Debati në Këshillin Evropian, shpresa të zbehura për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Debati në Këshillin Evropian, shpresa të zbehura për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Në vigjilje të takimit të ardhshëm të liderëve të BE-së që do të mbahet sot dhe nesër, sinjalet që vijnë nga aktorët kryesorë të politikës evropiane, nuk janë optimiste, shkruan Agjencia e Lajmeve Flaka 

Presidenti Macron i vlerësoi përparimet e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por këtë herë do të zgjasë pak më gjatë deri sa të fillojnë negociatat, tha ai. Macron, i cili deri më tani, kundërshtimin e tij e kishte argumentuar me thellimin e BE para zgjerimit, pranoi në konferencën e shtypit me Merkel edhe arsye të brendshme që e bëjnë Francën të hezitojë. Shqiptarët përbëjnë grupin e dytë më të madh të azilkërkuesve në Francë, në këto kushte është e vështirë t’i shpjegosh  popullit, se duhen filluar negociatat me këtë vend, tha Macron.

Kancelarja gjermane Angela Merkel sot paradite gjatë fjalimit të saj në parlamentin gjerman në Berlin, ka përsëritur qëndrimin se vendi i saj mbështet perspektivat evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Kishte përpjekje që të binden vendet anëtare të BE-së të cilat edhe më tej kanë dilema. Ata vende dëshirojnë që procesin para-qasës ta bëjnë më transparent. Sido që të jetë, shanset për një vendim unanim në Samitin e BE-së i cili fillon sot pasdite, nuk janë të mira”, tha Merkel.

Analsiti dhe gazetari kosovar, Xhevdet Pozhari në një prononcim të tij për Agjencinë e lajmeve Flaka, shprehet që: “Problemi i vendeve tona nuk qëndron gjithaq në përceptimin që ka pjesa tjetër e Evropës për ne, por tek fakti se u bënë shtete të pabanueshme për rininë”.

“Shikuar nga ky këndvështrim, fatkeqësia e këtyre vendeve nuk është pse ato nuk i do BE-ja, por pse nuk i duan as banorët e tyre. Andaj, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut më shumë sesa që kanë probleme me perëndimin, kanë me vetveten. Këto dy vende, njësoj si edhe Kosova, përpiluan ligje dhe rend shoqëror sipas direktivave të Bashkimit Evropian, por të cilat nuk gjejnë zbatim në praktikë. Këto shtete harruan se nuk duhesh të shkosh në Evropë, por duhet të bëhesh Evropë”, shprehet Pozhari, i cili më tej nënvizon që nga një këndvështrim tjetër, nuk duhet harruar se ne e idealizuam BE duke mos e vërejtur se ajo ka dystandardet e saj, se edhe në atë Evropë të hapur dhe humane shumëçka është e mbyllur dhe nuk vlen për të gjithë.

Analsiti Xhelal Neziri shprehet për Flaka që përderisa shumica e vendeve anëtare të BE-së përkrahin hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ka shumë gjasa që të ketë një vendim pozitiv nga ana e Këshillit Evropian.

“Nëse këto vende që janë në favor të fillimit negociatave janë të udhëhequra nga Gjermania, atëherë gjasat janë edhe më të mëdha. Por, në BE vendimet merren me konsensus, e jo me shumicë votash. Aty mund një vend anëtar si Malta me vetëm 500 mijë banorë të bllokojë një vendim të përkrahur nga një Gjermani me 80 milionë banorë. Sidoqoftë, vendimi i mundshëm negative për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të rënonte besimin e BE-së në Ballkan, gjë që mund të reflektohet negativisht edhe në procesin e arritjes së Marrëveshjes Kosovë-Serbi. Poashtu do të forconte edhe më shumë nararivat anti-BE që burojnë nga vendet e Lindjes e që kanë për qëllim të forcojnë praninë në Ballkan vetëm për interesat ekskluzive të tyre, ndërkohë që do të zhbëjnë perspektivën për një rajon të zhvilluar, të qetë dhe demokratik”, shprehet Neziri në prononcimin për Agjencinë e lajmeve Flaka.

Sakaq, analisti Sefer Selimi, shprehet që: “BE nuk e ka komoditetin e plotë që ti injoroj dinamikat gjeo-politike në pergjithesi dhe ne Ballkanin Perendimor në veçanti.

“Ndërhyrjet e vendeve të treta dhe situata e re qe po krijohet ne Siri, besoj që do të impenjon racionalitet edhe tek presidenti Makron dhe RMV dhe Shqipëria do të marrin datë për hapjen e negociatave. Vendet e Ballkanit Perendimor edhe në rast të mos marrjes së datës, duhet patjetër të insistojnë në thellimin e reformave dhe vazhdimin e procesit te integrimit si alternativë e vetme që sjell mirëqenie të  qëndrueshme për qytetarët”, shprehet për Agjencinë e lajmeve Flaka analsiti Seferi.

Këshilli Evropian sot dhe nesër, mes tjerash do të debatoj rreth zgjerimit dhe për procesit të stabilizim asociimit lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Flaka

Driton Zenku
nga Driton Zenku Tetor 17, 2019 11:42

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA