Emigrantët e Ballkanit – Nostalgjia, angazhimi politik dhe ndihmat financiare!

Emigrantët e Ballkanit – Nostalgjia, angazhimi politik dhe ndihmat financiare!

Në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi vijnë sasi rekord të parave nga diaspora. Po sa janë migrantët e këtyre vendeve vërtet të lidhur me vendlindjen dhe a janë të angazhuar ata politikisht?

„Shumë prej nesh mendojnë që një ditë të kthehen në vendlindje”, thotë Adnan Berberoviq nga B-H, i cili plot 25 vjet jeton në Suedi. “Shumë njerëz kthehen kur dalin në pension. Por a ia vlen të prisni pleqërinë për të realizuar këtë ëndërr?”, shton ai.

Berberoviq është një prej atyre i cili nuk do të pres pensionin. Si bashkëpronar i firmës për konsultime SEEBA nga Stockholmi, ai ka hapur një zyrë edhe në Sarajevë. Ai vetë megjithatë nuk është kthyer në Bosnje, ndërkohë që hapja e firmës i ka motivuar dy bashkëpunëtore të tij të shkojnë dhe jetojnë në Sarajevë. “Janë dy motra, të cilat kanë lindur në Suedi dhe tani kanë shkuar në Sarajevë”, thotë Adnani.

B-H megjithatë ka probleme shumë të mëdha me papunësinë dhe largimin e njerëzve. Agjencia për statistika kumtoi se nga B-H janë larguar në periudhën prej vitit 2008-2018 rreth 250.000 persona. Ministria për të Drejtat e Njeriut pohon se aktualisht jashtë B-H jetojnë rreth 1,7 milionë shtetas të këtij vendi, por mendohet se numri e kalon shifrën prej dy milionë. Ndërkohë që në B-H jetojnë sipas të dhënave nga regjistrimi i vitit 2013 rreth 3,5 milionë banorë.

Adnan Berberoviq

Angazhimi i disporës

Ata që lëshojnë vendin thonë se qëllimi i tyre është mbështetja e zhvillimit të vendit të tyre. Emir S. i cili jeton në Vjenë plot 14 vite thotë: “Miqtë e mi dhe unë kemi dashur të kontribuojmë për zhvillimin e B-H, ndaj kemi vendosur të investojmë në arsimin e të rinjve”. Ata kanë nisur një iniciativë për financimin e studentëve në Universitetin e Tuzlës si dhe nxënëse në gjimnazin‚ Mesha Selimoviq‘.

Në bashkëpunim me Fondacionin e Tuzlës, Emiri dhe dhjetë persona të tjerë kanë ndihmuar pesë studentë, të cilët këtë vit do të marrin nga 150 Marka Konvertibile në muaj (rreth 75 Euro). Ata mbledhin para dhe blejnë dhurata edhe për fëmijët e varfër në B-H. “Vjena nuk është larg dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë për më shumë ndihma”, thotë Emiri, i cili nuk do të zbulojë mbiemrin e tij. “Angazhimet e këtilla nuk duhet të përdoren për promovime personale. Të gjithë që e duan vendin e tyre përpiqen të ndihmojnë, ndaj mendoj se kjo është e vetëkuptueshme”, thotë Emiri.

Vitin e kaluar ai ka votuar në zgjedhjet lokale. “Diaspora duhet të votojë. Shoqëria në B-H është robe e strukturave të atjeshme politike ndaj ne që jetojmë jashtë dhe kemi parë se si funksionojnë shtetet demokratike, më së miri mund të bëjmë dallimet mes forcave progresive dhe destruktive politike”, pohon ai.

Gjimnazi “Mesha Selimoviq”

Emiri nuk përjashton as mundësinë e kthimit në vendlindje, nëse krijohet një frymë e shëndetshme politike, ku vlerësohen dituria dhe puna. “Do të punoja për më pak para atje. Por realisht, nuk duket se kjo frymë do të krijohet shpejt”.

