Ëndrra për jetë më të mire e zbraz shtetin

Ëndrra për jetë më të mire e zbraz shtetin

Anketa e fundit e Qendrës për Hulumtimin dhe Krijimin e politikave tregon se bile 77 për qind e të rinjve në shtet mendojnë të shpërngulen jashtë dhe atë kryesisht në shtetet e Bashkimit Evropian. Përvojat e disa shteteve të reja anëtare të BE-së si Kroacia dhe Bullgaria kanë treguar se edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk kanë ndalur rrjedhat negative të ikjes së popullatës nga këto shtete.

Viteve të fundit në Maqedoni po shënohet ulje e vazhdueshme e numrit të nxënësve në klasat e para në tërë shtetin , trendi në rritje i të rinjve që të dëshpëruar me situatën ekonomike dhe shoqërore po ikin jashtë, si dhe rritje e numrit të fëmijëve të mërgimtarëve që linden jashtë vendlindjes. Të dhënat tregojnë se në vitin 2017 janë lindur 4829 fëmijë jashtë shtetit , që është për 1408 më shumë se numri i foshnjave të lindur jashtë në vitin 2009.

Nga ana tjetër, jo vetëm që në periudhën e fundit po rritet numri i mërgimtarëve të cilëve fëmijët ju rriten jashtë në vend në vendlindje, por edhe anketat e fundit tregojnë se pjesa dërmuese e të rinjve e kanë mendjen të blejnë biletën në një drejtime.

Anketa e fundit e Qendrës për Hulumtimin dhe Krijimin e politikave tregon se bile 77 për qind e të rinjve në shtet mendojnë të shpërngulen jashtë dhe atë kryesisht në shtetet e Bashkimit Evropian.

“ Kushtet jo të mira të jetesës apo cilësia e pakënaqshme e jetesës si dhe atmosfera e përgjithshme ekonomike politike e apatisë dhe pasigurisë në mënyrë shtesë i detyron të rinjtë të mendojnë në këtë mënyrë “ konstaton analiza.

Edhe analizat e tjera siç është ajo e Fondacionit Fridrih Ebert për vitet 2018 dhe 2019 tregojnë se për gjysmën e të rinjve shkaku kryesor i mërgimit është mirëqenia më e madhe , ndërsa shteti më i preferuar për të ikur jashtë është Gjermania.

“ Për 48.3 për qind të rinjve si shkak kryesor i mërgimit theksohet përmirësimi i standardit jetësor, i pasuar me pagën më të lartë me afër 18 për qind, dhe mundësitë më të mira për punësim me 11 për qind si dhe arsimimin më të mirë me 11 për qind. Shkaqet e tjera në pesë për qind të rasteve janë stabiliteti politik dhe social në vend, njohja me kulturat e tjera, ikja nga situata e pavolitshme, mundësitë më të mira për fillimin e biznesit etj”, konstaton analiza.

Ilina 19 vjeçare thotë se punësimi dhe pagat e vogla që nuk mjaftojnë për pavarësim janë problemet më të mëdha për të rinjtë.

“ Krahas problemeve me të cilat ballafaqohet çdo i ri në shtet , një pjesë e madhe e të rinjve në vend ballafaqohen edhe me paragjykime dhe diskriminim të natyrës gjinore, nacionale , për shkak të orientimit seksual apo për shkak të mundësive financiare “, thotë Dritani 17 vjeçar.

Nga ana tjetër, Bojani 25 vjeçar thotë se lufta që të rinjtë të gjejnë vendin e tyre në shoqëri paraqet problemin e tyre më të madh në ditët e sotshme

“ Duke marrë parasysh se civilizimi perëndimor në një pjesë të madhe ndikon përmes filmave të Holivudit dhe rrjeteve sociale për atë se si duhet të duket jetesa ideale, atëherë të rinjtë vetëm shikojnë se si në çfarëdo mënyrë të arrijnë deri të mirat materiale pa u lodhur për to, me të vetmin qëllim që të lëvdohen në rrjetet sociale, ndërsa nga ana tjetër nuk ekziston një motiv i vërtetë i individit që të investon në diçka me të vetmin qëllim që të arrijë përmirësim personal ose të shoqërisë ku bën pjesë”, shton ai.

Në ndërkohë ekspertët thonë se problemi i mërgimit të të rinjve është i ndërlikuar, jo vetëm për të zgjidhur por edhe për ta zbutur.

“ Në kushte e një globalizimi dhe botës së hapur i mundësohet individit që lehtë të pozicionohet në botën e jashtme, andaj është vështirë është që një njeri që punon këtu ta ndalësh që ta ushtrojë të njejtin zanat në Gjermani . Në kushte kur dikujt i ofrohet mundësia të punojë jashtë në çfarëdo lloj profesioni , ai ka një motiv shumë të vogël që të mbesë këtu. Situata mund të ndryshojë nga pak nëse atij këtu i krijohen kushtet që mund të maten në disa aspekte me ato të Gjermanisë”, thotë profesori universitar Ilija Acevski.

Përvojat e disa shteteve të reja anëtare të BE-së si Kroacia dhe Bullgaria kanë treguar se edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk kanë ndalur rrjedhat negative të ikjes së popullatës nga këto shtete.

Ish ministrja e jashtme dhe deputete e Glas në Parlamentin Kroat, Vesna Pusiq thotë se qytetarët ikin nga Kroacia si rrjedhojë e kushteve më të mira të punës dhe jofunksionalitetit të shtetit.

“ Hulumtimet tregojnë se 30 për qind e qytetarëve kanë ikur për shkak të pagave dhe vendeve të punës, ndërsa 70 për qind për shkak mos funksionimit të shtetit në forma të ndryshme ,siç janë nepotizmi, klientelizmi, punësimi përmes lidhjeve , mos funksionimi i gjyqësorit apo mos respektimi i ligjit”, thekson Pusiq.

Nga ana tjetër, analizat e Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim tregojnë se gjashtë milionë njerëz kanë ikur nga Ballkani Perëndimor, ndërsa një problem i veçantë i migrimit është se më shumë ikin kuadrot me arsim të lartë në raport me kuadrot me shkathtësi dhe dituri mesatare. Sipas drejtorit të BERZH-it, Suma Çakrabarti, migrimet e fuqisë punëtore të kualifikuar kanë ndikim negativ ndaj produktivitetit në rajon, ndërsa edhe ikja e fuqisë punëtore me kualifikime më të ulëta rrezikon rritjen ekonomike të këtyre shteteve.

“Një e treta apo gati gjashtë milionë banorë nga Ballkani Perëndimor kanë emigruar jashtë të motivuar nga dallimet në paga, si dhe nga pakënaqësitë me gjendjen politike dhe ekonomike. Kjo paraqet problem serioz për këtë rajon, për shkak se talentet e tyre i shfrytëzojnë shtetet e tjera. Njëherazi, përkundër dërgimit të remitancave, këto vende nuk kanë ndonjë ndikim në zhvillim”, thotë Çakrabarti. Sipas tij, zgjidhja e këtij problem është mjaft e ndërlikuar, për shkak se ndërlidhet jo vetëm me rritjen e pagave, por edhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës në nivel lokal dhe kombëtar. Nga ana tjetër, hendekun e madh midis standardit më të ulët në shtetet e rajonit në raport me perëndimin mund të përmbyllet në periudhën e ardhshme me avancimin e funksionimit të institucioneve demokratike si dhe përmirësimin e klimës së biznesit. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Gusht 13, 2019 20:40
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.