ESHS: Kuvendi do të vendos se cilat pyetje do të parashtrohen në regjistrimin e popullsisë

ESHS: Kuvendi do të vendos se cilat pyetje do të parashtrohen në regjistrimin e popullsisë

Zgjidhjen përfundimtare në lidhje me atë se cilat pyetje do të parashtrohen gjatë realizimit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 do ta miratojë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me miratimin e Ligjit për Regjistrim, theksojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) duke i hedhur poshtë të gjitha si spekulime vlerësimet se regjistrimi i radhës i popullsisë do të jetë pa grafën etnike, njofton Portalb.mk.

Në kumtesën e ESHS-së thuhet se në procesin e përgatitjes së regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoni, ata gjatë vitit të kaluar kanë filluar debat të gjerë në lidhje me zgjidhjet ligjore për çështjet që kanë të bëjnë me regjistrimin, por edhe me aspektet teknike organizuese të regjistrimit.

“Në këto debate, ESHS-ja, si institucion profesional në fushën e statistikës dhe i vetmi kompetent për zbatimin e regjistrimit të popullsisë, i ka dhënë propozimet e saja, në mesin e të cilave ishte edhe që formulari për regjistrim të mos e përmbajë pyetjen për përkatësinë etnike. Ky propozim është futur në propozim-ligjin për regjistrim i cili u vendos në debat publik, ndërkaq tani është dorëzuar deri te institucionet relevante për vërejtje dhe sugjerime”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Megjithatë, edhe për skaj rekomandimeve të ESSH-së, që të mos ketë grafë etnike, kjo mund të ndryshohet në Kuvend me amendamente, nëse partitë politike vendosin që të ketë.

sipas propozim ligjit të ri, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave duhet të bëhet prej 1 deri më 21 prill të vitit 2020.

Kontestuese në këtë propozim-ligj shihet të jetë mënjanimi i grafës etnike, gjegjësisht gjatë regjistrimit nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e qytetarëve. Shumica e partive kanë deklaruar se janë kundër këtij propozimi, përveç BDI-së, që thotë se nuk ka ndonjë shqetësim por të bëhet ligj i pranuar për të gjitha palët dhe LSDM-së që është “për” këtë propozim.

Por, sipas profesorëve universitarë, nëse gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e popullatës, regjistrimi rrezikon të dështojë sikur në vitin 2011, ndërkaq hapet mundësia që në mungesë të numrave zyrtarë të bëhen lojëra me numra të paverifikuara dhe me këtë do të shkelej parimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO) për përfaqësim të drejtë dhe amendamenti VI i Kushtetutës së Maqedonisë, i cili thërret në përfaqësim adekuat dhe të drejtë të qytetarëve të cilët u takojnë bashkësive të ndryshme etnike.

Nevrij Ademi
nga Nevrij Ademi Shkurt 11, 2019 13:16
Loading...