Beteja ndërpartiake për pozicione Polici

Beteja ndërpartiake për pozicione Polici

Po vazhdon avazi i lëvizjeve dhe rokadave të të punësuarve në pozita të larta në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Burime të ndryshme të TV21 që punojnë në strukturat e policisë konfirmojnë se çdo ditë në MPB shpallen konkurse të brendshme, që mundësojnë lëvizjen e zyrtarëve nga njëra pozitë në tjetrën.

Dy burime në dy qytete të ndryshme, që kërkuan të mbeten anonime, pohojnë se përmes këtyre konkurseve po vendosen njerëz të besueshëm të LSDM-së.

“Kjo po bëhet për shkak se në janar MPB do ta drejtojë opozita e Ministri teknik të mos ketë mundësi të shpallë konkurse” thotë burimi i TV21.

Konkurset interne në MPB i konfirmon edhe kreu i Sinidkatës së Pavarur të Policisë Goce Dellçev i cili po ashtu pohon zërat për rokada mes shefave dhe zyrtarëve policorë.

“Ne i dëgjojmë këto rokada, që do të ndodhnin në kuadër të policisë e sidomos me përgatitjen e sistematizimit të ri. Pra këto rokada shumë gjasa, parashikoj, që do të ndodhin me një sistematizim të ri që po përgatitet në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha Goce Dellçev Todev, nga Sindikata e Pavarur e Policisë.

Frika më e madhe është që nga ky sistematizim më shumë do ta pësojnë kuadrot shqiptare pohojnë burimet e TV21. Si shembull japin qytetin e Shkupit, ku nga 5 njësi që pritet të formohen, vetëm ajo e Bit Pazarit do të jetë e drejtuar nga kuadër i BDI-së, pohon burimi. I njëjti po ashtu duke folur për çështjen e sitematizimit na tha se zëvendësministrit të brendshëm Agim Nuhiut po i del puna nga kontrolli dhe se i njëjti “ndryshe flet në parti, e ndryshe vepron në Ministri”.

Televizioni 21 edhe sot kërkoi nga zëvendeësministri përgjigje për rokadat për të cilat kemi raportuar ditëve të fundit, për ta pyetur se sa ai si partner i koalicionit është i kyçur në sistematizimin e ri, por asnjë përgjigje nuk morëm.

Nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zekiri pohon se Ministria e Punëve të Brendshme nuk është shtab partiak. Kështu ai i tha dje TV21 duke u përgjigjur për rokadat dhe lëvizjet që po bëhen në MPB, se po hiqen kuadro të afërta me BDI-në, e po vendosen ata të afërt me LSDM-në.

“MPB nuk është shtab partiak fillimisht. Ata që thirren se janë kuadro të BDI-së a na u paskan shkarkuar tash flet për vetë ata se ata i kanë shërbyer partisë e jo qytetarëve. Pjesëtarët e MPB i shërbejnë qytetarëve dhe jo partisë. Ka kaluar koha kur dikush MPB e trajtonte si shtab partiak gjatë regjimit VMRO-DPMNE-BDI”, thotë Muhamed Zekiri, nënkryetar i LSDM-së.

Në fakt fotografi dhe video dëshmojnë të kundërtën e asaj që thotë Zekiri, se MPB nuk është shtab partiak dhe se “ka kaluar koha kur dikush MPB e trajtonte si shtab partiak gjatë regjimit VMRO-DPMNE-BDI”.

Këto pamje tregojnë se njerëz të afërt me LSDM-në janë nëpër pozita në Ministrinë e Brendshme.

Një prej tyre është edhe rasti i njërit prej të punësuarve në MPB, gjë për të cilën ditë më parë ka raportuar TV21 rreth rokadave në pikëkalimin Bllacë, fotografitë e të cilit tregojnë afërsinë e tij me LSDM-në.

TV21 do ta ruajë identitetin e tij dhe funksionin e tij si zyrtar policor, arsye për të cilën as nuk pranoi të flasë para kamerës.

Po i njëjti ka marrë pjesë edhe në fushatën presidenciale në mbështetje të Stevo Pendarovskit.

TV21 po ashtu ka fotografi të personit i cili ka lëvizur nga pozita e tij e punës, e që dëshmojnë afërsinë me BDI-në, si kjo foto ku ai në një tubim qëndron afër Blerim Bexhetit.

E krahas Zekirit, edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu, në përgjigje me shkrim për rastin në Bllacë, mohon avancimet në baza partiake.

“Është e kundërta e asaj që Ju pretendoni në kronikat televizive në lidhje me risistematizimet e punonjësve në stacionin kufitar Bllacë! Ju lutemi për verifikimin e plotë dhe të drejtë të fakteve veç e veç dhe në tërësi”, theksoi Agim Nuhiu, zëvendësministër për Punë të Brendshme.

Megjithatë Nuhiu as sot nuk pranoi që të flasë para kamerës rreth kësaj çështjeje.

E bashkëpartiaku i tij, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani ditë më parë deklaroi që askush nuk duhet që në punën e tij administrative të dënohet për shkak të bindjeve politike.

“Në princip nuk mendoj që në shërbimet e policisë duhet të ketë kuadër të BDI-së ose kuadër të LSDM-së por askush nuk guxon të diskriminohet për shkak bindjeve politike”, u shpreh Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

E kreu i VMRO-DPMNE-së, lëvizjet dhe sistematizimin në MPB i quan gjimnastika të pushtetit që për qëllim kanë ta pengojnë ministrin teknik që opozita duhet ta emëroj pas rreth një muaji.

“Nëse Zoran Zaev, Oliver Spasovski, LSDM e dinë se kanë bërë politikë të ndershme, të sinqertë me bashkëqytetarët, nuk kanë nevojë për gjimnastika të tilla në Ministrinë për Punë të Brendshme, ta pengojnë punën e ministrit teknik që do ta propozojë opozita, nuk ka pse të frikësohen. Realiteti është krejtësisht ndryshe. Janë të frikësuar. Këtë e shoh në sytë e tyre. E shoh panikun që mbizotëron tek ta”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ditëve të fundit TV21 ka raportuar për dy raste, një në pikëkalimin kufitar Bllacë e një në Tabanoc, ku janë bërë lëvizje të zyrtarëve të lartë policor. Më saktësisht, burime të TV21, kanë treguar se nga pozitat e tyre janë larguar kuadro të afërta me BDI e janë vendosur të afërt me LSDM-në, kjo siç thonë burimet tona, me qëllim që LSDM të përforcojë disa pozita kyçe në strukturat e policisë, para se të emërohet ministri i brendshëm teknik.

Kurse Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, për rokadat që ndodhin në Ministrin e Punëve të Brendshme, tha se nuk i ka informacionet e plota dhe se nuk mund të flas në detaje,raporton TV21.

Ahmeti shton se në institucionet e sigurisë duhet të punojnë njerëz profesionist që të sigurojnë qytetarët në gjithë hapësirën e vendit. “Nuk kam informacione të tilla dhe mendoj që nuk është në dobi as të partneritetit në qoftë se bëhet ndryshim politik apo partiak i kuadrove me rëndësi është që në institucionet e sigurisë të jenë njerëz profesionistë që bëjnë punën e tyre dhe që sigurojnë qytetarët në gjithë hapësirën e vendit. Informacionet nuk i kam të plota  dhe nuk mund të flas në detaje se çka është duke ndodhur. Por edhe nëse ka diçka ndonjë veprim të tillë nuk do të ishte në dobi të partneritetit”, deklaroi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti për TV21.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 21 Nëntor, 2019 11:27

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.