Edhe pas rezultatit negativ nga takimi në KE, aspirata për BE ngelet

Edhe pas rezultatit negativ nga takimi në KE, aspirata për BE ngelet

Pas dështimit të marrjes së datës për fillimin e negociatave me BE-në nga ana e Këshillit të Evropës, po vijnë shkëndi shprese për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë, pikërisht nga përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe shtete të unionit, shkruan Agjencia e lajmeve Flaka. 

Kështu, koalicioni qeveritar gjerman CDU/CSU konsideron se rruga e BE-së mbetet e hapur për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë edhe krahas verdiktit negativ nga mbledhja e javës së kaluar të Këshillit të BE-së në lidhje me hapjen e bisedimeve aderuese me të dy vendet.

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johan Vaderful dhe raportuesi parlamentar Kristian Shmit, u bënë thirrje Shkupit dhe Tiranës që të  vazhdojnë me reformat dhe t’i bindin të gjithë që dyshojnë se vendi i tyre është në BE.

“U bëjmë thirrje dy shteteve që ta kuptojnë votimin negativ të Këshillit Evropian si nxitje që t’i vazhdojnë të gjitha orvatjet reformuese. Nëse dy vendet mbeten në kurs, Parisi nuk do të mund t’i ndalojë negociatat për aderim për herë të dytë. Gjermania e mbështet dhe qëndron prapa perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thotë Vadeful.

Kristian Shmit, konsideron se vendimi negativ i Këshillit Evropian duhet me kohë të shqyrtohet.

“Rruga e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe lidhjet me Bashkimin Evropian nuk guxojnë të jenë të bllokuara. Ne qëndrojmë të bindur se në BE ka vend për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nëse i plotësojnë kriteret. Kjo përfundimisht përfshin edhe fillim të bisedimeve aderuese. Duhet të pranohen arritjet e vendeve – ndryshimi i emrit dhe reforma gjithpërfshirëse e gjyqësisë, ndërsa ato duhet të vazhdojnë t’i zbatojnë reformat dhe t’i mënjanojnë mungesat. Nëse BE-ja nuk kujdeset për Ballkanin Perëndimor, forca tjera do ta bëjnë sferë të tyre të ndikimit. Ndërsa, askush me të vërtetë nuk e dëshiron këtë”, thotë Shmit, në deklaratën e publikuar në ueb faqen e CDU/CSU.

Edhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini vlersoi se prolongimi i vendimit të Këshillit Evropian për çelje të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, jo vetëm që është një mundësi e lëshuar, por edhe gabim historik.

Duke mbledhur rezultatet nga mbledhjet e javëve të kaluara të BE-së në Bruksel, Mogherini në blog-tekstin e saj me titull “Dy vendime, një gabim”, potencon se shefat e shteteve dhe qeverive e kanë prolonguar vendimin edhe përskaj përparimit të jashtëzakonshëm që e kanë arritur të dyja vendet dhe propozimit pozitiv nga Komisioni Europian.

“Kjo është më shumë se një mundësi e humbur, është gabim historik që shpresoj që shumë shpejtë do të përmirësohet”, thotë Mogherini.

Për dallimi nga “gabimi” ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Mogherini si të mira i ka vlersuar vendimet e liderëve evropian për Brexit dhe intervenimin ushtarak të Turqisë në Siri.

Sinjale pozitive dhe shpresdhëse vijnë edhe nga faktori i brendshëm. Pas rezultatit negativ nga takimi në Këshillin e Evropës në Bruksel, liderët politikë në shtet u pajtuan se nuk ka alternativë tjetër përveç eurointegrimeve, por edhe caktuan zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill. Ata në takimin e liderëve që u mbajt me iniciativë të presidentit Stevo Pendarovski u morën vesh se duhet të vazhdohen proceset eurointegruese në shtet, ndërsa datën e zgjedhjeve e përcaktuan me koncensus duke e pasur parasysh procesin e ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të vendit në NATO.

