Ekonomia e Maqedonisë shënon rënie

Ekonomia e Maqedonisë shënon rënie

Ekonomia e Maqedonisë ka shënuar rënie në gjashtë muajt e parë të vitit, duke rrezikuar futjen e vendit në recesion. Rënia më e madhe është regjistruar në tremujorin e dytë, por rritje negative ka pasur edhe në tremujorin e parë.

Qeveria e Maqedonisë i pranon këto të dhëna, por thuhet se masat që janë ndërmarrë kanë të bëjnë me grumbullimin e më shumë të ardhurave në buxhet.

Kryeministri Zoran Zaev, ka thënë në një intervistë për mediat nacionale se gjatë kësaj periudhe tremujore të qeverisjes së tij nuk ka pasur reforma tatimore, pasi Qeveria, siç ka thënë ai, është fokusuar në “kthimin e lirisë politike, por edhe të asaj ekonomike në vend”.

Bazuar në të dhënat zyrtare, ekspertët thonë se këtë vit projektimet ekonomike jo që nuk do të realizohen, por gjasat janë që gjendja të mbetet e njëjtë apo edhe të përkeqësohet.

“Kemi një rritje negative prej minus 1.8 për qind në tremujorin e dytë dhe 0.8 për qind në tremujorin e parë. Kjo nënkupton se recesionin e kemi në prag të derës. Sigurisht se duhet të bëhet edhe një rivlerësim për Bruto Prodhimin Vendor pasi që rritja prej 2.2 për qind do të jetë e pamundur”, thotë Nebi Hoxha, drejtues i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

“Rrjedhimisht, ne do të ishim të kënaqur për këtë vit nëse arrijmë rritjen prej 0.7 deri në 1 për qind të Bruto Prodhimit Vendor”, thekson Hoxha, njofton REL.

Sipas tij, ulja më e madhe është regjistruar në sektorin e ndërtimtarisë. Ai thotë se ekonomia vendore edhe më parë ka qenë e pazhvilluar dhe se rezultatet e prezantuara nga qeveria e kaluar nuk kanë qenë reale.

Nevrij Ademi
nga Nevrij Ademi Shtator 13, 2017 18:57

MARKETING

NA NDIQNI NE FACEBOOK

MOTI SOT
26°