Buxhet më i ulët për universitetet shqiptare

Buxhet më i ulët për universitetet shqiptare

Me ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë parashikohet edhe rritja e buxhetit. Megjithatë, buxheti i paraparë për Universitetet Publike mbetet diskriminues për Universitetet në gjuhën shqipe. Por ministrja e Arsimit, Renata Deskoska thekson se që me ardhjen e saj në këtë dikaster ka trashëguar dhjetëra padrejtësi ndaj universiteteve publike. Ndonëse e vlerëson si të nevojshëm balancimin e buxhetit për universitetet publike, Deskoka nuk paralajmëron masa konkrete, përveç siç thekson, shlyerjen e borxheve të tyre.

Kur erdha në ministri pashë se shteti për dikë ishte nënë e për dikë njerkë, për dikë kishte fonde e për dikë jo. Për fat të keq për disa universitete ishin fshehur fondet. Tani, me qëllim që të mos ketë diskriminim për universitetet, bëmë dispozitë ligjore që do t’i shlyente të gjitha harxhimet e universiteteve – deklaroi Renata Deskoska, Ministre e Arsimit.

Edhe VMRO-DPMNE-ja vlerëson se nevojitet buxhet më i madh për arsimin e lartë edhe pse një gjë të tillë nuk e kishte bërë derisa ishte në pushtet.

Në Ligjin për arsim të lartë, përmes amendamenteve nuk do të mundemi ta rregullojmë çështje e buxhetit. Ka amendamente të cilat kërkojnë rritjen e buxhetit, por përsëri është e vështirë të ndërhyhet në ligj. Sido qoftë, ka nevojë për rritjen e buxhetit në arsimin e lartë – deklaroi Zekir Ramçilloviq, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli vlerëson se kjo ndodhë qëllimisht. Sipas tij, buxheti është diskriminues si për UT-në ashtu edhe për UEJL-në.

Nuk kemi qasje të njëjtë, veçanërisht tek financimi i tyre. Dihet se veprimtaria e institucioneve publike varet nga financimi shtetëror. Ata nuk financohen nga burime të veta, ose burimet vetanake janë të vogla dhe gjithë veprimtaria varet nga financimi shtetëror. Kjo mund të shihet edhe nga buxhetet mes vitesh. Të bëni një krahasim me UT-në dhe atë Universitetin e Shtipit, dy universitete që janë krijuar vonë dhe do të shihni një disbalancë shumë të madhe për investimet që ndodhin tek këta universitete. Askush nuk mund të thotë se kjo nuk ndodh rastësisht, sepse në UT mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe ndërsa në Shtip në gjuhën Maqedonase – tha Fadil Zendeli, deptet i Lëvizjes Besa.

Buxheti vazhdon të jetë diskriminues. Këtë vit, ministria e Financave ka paraparë buxhet më të madh për Universitetin Shën Kirili dhe Metodi ndërsa buxhet më të vogël për Universitetin e Tetovës. Për dallim nga 2017, për vitin 2018 Universiteti Shkupit do të ketë 8.5 për qind buxhet më të madh ose thënë në shifra 1.352.174 mijë dënarë. Universiteti Tetovës, për dallim nga 2017, këtë vit ka buxhet më të vogël për 53 milion denarë, ose thënë në shifra 330.346 mijë denarë nga 383 milion sa e kishte një vit më parë. Krahasuar me Universitetin Shën Kirili dhe Metodi, Universiteti i Tetovës për këtë vit ka buxhet gati 5 herë më të vogël.

Nevrij Ademi
nga Nevrij Ademi Prill 15, 2018 15:11

Publicitet


Moti sot
19°
20°
Wed
20°
Thu
22°
Fri
24°
Sat

ARKIVI I LAJMEVE