Emri i ri i shtetit, nisin ndryshimet. Edhe Komisioni Evropian po përgatitet

Emri i ri i shtetit, nisin ndryshimet. Edhe Komisioni Evropian po përgatitet

Në ndërtesën e Qeverisë ka filluar heqja e mbishkrimeve dhe korrigjimi i tyre, duke i zëvendësuar me emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Ky veprim pason pas hyrjes në fuqi të plotë të Marrëveshjes së Prespës, pasi që Kuvendi grek i dha dritë jeshile Protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO, informon INA. Shkonjat “Qeveria e Republikës së Maqedonisë” janë hequr nga fasada në hyrje të godinës, dhe se do të shtohet emri i ri.

Ndryshimet pritet të pasojnë edhe me heqjen e tabelës kryesore, e cila duhet të përmbajë po ashtu emrin e ri , por duhet të jetë e shkruar edhe në gjuhën shqipe, konform Ligjit për gjuhët.

Sakaq, Komisioni Evropian po përgatitet për disa ditë të fillojë ta përdorë emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Pas do të dyja vendet e kanë ratifikuar marrëveshjen, Komisioni Evropian pret të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara midis Shkupit dhe Athinës për hyrje në fuqi të përdorimit të emrit të ri në institucionet evropiane. Maqedonia duhet tani t’i njoftojë Kombet e Bashkuara dhe të gjitha organizatat rajonale dhe ndërkombëtare se Marrëveshja e Prespës ka hyrë në fuqi dhe të kërkojë prej tyre ta përdorin termin “Maqedonia e Veriut”.

Sipas burimeve diplomatike, KE-ja pret njoftim nga Shkupi deri të mërkurën e kësaj jave, paralelisht me njoftimin deri te KB-ja.

Megjithatë, disa punë nuk janë sqaruar deri në fund, informojnë nga KE-ja, gjegjësisht është e paqartë nëse ndryshimi i termit do të ndodhë menjëherë apo nëse do të pritet vendimi i Kolexhit të komisarëve apo megjithatë të Këshillit për punë të jashtme të BE-së, të paraparë më 18 shkurt, ku me konkluzionet do të mund të miratohet përdorimi zyrtar i emrit të ri nga ana e ministrave të punëve të jashtme të BE-së. Edhe në Këshill edhe në Komision punohet në përcaktimin e procedurave, informojnë nga këto institucione.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shkurt 11, 2019 09:46
In Memorial

ARKIVI I LAJMEVE