Forcat irakiane vrasin 4 protestues në Bagdad

Forcat irakiane vrasin 4 protestues në Bagdad

Dhjetëra demonstrues të tjerë janë plagosur nga plumbat e vërtetë të forcave të sigurisë që po përpiqen të shpërndajnë protestuesit.

Katër protestues irakianë u vranë nga plumbat e forcave të sigurisë në përpjekjen e tyre për të shpërndarë demonstruesit nga qendra e Bagdadit, sipas një burimi mjekësor.

Dhjetëra njerëz u plagosën gjithashtu nga plumbat e vërtetë, tha burimi, i cili punon për Drejtorinë e Shëndetit në Bagdad, në kushte anonimiteti për shkak të kufizimeve për t’u prononcuar për mediat.

Zhvillimet vijnë disa orë pasi kryeministri Adel Abdul-Mahdi urdhëroi forcat e sigurisë të “zbatojnë ligjin” dhe të arrestojnë ata që ai i quajti “sabotatorë” që bllokojnë rrugët.

Të paktën 260 njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në valën e dytë të protestave në Irak.

Zemërimi popullor në Irak është rritur vitet e fundit për shkak të rritjes së papunësisë dhe korrupsionit të shfrenuar. Shumë njerëz në vend kanë qasje të kufizuar në shërbimet themelore siç janë energjia elektrike dhe uji i pastër.

Sipas shifrave të Bankës Botërore, papunësia e të rinjve në Irak është rreth 25 për qind. Gjithashtu vendi radhitet i 12-ti nga vendet më të korruptuara në botë sipas disa organizatave të transparencës./aa/

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Nëntor 7, 2019 20:09

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA