Fleckenstein: Të hapen negociatat me Shqipërinë

Këshilli Europian do të vendosë pas pak ditësh nëse do të hapë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë apo jo. Mes vendeve anëtare përflitet se janë 2-3 shtete skeptike, që mund të bllokojnë çeljen e negociatave me argumentin se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret e vendosura. Por, për eurodeputetin Knut Fleckenstein, që është gjithashtu edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, kushtet për hapjen e bisedimeve janë plotësuar nga Tirana.

“Në Shqipëri ka patur progres të qartë dhe çështjet sa i takon sundimit të ligjit po shkojnë në drejtimin e duhur dhe ndoshta edhe më mirë se në disa vende brenda Bashkimit Europian. Prandaj, ne duhet të hapim bisedimet e anëtarësimit me këtë vend”, apeloi ai në PE.

Një tjetër thirrje për Këshillin kishte edhe për Kosovën.

“Të mos harrojmë që kriteret për liberalizimin e vizave janë plotësuar tashmë”, u shpreh Fleckenstein.

Eurodeputeti gjerman kërkoi gjithashtu edhe hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe avancimin e tyre në kapitujt e tjerë për rastin e Serbisë dhe Malit të Zi.

“Duhet të dërgojmë në Ballkanin Perëndimor një sinjal të qartë se cila është qasja jonë për këtë rajon”, shprehet Fleckenstein.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Qershor 12, 2018 21:56

Publicitet


Moti sot
19°
24°
Tue
25°
Wed
24°
Thu
24°
Fri