Çekia do t’i ndihmoj Maqedonisë së Veriut që pas NATO-s të hapen dyert e BE-së

Çekia do t’i ndihmoj Maqedonisë së Veriut që pas NATO-s të hapen dyert e BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ka pritur në takim homologun e tij çek, Tomash Petriçek, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku ministri i jashtëm çek paralajmëroi ratifikimin e Protokollit.

“Parlamenti i Republikës Çeke do ta ratifikoj Protokollin për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO këtë verë, ndërsa në vjeshtë vendi do të ulet në Londër bashkë me vendet tjera anëtare të Aleancës si anëtari i 30-të”, tha Petriçek.

Ai përgëzoi Dimitrovin për mbylljen e mosmarrëveshjes me Greqinë dhe theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës është shembull se si dy qeveri mund të zgjidhin një mosmarrëveshje shumëvjeçare.

Petriçek gjithashtu tha se Çekia do t’i ndihmoj Maqedonisë së Veriut në të gjitha sferat ku do t’i nevojitet çfarëdo ndihme, me qëllim që pas NATO-s të hapen edhe dyert për në BE.

Shefi i diplomacisë maqedonase tha se këtë vit shënohet 25 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke shtuar se vendet kanë afërsi, partneritet, miqësi dhe lidhje kulturore e historike.

Ministri Dimitrov informoi se sot përskaj nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes dy ministrive të jashtme, me kolegun e tij çek kanë biseduar edhe për rritjen e dialogut politik, bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

“Nënkuptohet se kemi biseduar shumë për NATO, unë jam i inkurajuar që edhe Çekia së shpejti do të jenë njëri nga vendet që do ta ratifikojnë Protokollin aderues”, tha Dimitrov, i cili theksoi se sot Lituania u bë vendi i tetë që ka nënshkruar Protokollin.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Mars 14, 2019 19:52
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.