Autonomia e UEJL-së, e paprekshme

Autonomia e UEJL-së, e paprekshme

Rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti, në takimin me gazetarë është shprehur se pas shumë vitesh shënohet rritje  e numrit të studentëve në studimet deridiplomike. “Aktiviteti i parë që dua ta nënvizoj është sjellja e Ligjit të arsimit të lartë në vitin 2018, që për ne paraqet aktin më të lartë të veprimtarisë tonë. Është hera e parë që ne shënojmë rritje të studentëve në studimet deridiplomike dhe rritja është saktësisht 9 për qind të studentëve të regjistruar”, tha Bexheti. Ai më tej është shprehur se është rritur edhe buxheti i universitetit për vitin e  ardhshëm.

“Rritja e buxhetit për 40 për qind për vitin 2019, për ne është edhe sinjali më mirënjohës për vlerat që krijojmë. Për herë të parë pas pesë vitesh, ne shëndohemi si institucion në entitet fiskal të pavarur në buxhet. Vitin e ardhshëm, sigurisht do të kemi mundësi që t’iu njoftojmë edhe me ambiciet tona për t’u zgjeruar në fusha tjera, përfshi edhe të teknikës së butë të themi apo soft, veç fakultetit të shkencave kompjuterike të kemi ca oferta programore që do t`i përshtaten tregut të punës”, tha rektori Bexheti. Në ndërkohë, ai është shprehur se UEJL nuk do të humb autonominë universitare, pavarësisht se është rritur edhe buxheti që ndahet nga Qeveria.

“Mendoj se autoritetet shtetërore nuk mund të mendojmë e jo të marrim një veprim të këtillë që të kenë ndikim mbi autonominë e universitetit, sepse ata marrin pjesë me një anëtar në Bordin e universitetit prej nëntë gjithsej. Prandaj në këtë drejtim autonomia e UEJL-së nuk mund të preket, por kemi edhe një zotim të kryeministrit në ceremoninë e inaugurimit, ku ai tha se nga ne kërkon vetëm cilësi dhe përkrahja nuk do të mungojë”, deklaroi Bexheti. Ai përmendi sjelljen e Ligjit për arsim të lartë ku UEJL arriti të ruaj kontinuitetin e një institucioni specifik, ndërsa pas 8 vitesh është zgjedhur me sukses edhe menaxhmenti i ri, i cili tha se përbëhet nga njerëz që kanë udhëtuar bashkë me UEJL-në. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 28, 2018 19:44
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.