Lidhjet me familjarët

Danijela Mitroviq (32) nga Novi Sadi i Serbisë jeton në Bon më shumë se pesë vite. Sikur Emiri edhe ajo ka lidhje të veçanta me vendlindjen. Ajo shkon shpesh atje për vizitë.

„Shkoj edhe për votime në Serbi. Kam shkuar edhe në protesta dhe njihem me të gjitha zhvillimet atje” shpjegon ajo në bisedë me Deutsche Wellen. Danijela mendon se në veçanti është e rëndësishme që diaspora të votojë, sepse kështu mund të vendosë edhe për zhvillimet në vendlindje. “Me rëndësi është që Serbia dhe Gjermania të kenë raporte të mira, për shkak të çështjeve administrative dhe njerëzve që jetojnë në Serbi.”  E pyetur se cili është vendi më i rëndësishëm në jetën e saj, ajo përgjigjet: Serbia ende.

Por jo të gjithë janë të angazhuar në vendlindje sikur Danijela. Shumë të tjerë kanë vetëm nostalgji për  vendlindjen, kujtojnë kohërat e mira dhe pushimet. Emir Haxhimujagiq nga B-H thotë se një pjesë të madhe të jetës e ka kaluar në Kroaci. Sot jeton në Mynih dhe nuk mendon se duhet të angazhohet politikisht apo në ndonjë formë tjetër në vendlindje.

„Emocionalisht jam shumë i lidhur me Kroacinë dhe B-H. Por nuk votoj dhe nuk shoh ndonjë kuptim të angazhimit atje. Lidhja e vetme me vendlindjen janë familjarët dhe miqtë”, thotë ai për DW.

Emiri me të dashurën e tij viziton shpesh Sarajevën dhe Zagrebin, ndërsa pushimet i kalon në Kroaci. Prindërit e të dashurës së tij jetojnë në Gjermani që nga vitet 60-të. Ata nuk interesohen fare për gjendjen politike në vend dhe në Ballkan.

Diaspora serbe dërgon rreth 3,1 miliardë euro në vit

Emiri dhe e dashura e tij

Darko Janjeviq nga Serbia merret me situatën politike në vend, sepse këtë e ka pjesë të punës. Por sa më gjatë jeton në Gjermani, aq më të dobëta janë lidhjet me vendlindjen. “Në Serbi kam blerë një apartament dhe rregullisht dërgoj para. Por lidhjet me miqtë janë gjithnjë e më të dobëta, sepse jeta ime po zhvendoset gjithnjë e më shumë në Gjermani”, thotë gazetari Janjeviq.

“Dua të kem të drejtën e votës në zgjedhjet e Serbisë, por duket se kjo nuk është në interesin e qeverisë aktuale, ndaj edhe procedura është shumë e komplikuar”, shpjegon Darko. Ai mendon se diaspora duhet të ketë të drejtën e votës, “sepse ajo ndër tjera dërgon edhe shuma tepër të mëdha parash në vendlindje”.

Në Serbi, B-H dhe Kroaci dërgohen shuma të mëdha parash. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore në B-H, në vitin 2017 janë dërguar nga diaspora rreth 2,61 miliardë MK. Diaspora kroate ka dërguar rreth 2,12 miliardë Kuna. Ndërsa Banka Popullore e Serbisë pohon se diaspora e këtij vendi ka dërguar në vendlindje gjatë vitit 2018. rreth 3,1 miliardë euro. Këto janë shuma rekorde në të tri vendet, ndërkohë që ekspertët thonë se shumat janë dyfish më të larta, sepse ato në vendlindje dërgohen përmes kanaleve joformale.

Adnan Berberoviq mendon se migrantët nuk duhet të heqin dorë nga vendlindja e tyre, pavarësisht vështirësive. “Në Ballkan ka shumë probleme, të cilat mund të ta zhdukin motivimin për angazhim. Megjithatë ata duhet të shfrytëzojnë përparësitë e Ballkanit dhe Perëndimit dhe të ndihmojnë vendlindjet e tyre, me qëllim rritjen ekonomike. Bota e sotme digjitale mundëson përfitime ekonomike pavarësisht vendndodhjes”, mendon ai.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shkurt 5, 2019 09:45

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.