Eurointegrimet, Osmani: Jemi një storie suksesi që nuk mund të injorohet

Eurointegrimet, Osmani: Jemi një storie suksesi që nuk mund të injorohet

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, pret që BE ta shpërblejë Maqedoninë e Veriut për atë që e cilësoi “mrekulli diplomatike dhe arritje historike”. Ai është optimist se këtë vit vendi do të hyjë në fazën e dytë të procesit integrues. Qëndrimet e vendeve euroskeptike, Osmani i arsyeton si parime ndaj reformave të BE-së dhe se nuk paraqesin dilemë ndaj vendit tonë.

“Argumentet tona janë se thellimi i Evropës dhe përgatitja e rajonit për t’u bërë anëtare nuk janë në kontradiktë njëra me tjetrën, por komplementare dhe duhet të shkojë krah për krah. Storia e Republikës së Maqedonisë së Veriut është aq e fuqishme që tejkalon kufijtë e vendit dhe rajonit. Është storie që nuk mund të injorohet dhe storie e cila po të injorohet do të dëmtojë rëndë dinamikën pozitive në vend dhe rajon, por edhe do të dëmtojë rëndë kredibilitetin e BE-së. Andaj nuk shoh alternativë përveç vendimit për fillimin e bisedimeve këtë verë”,- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.

Por, BE kërkon vazhdimin e reformave dhe ekzekutivi është i vetëdijshëm për këtë. Një ndër reformat është ajo në sistemin gjyqësor. Bisedimet mes pushtetit dhe opozitës kanë ngecur në Ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme dhe fatin e PSP-së. Osmani thotë se për këtë ligj janë dy afate, i parapëlqyeri që përshin kohën deri para publikimit të raport progresit dhe tjetri i domosdoshëm, deri në vendimin e Këshillit të BE-së në qershor. Nëse nuk arrihet kompromis brenda këtyre afateve, çështja e PSP-së do të dërgohet në parlament për të kërkuar mbështetjen e 2/3 të votave, sqaron Osmani.

“Kujtoj që brenda këtyre afateve duhet partitë politike të bëjnë përpjekje maksimale për të gjetur konsensus sa i takon këtij ligji. Qasjet tona janë paralele, nën 1 është bashkëpunim dhe koordinim me opozitën për të gjetur një konsensus ndërpartiak, nëse jo, brenda një afati të caktuar do të duhet të bisedojmë me deputetët, me ata që e marrin vendimin për të arritur 2/3 e votave”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.

Këto komente Osmani i bëri në simulimin e Këshillit të BE-së, organizuar nga studentët e Universitetit “Nënë Tereza”. Në këtë simulim studentor, BE i dha datë vendit për fillim të negociatave.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 14, 2019 19:30
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.