Fati i PSP-së, LSDM: VMRO të ngrihet mbi interesat partiake. VMRO: Do të vendosim pasi të dakordohen parimet

Fati i PSP-së, LSDM: VMRO të ngrihet mbi interesat partiake. VMRO: Do të vendosim pasi të dakordohen parimet

LSDM dhe VMRO-DPMNE pa qëndrim konkret rreth dakordimit të fatit të Prokurorisë Speciale deri më 1 prill kur edhe përfundon punën parlamenti dhe nis fushata presidenciale.

Socialdemokratët s’lëvizin nga pozicionet e tyre dhe ftojnë VMRO-DPMNE-në që të ngrihet mbi interesat partiake për vendosjen e shtetit ligjor.

“Si parti politike duhet që të ngrihemi mbi interesat e ngushta partiake për vendosjen e shtetit ligjor dhe organeve të pavarura gjyqësore. I mbetet VMRO-DPMNE-së që të mendojë deri të enjten kur do të nis debati për amendamentet dhe të vendosin se me të vërtetë do të udhëhiqen nga interesat tona për integrim europian dhe integrim në NATO, ose do të vazhdojnë sikurse deri më tani të mbajnë anën e krimit dhe amnistimin e të gjitha krimeve të pushtetit të kaluar të VMRO-DPMNE-së”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Nga VMRO-DPMNE thonë se fillimisht do të duhet të caktohen parimet e punës dhe më pas të marrin vendime për funksionimin e speciales.

“Përderisa nuk dakordohen parimet nuk mund të hyhet në thelbin e materies, andaj presim që të dakordohen parimet në takimet e radhës që më pas t’i qasemi esencës”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.

Grupet e punës të hënën nuk arritën marrëveshje për funksionimin e mëtejmë të prokurorisë së Katica Janevës.

Pritet të takohen të premten, pasi të enjten në kuvend VMRO do të dorëzojë vërejtjet për propozim ligjin për Prokurori Publike.

Opozita këmbëngul që PSP të punojë si repart i veçantë në kuadër të Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Me këtë nuk pajtohet LSDM, të cilët këmbëngulin që PSP të vazhdojë si prokurori e posaçme.

Dallimet eksitojnë edhe për hetimet, pasi LSDM nuk pajtohet me kërkesat e VMRO-së. Ata kërkojnë që Specialja të veprojë vetëm ndaj lëndëve që janë hapur para përfundimit të afatit ligjor prej 18 muajve. (Tvm2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Mars 19, 2019 19:10
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.