Boshnjakovski: 20 mijë punësimet, qeveria e kaluar shkaktare për uljen ekonomike

Boshnjakovski: 20 mijë punësimet, qeveria e kaluar shkaktare për uljen ekonomike

Investimet e huaja direkte për periudhën prej vitit 2007 deri më maj të 2017-s i kanë kushtuar Maqedonisë rreth 225 milion euro.

Analizat e qeverisë treguan se në këtë shumë janë përfshirë 26 milion euro për grande, janë humbur rreth 69 milion euro për lehtësira doganore dhe janë shpenzuar rreth 130 milion për tërheqjen e investuesve të huaj. Në 10 vitet e kaluara, 25 kompani të huaja kanë investuar në vend, duke kontribuar në hapjen e 20 mijë vendeve të reja të punës, por nëse llogariten paratë e shpenzuara për këtë qëllim, konkludohet se për secilin punëtor shteti ka shpenzuar rreth 11 mijë euro. “Maqedonia ka paguar, përkatësisht të gjithë ne kemi paguar nga 11 mijë euro për secilin vend nga ata 20 mijë vende pune. Kjo ka qenë politika e qeverisë së kaluar për shou ekonomik, e jo politikë për rritje ekonomike”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski. Nuk ka pasur as kritere për bisedime me investitorët dhe kompanitë kanë marrë shuma të ndryshme të ndihmës. Shumica e të punësuarve, sipas tij, nuk kanë qenë të papunë, por janë marrë nga sektori i biznesit vendor. Dhe më e rëndësishmja, i është dhënë përparësi investuesve të huaj, në dëm të atyre vendas. “Ky është rezultat i përmbledhur nga deklasifikimi i marrëveshjeve të nënshkruara në rreth të ngushtë dhe të cilat nuk kanë qenë transparente para opinionit.  Marrëveshje me të cilat është injoruar ekonomia e Maqedonisë. Duam të shpjegojmë se nuk ka pasur dokument apo udhëheqës me kritere të qarta për të  negociuar”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski. Marrëveshjet me kompanitë kanë qenë të nënshkruara në afat prej 10 vitesh dhe  ende  janë valide. Qeveria do t’i plotësojë në tërësi detyrimet për të gjithë investitorët e huaj, por ende nuk dihet nëse do të kërkohet përgjegjësi apo nëse ka dyshime për vepër të kryer penale. Më herët duhet të analizohet i gjithë materiali e më pas i njëjti do t’u dorëzohet organeve të drejtësisë, tha Boshnjakovski.

Flaka Redaksia
nga Flaka Redaksia Shtator 13, 2017 19:51

MARKETING

NA NDIQNI NE FACEBOOK

MOTI SOT
26°