjit më të ri që Ministria e Kulturës ka hartuar për artin. Pasi thekson se komuniteti artistik nuk është konsultuar dhe nuk i është marrë mendim, aktori i njohur, thotë se ligji i ri i jep shumë pushtet ministres dhe madje i ndalon artistët të kenë aktivitete artistike pa marrë më herët leje në ministri, edhe në rastin kur financimi është tërësisht privat.

Në intervistën e mëposhtme për Gazeta Shqiptare, Liçaj rendit arsyet pse është kundër ndryshimit.

Pse jeni kundër projektligjit të ri të artit?

Nuk është puna se nuk jemi dakord të ndryshojmë ligjin, absolutisht jo. Unë jam një njeri që kam kërkuar të ndryshojë ligji dhe të bëhet statusi i artistit. Unë kam 15 vite që e kërkoj. Kërkoj që të bëhet një ligj i aplikueshëm. Ministrja Kumabro premtoi 6-mujorin e parë të mandatit të saj të parë, si ministre, të bënte ligjin për artin dhe statusin e artit. Kaloi mandati i saj i parë dhe nuk u bë asgjë. Ia kam kërkuar edhe përmes, mediave të ndryshme, që të mbajë premtimin. Si duket pas katër vjetësh ministrja paska bërë një ligj absurd, sepse ligji është qesharak, veçse i papranueshëm nga artistët.
Domethënë, ministrja të emërojë gjithçka, as kryeministri të mos pyetet, për drejtorët e teatrove, për bordet e teatrove, për shfaqjet e për gjithçka. Ligji e përqendron të gjithë pushtetin te ministria dhe te ministrja.

Çfarë ndodh me ketë ndryshim? Ju hiqen të drejta?

Shkon deri në absurdin që, nëse unë dua të bëj një projekt privat, me financime komplet joshtetërore, por tërësisht private, unë duhet të marr leje në ministri e kjo është absurde përveç faktit që i do të gjitha pushtetet vete ministrja.
Ministrja bashkë me kryeministrin, kanë bërë krimin e madh që kanë ndryshuar sistemin e punësimit të artistëve. Që të ndryshosh sistemin e punësimit në një sektor kaq të madh sa është arti duhet të marrësh një vendim qeverie, nga gjithë ministrat. Ose një botim nga parlamenti.
Këta nuk e kanë bërë dhe ne tani kemi kontrata të paligjshme.
Po ta çojmë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, ne i dërrmojmë ata.
Imagjino që përpiqen t’ua hedhin nëpunësve të vet. Harrojnë se ne jemi artistët e Shqipërisë, nuk jemi as të tij, as të Saliut, as të Lulit, as të Ilirit, të askujt. Ne i shërbejmë kulturës së kombit. Kjo gjë, çështja nuk lihet me kaq. Reagimi ka për të qenë shumë i fortë, thjesht po i shkurtojnë ditët vetes.

Ndërsa hartohej ky projektligj, a janë konsultuar me ju?

Asnjeri, gjithmonë kështu ka qenë. Qeveria jonë dhe administrata e shtetit shqiptar në të gjitha nivelet, funksionon në rang CIA dhe kodesh bërthamore të Ushtrisë Amerikane. Nuk thonë asnjëherë asgjë, nuk informojnë për asgjë, nuk kërkojnë njëherë një mendim. Arrogance e tillë, unë nuk di ku mund të gjendet tjetër. Dhe nuk është vetëm kjo, është sëmundje e politikës shqiptare, sapo kapin postin duan t’i kenë mbi vete të gjitha vendimet. Kështu bën edhe Kumbaro, që ngatërron amfiteatrin me teatrin dhe thotë Gëzuar Krishtlindjet në vend të Pashkëve.

Ju keni qenë në takimin e SAS?

Jo nuk kam qenë dhe nuk iki. Unë nuk futem te SAS, sepse kam zërin tim. E dyta, SAS është krijuar para zgjedhjeve, nga militantë partish, nga njerëz që erdhën në SAS pasi dolën nga çadra, nuk kam besim te SAS sepse është mekanizëm i manipuluar që do ta bëjë për përfitime vetjake siç është bërë gjithmonë me sindikatat. Mbledhin njerëz që i ndjekin pas që kryetari të bëjë çfarë të dojë për vete e të mbrojë interesat e përfitimet e veta. Reagimi im, është qytetar, civil dhe artistik.

Para një jave një aktor kosovar la shfaqjen në shenjë proteste, për shkak të asaj që po ndodhte në Teatrin e Kosovës. A është rasti që artistët shqiptarë të bëjnë të njëjtën gjë kundër këtij projektligji?

Të lësh shfaqjen në mes, qoftë edhe për protestë shumë të denjë, pra për një protestë shumë të fortë, nuk është dinjitoze nga ana profesionale, sepse spektatori ka ardhur të të shohë dhe ka paguar biletën. Por, bojkoti është një gjë shumë e mirë dhe unë pikërisht këtë gjë do të nxis te kolegët, nuk e di sa do të më dëgjojnë. Bojkot ndaj këtij projektligji. Bojkot të punës, shpallim grevë se ne nuk pranojmë më asnjë lloj projektligji pa ardhur më para pa u konsultuar te ne. Do e propozoj te kolegët e mi, nuk e di sa do ia dalim, por unë vë bast se ministrja do detyrohet të tërhiqet, sepse është tejet absurde. Nëse do të isha deputet i PS nuk do e votoja kurrë, nuk do e pranoja kurrë këtë ligj. As për vendim partie, sepse është absurd e qesharak. Edhe në kohën e Enverit ka pas pak më tepër liri artisti.

Problemi kryesor i ligjit është që vendos ministrja për çdo lloj gjëje?

Nuk është një ligj demokrat. Ka një handikap. Në Kushtetutë thuhet se “arti dhe kultura janë të depolitizuara”. Ndërkohë që ne na vijnë ministra politikë, na vijnë drejtorë politikë, dhe të gjithë thyejnë ligjin, bien ndesh me Kushtetutën. Fakti që ministrja është politike, por mirë ajo, edhe drejtorët janë politikë, dhe ministria i merr në mbrojtje si rasti i Monika Lubonjës, që është qesharake vazhdon të mos e shkarkojë që të vijojë hetimi si duhet, kjo është situatë qesharake dhe e bën çdo gjë politike.
E kam shprehur publikisht se kjo bëhet që politika ta mbajë artistin të lidhur dhe të varur të buka e gojës, se në momentin që artisti del i pavarur, atëherë artisti kthehet në oponentin më të madh të politikës, siç ndodh në Amerikë, në Gjermani që janë artistët opozitarët më të mëdhenj të qeverive dhe politikave të gabuara. Kjo i tremb zotërinjtë e politikës, nën kontroll e nën diktat.

Çfarë nënkuptoni me kontroll e diktat?

Që drejtoria e Teatrit Kombëtar të na kërkojë ne a kemi paguar ujin dhe dritat, ky është kulmi. Domethënë, drejtoria jonë e Teatrit Kombëtar me urdhër nga Ministria ose nga kryeministria, u kërkon aktorëve të Teatrit Kombëtar që të tregojnë, faturat e dritave. A ka më qesharake?

Flaka Redaksia
nga Flaka Redaksia Shkurt 8, 2018 18:20

REKLAMA

Maqedoni
12°
6°
Thu
4°
Fri
2°
Sat

ARKIVI I LAJMEVE