“Eurovision”-i ndalon valëvitjen e flamurit të Kosovës

“Eurovision”-i ndalon valëvitjen e flamurit të Kosovës

Flamuri i Kosovës është vendosur në listën e flamujve të ndaluar, përkrah atij të ISIS-it, në Festivalin europian të Këngës, “Eurovision”.

Kjo është bërë e ditur përmes publikimit të një rregulloreje të festivalit, ku thuhet se “këta flamuj janë specifikisht të ndaluar për t’u shfaqur në publik”. Flamuri i Kosovës renditet i pari.

Sipas rregullores, flamujt e lejuar të valëviten në publikun e sallës në Stokholm të Suedisë, ku do të mbahet festivali, janë të 42 shteteve pjesëmarrëse dhe flamujt e vendeve të tjera, që janë anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ky vendim vjen pak ditë përpara takimit, ku pritej të merrej vendimi nëse Kosova do të marrë pjesë ose jo vitin e ardhshëm në festivalin e “Eurovision”-it.

Lidhur me këtë ka reaguar stafi menaxherial i Radio-Televizionit të Kosovës, duke i kujtuar grupit të referencës së këngës dhe Unionit të Transmetuesve Europianë se, Kosova është njohur nga rreth 120 shtete.

“Vendosja e flamurit të Republikës së Kosovës në një listën të njëjtë me flamuj të organizatave terroriste përbën racizëm, por edhe një fyerje të rëndë për qytetarët e Republikës së Kosovës, sikurse edhe për Radio-Televizionin e Kosovës”, thuhet në reagimin e televizionit publik të Kosovës, duke shtuar se populli kosovar nuk ka paraqitur asnjëherë rrezik për askënd.

Ndërsa regjisori kosovar, Bekim Lumi, përmes rrejtit social Facebook ka shkruar se, nuk duhet të shqetësohemi lidhur me këtë vendim, pasi – sipas tij, – “Eurovision”-i është një manifestim me karakter tregtar, më shumë sesa një festival artistik.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 29, 2016 19:48

REKLAMA