Azem Syla i dorëzohet EULEX-it

Azem Syla i dorëzohet EULEX-it

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Azem Syla është kthyer nga Shqipëria dhe i është dorëzuar Policisë së EULEX-it në pikëkalimin kufitar në Morinë.

Ai është dërguar menjëherë në stacionin kryesorë të Policisë në Prishtinë ku do intervistohet, ndërsa pastaj pritet që Prokuroria të kërkojë nga Gjykata Themelore për masën ndaj tij.

Azem Syla dyshohet si kreu i një grupi kriminal prej 51 personash që dyshohet se kanë tjetërsuar prona shoqërore në shumë afër 30 milionë euro.

Një ditë me parë, Azem Syla dha dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Nëpërmjet një deklarate për mediet, Syla ka bërë të ditur se kjo dorëheqje është e parevokueshme, ndërsa është shprehur i hapur për bashkëpunim me drejtësinë, duke këmbëngulur në pafajësinë e tij.

Menjëherë pas dorëheqjes së Sylës, ka reaguar kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili ka përshëndetur aktin e Sylës për t’iu hapur rrugë organeve të drejtësisë në procesin e zbardhjes dhe trajtimit të çështjes së hapur ndaj tij.

“Me këtë veprim, ai po vendos një precedent të ri të qytetarisë dhe përgjegjësisë publike, që duhet të shërbejë si standard dhe model për të gjithë ata, që gjenden në rrethana të ngjashme”, ka thënë Veseli.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 29, 2016 19:46

REKLAMA