Ata që braktisën mandatet t’i lejojnë të tjerët të punojnë për vendin

Ata që braktisën mandatet t’i lejojnë të tjerët të punojnë për vendin

Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, ambasada amerikane në Tiranë vlerëson se, “nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme”.

Po ashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara nënvizoi se “i konsideron qeverinë dhe parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të 2017-s, të njohura ndërkombëtarisht”.

“Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka ende punë për të bërë. Ndërkohë që, ata ish-anëtarë të parlamentit, të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre”, thuhet në këtë deklaratë.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë shpreh mbështetjen për të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Mars 15, 2019 19:57
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.