Fëmijët e rrugës, viktima të shfrytëzimit apo gjendjes ekonomike

Fëmijët e rrugës, viktima të shfrytëzimit apo gjendjes ekonomike

Në çdo 10 metra të kryeqytetit mund të hasësh në fëmijë që punojnë rrugëve, duke pastruar xhamat e makinave apo duke kërkuar lëmoshë.

Në disa udhëkryqe më frekuentuese në Shkup vetëm për 2 javë janë identifikuar 167 fëmijë në rrugë, mes të cilëve edhe 18 foshnja. Fëmijët në rrugë nuk kanë as dokumente identifikimi.

Fëmijët në rrugë janë viktima të gjendjes së rendë ekonomike dhe ata mund të keqpërdoren në mënyra të ndryshme dhe më e keqja është se ata janë larg procesit arsimor.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me UNICEF-in, Kryqin e Kuq dhe me Qendrën Sociale, kanë formuar 6 ekipe që kontrollojnë gjendjen në terren.

“Kemi zbuluar fëmijë që nuk janë të rregullt në procesin arsimor. Përballemi me fëmijë të cilët nuk duan të përgjigjen, nuk na i japin të dhënat e sakta. Por, ka edhe nga prindërit të cilët nuk na japin të dhënat e sakta për fëmijët e tyre, sepse shumica e fëmijëve janë në shoqëri me prindërit e tyre. Por, kur e shohin se ne duam t’u ndihmojmë, afrohen dhe bashkëpunojnë me ne”,- tha Ivana Bozhinovska.

“Nga java e ardhshme, ekipet do të realizojnë dhe vizita në shtëpitë e fëmijëve, për të vërtetuar gjendjen faktike dhe për t’i ndihmuar ato familje”,- tha drejtoresha e Qendrës Sociale, Natasa Stanojeviq.

Nga Ministra dhe UNICEF thonë se ky nuk është një projekt i thjeshtë, por një strategji që do të zgjasë për t’ju dalë në ndihmë këtyre fëmijëve.

“E vetmja mënyrë t’i detektojmë dhe të fillojmë t’i zgjidhim problemet që ballafaqohen fëmijët është që të punojmë me to dhe me familjet e tyre, t’u sigurojmë mbështetje të vazhdueshme”,- theksoi ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska.

“Janë romët ata të cilët jetojnë në kushte më të vështira nga të tjerët. Kjo nuk paraqet projekt apo ndonjë intervenim humanitar, por është një strategji sistematike dhe afatgjate qeveritare e cila synon rezultate reale që do të transformojnë jetët e njerëzve”,- theksoi përfaqësuesi i UNICEF-it, Benjamin Persk.

Javën e ardhshme do të formohen edhe 14 ekipe në qytete tjera të vendit për t’ju ndihmuar fëmijëve në rrugë.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 15, 2019 19:17
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.