Byrek i Shpejtë Shtëpie me Petë të Gatshme dhe Djathë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 19 Mars, 2024 19:50

Byrek i Shpejtë Shtëpie me Petë të Gatshme dhe Djathë

Byreku, gatimi tradicional shekullor që na sjell ndër mend duart e gjysheve.

Ky gatim ka qënë pjesë e tryezave të shumë familjeve në çdo rast.

Ndonëse siç thamë kjo traditë është kaluar brez pas brezi mbetet gjithnjë e shijshme dhe shumë e përdorshme edhe në ditët e sotëme.

Shijet e byrekut janë të larmishme në varësi të zonës ku përgatitet apo shijeve të gjithësecilit.

Këto shije janë sofistikuar dhe ndryshuar me kalimin e kohës dhe e tillë është edhe receta e sotme.

Më i njohuri dhe i dashuri njëkohësisht është padyshim byreku me djathë.

Kjo për shkak të shijes së lehtë dhe të thjeshtë që ky kombinim ka.

Në këtë recetë AgroWeb.org do t’ju tregojë se si të përgatisni byrekun e gjysheve tuaj në pak minuta në shtëpi.

Byreku me petë të gatshme dhe djathë është sa i lehtë në përgatitje aq edhe i shijshëm dhe i veçantë.

Më poshtë gjeni të shpjeguar hap pas hapi se si t’a përgatisni atë shumë shpejt në shtëpitë tuaja.

Përbërësit

  • 1 pako me petë të gatshme
  • 500 gr djath i bardhë ose gjizë
  • 150 gr gjalp
  • 5 vezë
  • gjysmë gote ujë
  • një lugë sodë buke

Përgatitja

Për të përgatitur shpejt këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të zgjidhni një tavë drejtkëndëshe pak a shumë sa madhësia e petëve.

Hiqni ndërkohë petët e gatëshme nga paketimi dhe shtroni në tavë dy prej tyre.

Në një enë të thellë thërrmoni me duar të gjithë sasinë e djathit të bardhë dhe hidhni një grusht tek petët e para.

Mbulojeni atë me 2-3 petë të tjera dhe hidhni përsëri një grusht me djathë të thërmuar.

Bëjeni këtë derisa i gjithë djathi dhe petët të kenë mbaruar.

Kujdesuni të ruani 1-2 petë të fundit për të mbuluar byrekun, vendosini ato me kujdes sipër shtresës së fundit të djathit.

Pasi të keni mbaruar priteni byrekun tuaj në katrorë të barabartë me madhësi mesatare.

Ndërkohë në një enë hidhni të gjitha vezët dhe gjysmë gote uji të përzier më parë me një lugë sodë buke.

Trazojini të gjithë këta përbërës bashkë dhe hidhjani byrekut në të gjithë sipërfaqen e tij.

Bëni kujdes t’i shpërndani vezët në mënyrë të barabratë, tundeni pak tepsinë me duar në mënyrë që të marrë shijen e tyre i gjithë byreku.

Në një tigan shkrini sasinë e gjalpit dhe hidheni sërisht sipër byrekut duke vepruar siç bëtë me vezët.

Kujdesuni t’i hapni pak me thikë të carat mes petëve në mënyrë që të kullojë edhe gjalpi.

Sipas dëshirës mund t’a lini tavën 30 minuta në frigorifer në mënyrë që petët të thithin mirë gjalpin dhe vezët.

Futeni më pas të piqet në temperaturën 180 gradë për 25-30 minuta.

Mund t’a konsumoni të ngrohtë ose të ftohtë dhe t’a ruani në frigorifer./AgroWeb.org

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 19 Mars, 2024 19:50

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare