Çka deklaruan kandidatët për president pas votimit

Çka deklaruan kandidatët për president pas votimit

Kandidati i opozitës shqiptare në zgjedhjet presidenciale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Blerim Reka ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës në shkollën fillore të Butelit, “Zhivko Brajkovski”.

Pas votimit, Reka u shpreh i bindur se këto zgjedhje do të dëshmojnë se RMV-ja është e përgatitur për nisjen e negociatave integruese me Bashkimin Evropian (BE).

“Sot është një ditë e madhe, dhe është një paralajmërim për një faqe të re të Maqedonisë në raport me Bashkimin Evropian. Shpresoj dhe jam i bindur se këto zgjedhje do të jenë të drejta, demokratike dhe të lira. Me këtë do të dëshmojmë se jemi të përgatitur për nisjen e negociatave anëtarësuese me Bashkimin Evropian”, tha Reka.

 “Këto janë zgjedhje të posaçme. Jo sepse unë jam kandidate dhe jo përse për herë të parë një grua ka gjasën të jetë presidente e Maqedonisë, por për shkak të kushtit. Ne duhet të dëshmojmë kapacitet evropian, reformues, demokratik dhe me zgjedhje të drejta dhe demokratike, kjo nuk është mjaft e zakonshme në shekullin 21, por shpresoj se do të dalim përfundimisht nga labirinti i tranzicionit dhe se do të hyjmë në tranzicion të demokracisë” deklaroi pas votimit Siljanovska-Davkova.

Ajo shtoi se është përpjekur që fushatën ta ngjyrosë në mënyrë femërore, me dituri, me përkushtim, me argumente, të dëshmojë se gratë kanë cilësi të posaçme dhe mënyrë të posaçme të menaxhimit të problemeve.

“Mendoj se ishte e suksesshme. Pres të hyj në rrethin e dytë. Nëse ndodhë të mos hyj, do të votoj për Rekën për shkak të profesionalitetit, kompetencës dhe orientimit qytetar”, tha Siljanovska-Davkova, duke shtuar se pret të fitojë në zgjedhje dhe të jetë gruaja e parë presidente e shtetit.

Në pyetjen e gazetarëve se çka do të bëjë me Marrëveshjen e Prespës nëse fiton, ajo tha se është profesoreshë e së drejtës evropiane dhe kushtetuese dhe se do ta respektojë.

“Unë jam e përkushtuar në sundimin e së drejtës, por do të bëj gjithçka është në fuqinë time të tregoj se disa nga zgjidhjet janë kundër jo vetëm Kushtetutës dhe të drejtës kushtetuese por edhe kundër ‘jus cogens’ apo normave të detyrueshme nga KB-ja”, tha Siljanovska-Davkova.

E pyetur për atë se çfarë marrëdhënie do të zhvillojë me Bullgarinë, tha se janë të shkëlqyeshme dhe theksoi se populli bullgar është i afërt me atë maqedonas. “Bullgaria ishte vendi i parë që na pranoi dhe unë pres ndihmë të jashtëzakonshme nga Bullgaria, jo vetëm në rrugën drejt mposhtjes së problemeve energjetike në Maqedoni, por në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Siljanovska-Davkova.

“Në fund të ditës, pres që të realizojmë fitore të bindshme e cila do të na japë mundësi që në rrethin e dytë zgjedhor, definitivisht ta marrim mbështetjen masive të qytetarëve, për rrugën që Maqedonia e Veriut e kalon në dy vitet e fundit, a ajo është më larg izolimit dhe më afër Evropës në të cilën realisht përkasim”.

Kështu deklaroi kandidati presidencial i koalicionit qeveritar, Stevo Pendarovski, pasi e realizoi të drejtën e tij të votimit në lagjen Autokomandë, raporton Portalb.mk.

Ai shtoi se pret që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë të mirë, ashtu siç i ka hije një shteti evropian.

“Pres ditë të qetë zgjedhore, në fakt ashtu siç i ka hije një shteti demokratik evropian, pres dalje të latë pasi që qytetarët e dinë se nuk bëhet fjalë për zgjedhje individuale, por për zgjedhje të konceptit, sipas të cilit Republika e Maqedonisë së veriut duhet të vazhdojë më tej të zhvillohet dhe për një periudhë të shkurtër duhet të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike”, shtoi Pendarovski. FLAKA

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 21, 2019 19:33
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.