“Ne kemi një konsensus të qartë shtetëror nga liderët politikë relevantë në vendin tonë, ata mbështesin idenë se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të fillojë këto negociata sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’i përfundojë ato sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të bëhet një anëtare e barabartë. Të gjithë në takim pajtohen që ne nuk kemi asnjë problem me një metodologji të re dhe të përmirësuar për zhvillimin e negociatave të pranimit. Të gjithë të pranishëm në takim thanë se nuk kanë asnjë problem nëse metodologjia e re nënkupton kthyeshmërinë e procesit, do të thotë të rikthehet një kapitull kur ai është mbyllur, nëse tendencat në atë sferë janë negative, ata mund të kthehen lirshëm, madje edhe në fillimin e procesit. Ne nuk kemi asgjë për t’u frikësuar, është në interesin tonë dhe në interes të qytetarëve tanë, tha Pendarovski pas përfundimit të pjesës së parë të takimit.

Qëndrimin se nuk ka alternativë tjetër për shtetin përveç eurointegrimit e vërtetuan në deklaratat e tyre edhe të gjithë liderët e partive politike të cilët morën pjesë në takimin e liderëve.

Sipas tyre, zgjedhjet janë të pashmangshme dhe shpresojnë se qytetarët do të thonë se në cilin drejtim do të lëviz shteti në të ardhmen. Shfaqën shpresë se zgjedhjet do të jenë korrekte dhe demokratike.

“Besoj se qytetarët me mençuri do të sjellin vendim me të cilin do ta trasojnë rrugën nëpër të cilën ne politikanët, të cilët do të marrim përkrahje, do ta udhëheqim shtetin tonë, deklaroi kryeministri dhe lider i LSDM-së Zoran Zaev, i cili të shtunën e dha propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Për liderin e opozitës Kristian Mickoski, zgjedhjet janë të pashmangshme pas gjithë asaj që ndodhi në vend. Pas zgjedhjeve, siç tha, do të vijojë rilindja e shtetit dhe puna e pakompromis me qëllim që “Maqedoninë ta vendosim në rrugë të shpejtë”.

“Është e rëndësishme se kemi realitet të ri. Realiteti është se më 3 janar të vitit 2020 do të kemi kryeministër të ri teknik, do të kemi qeveri të re teknike, ndërsa më 12 prill 2020 do të kemi fitues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa kjo do të jetë, jam i sigurt, Rilindje për Maqedoninë”, deklaroi Mickoski.

Sipas liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, është e rëndësishme që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të jenë demokratike dhe të fitojë më i miri.

“Biseduam në detaje për momentin më të mirë të mundshëm për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjithashtu, vlerësuam se në interes tonin të përbashkët është që të presim që të ratifikohet Protokolli për NATO nga vendet anëtare, të cilat ende nuk e kanë ratifikuar dhe gjithashtu u morëm vesh që edhe Kuvendi ynë ta ratifikojë Protokollin dhe ta miratojë Ligjin për Mbrojtje. Pasi i shqyrtuam të gjitha argumentet, bashkërisht vendosëm që t’i mbajmë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill të vitit të ardhshëm”, deklaroi Ahmeti.

Edhe partnerët e koalicionit të LSDM-së janë të pajtimit se duhet të vazhdojë evropianizimi i shtetit edhe krahas rezultatit negativ nga Brukseli. Në takimin e sontëm të kryeministrit dhe liderit të LSDM-së në selinë e partisë me partnerët e koalicionit, ata e mbështetën vendimin më 12 prill të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Zaev pas takimit deklaroi se beson se do të marrë mandat të pastër dhe shprehu optimizëm se ka kohë të mjaftueshme që gjatë periudhës së ardhshme të realizohen një pjesë e madhe e masave tashmë të paralajmëruara.

“Për realizimin e asaj që nuk është realizuar deri më tani ka periudhë të mjaftueshme që të realizohen në thuajse gjashtë muajt vijues deri në zgjedhje. Kështu të fokusuar vazhdojmë t’u shërbejmë qytetarëve. Ne jemi liderët e qytetarëve të cilët e dimensionojnë të ardhmen e Republikës së Maqedonis së Veriut në rrugën e drejtë nëpër të cilën na njohu BE-ja dhe SHBA-ja dhe e gjithë bota demokratike, rruga për të cilën dëshmuam se është e mundur të gjendet pas këtyre 28 viteve pavarësi. Besojmë se qytetarët do të qëndrojnë fuqishëm në këtë përcaktim duke i dhënë mbështetje një mandati të pastër me të cilin do t’i vazhdojmë këto politika”, tha Zaev. Flaka 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 21, 2019 10:09

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA