Frashër Oseku: Bashkëbisedim me Xhemajl Fetahajn, apo kur heroi flet me heroin

Frashër Oseku: Bashkëbisedim me Xhemajl Fetahajn, apo kur heroi flet me heroin

Në një shkrim në rrjetin social, ushtari i dy luftërave çlirimtare dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Frashër Oseku, me një përshkrim shumë emocionues dhe tepër të sinqertë, vlerëson Heroin e kombit, Xhemail Fetahaj.

Jo se e kishte bashkëluftëtar dhe mik, z. Oseku përcjell me një përshkrim tepër të ndjeshëm dhe emocional, tërë ato që mund t’i ketë rruga e çlirimit, si respektin, guximin, gëzimin por edhe krenarinë, për aktin më sublim, rrugën e sakrificës për çlirim të Kosovës.

Si rrallë ndonjë përshkrim, mund të haset profili i një heroi si Xhemail Fetahaj, të përshkruar nga ndjenja e fuqishme e bashkëbisedimit, post mortum, një ligjërim i heroit me heroin, duke u penduar për fatin e ndryshëm të dy akterëve.

Dialogu i Frashrit me Xhemailin, shpërfaq të vërtetën e madhe se çdo i gjallë bart me vete pjesë të atyre që nuk janë gjallë, aq më shumë, të kujtimeve krenare të gjalla, duke mos hetuar ndryshimin fizik të bashkëbisedimit. Përshkrim, sa ngjethës, aq human, për mikun e bashkëluftëtarin, të rralla në këta përvjetor të lavdisë dhe çlirimit, na kujton përjetësinë e akteve sublime e heroike, të përshkruara lehtë e sinqertë, ashtu siç janë kujtimet e heroit për heroin.

Pa ndryshuar, ja “Bashkëbisedimi me Xhemail Fetahajn”, nga Frashër Oseku:

Si të të përshkruaj ty, o Xhemajl Fetahu, për ata që s’të njohën? Ndoshta t’ia nis nga pamja e jashtme. Shikoj fotografinë që e kam me ty nga rasti kur u poqëm për herë të parë. I gjatë, pothuaj 1.90; aq sa jam vetë. I shëndetshëm, bile një mbipeshë të lehtë ndoshta: por kjo ishte para frontit: para supës me hithra, para transporteve të pafund të armëve me barkun bosh, para krismava të natës, e varrimeve pa lotë. Fytyrë të plotë ovale, tipare të rregullta. Flokë të paqethur, rritur goxha. Ne tjerët në fotografi jemi të qeshur, sikur shkojmë në dasëm. E ti, më vështron në titërr të syrit me një shikim serioz, sikur kërkon të të flas. Mundet që ta ndiente zemra, Xhemajl. Duart i ke në xhepa, ashtu joheroikisht shlirë, si gjithkush që del i papërgatitur para një fotoaparati që shkrep.
Lëreni le ta shkrep! Xhemajl, ndoshta kjo ta përshkruan temperamentin e qetë e mirëkuptues: dora e shokut, që del për dritare të veturës në mes të autostradës italiane, duke shkrepur pistoletën drejt qiellit plot yje. Ç’yje që kish atë natë, Xhemajl, të kujtohet? Gjithë ajo autostradë, krejt bosh: vetëm vetura jonë, yjet lart përmbi, e Kosova diku larg. E ne në veturë, me lëkurat kokrriz: nga çiftelitë ankimtare, e kreshendot e violinave, e britmat egërshane të rapsodëve: nga dijenia absolutisht e kthjelltë se po venim të vdesim o ta bëjmë Shqipëri, si te poezia jote favorite. Stepja që u bë pas krismave. Pastaj reagimi i neve, a je në veti: ishte tërë rrugën si plak i urtë, e tash befas bam! bam! bam! Ndoshta mun aty, aty në autostradë, ta ndjeu zemra, Xhemajl. Prandaj u talle që ta trazoje atë sëmbim, ”hajt more se na kuptojnë edhe karabinierët, e ku ka rapsodë pa allti”. Të qeshurat pastaj: së pari të ngurruara, pastaj gjithnjë e më të zëshme, pastaj si të marrë. Yjet atë natë do të kenë mbetur pa gojë me shqiptarët e krisur, shoku. Do të kenë mbetur pa gojë me argumentin tënd, o trim.
E adhuroje humorin – ndoshta kjo të përshkruan ty – dhe qeshje shpesh e me lezet. S’kish si ndryshe, i rritur siç ishte nga prindërit, ”pleqtë” si u thoje, që për liri kishin djegë jetë e katandi: o të qeshësh me fatin, o të çmendesh. “Frashër, ti i madh shyqyr. Një bataljon do të fshihemi prapa teje. Ose së paku dhjetë veta”. Kjo ishte fjalia e parë që ma the, të kujtohet? E bëje njeriun për vete, të ndihet shlirë e qetë e i afërt me ty. Të kujtohet si zure të tallesh, kur e more vesh që s’kisha mbajtur kurrë armë në dorë? Si ma lëshove në dorë karikatorin e pistoletës: “ja Frashër, kësaj i thonë allti”? Ai gazi që plasi në veturë… Por edhe dije ta njohësh talljen. Atë rastin kur ndaluam te pompa e benzinës dhe unë, që e kisha fshehur tash në veturë armën e brezit, nisa të ec me hapa të shpejtë drejt arkatarisë së pompës, gjithë be e rrufe se do ta ”pasuroj me dhunë” fondin e luftës… Të gjithë tjerët u vërsulëm me vrap pas meje, pos ti. E kishe gjetur pistoletën e fshehur, por s’bëje ciu me gojë. A të kujtohet, Xhemajl: vumë bast se kush do të vritej së pari, ti a unë. Ti thoje se unë, meqë isha I madh e vërehesha nga larg. E unë thoja se ti, meqë gjakovarin s’e ha plumbi. Më ndalet fryma sa herë e kujtoj atë bast, bre shoku. Do të doja ta kisha humbur unë, e ta kishe fituar ti.
Fondi i luftës, eeh… Ndoshta këtë duhet ta dinë për ty, Xhemajl. Që s’le skutë a qoshk gjerman pa e kërkuar lekun e luftës. Duke lënë mënjanë familjen tënde, shoku, që të paçim sot e përgjithmonë. Që s’kish bir nëne që ta shkul një kacidhe nga lekët e luftës, pa marrë parasysh shkaqet e arsyet. Kujtoj se si, kur u nise me ne, bleve një nga ato ID-pllakëzat që ushtarët i varin rreth qafe – thuase ta ndiente zemra, Xhemajl! –por: e pagove me lekët tu. Dhe pastaj na shtyve ta paguanim benzinën për furgonin që do të na shpiente në front. “Çdo lek, për fishek”, thoje. “Për një fishek që i mungon në orë të zorit, të vritet shoku në front”, thoje. A mos ta ndinte zemra qysh atëhere, Xhemajl?
Zellin në front, po, atë duhet të ta njohin, more Xhemajl. Se sa i freskët ishe, ndonëse kishim kaluar këmbë në malësitë e Babinës e Padeshit. Se sa lehtë e me gaz shkoje te fronti, e sa vështirë që e lije atë. Edhe fisnikërinë e treguar atje. E besa afërsinë e njerëzillëkun tënd: ti refuzoje të flesh në shtratin tënd atje tek eprorët, po flije me ne ushtarët e thjeshtë. Aty në front i ndamë vuajtjet e gëzimet: aty i ndamë fishekët, e i varrosëm shokët. Aty në front, më në fund, na u ndanë rrugët, kur mua të plagosur po më shpienin nga Babina në Bajram Curr e më tej në Tiranë për të m’i hequr ciflat në krye. Tipike ti, Xhemajl, të më uroje për plagën e marrë. Me helmetën mënjanë, e snajperin në dorë, e tromblonët, e vllashkat me fishekë, dukeshe si zot i luftës që lufton për atdhe. S’i harroj kurrë fjalët tua: ”E paske marrë uratën më të madhe që mirret n’Kosovë bre Frashër, plagën e lirisë!. Edhe unë i mjeri, i shtrirë në lese, i përgjakur e i ngopur morfinë siç isha, ta ktheva me shpoti: ”Mos i ha paret e bastit Xhemajl Fetahu, se s’i dihet!” Më kujtohet si m’u afrove mbi kokë, si ma hoqe me dorë ca baltë e gjak nga fytyra. ”Edhe në lese me shpoti ti, gjakovar”: zërin e kishe të qeshur Xhemajl, po sytë i kishe të mbytur në dhimbje. Sikur ta ndiu zemra aty, Xhemajl!
Atë që s’e di ti, shoku im. Atë që s’arrita të ta them. Është se më vjen shumë keq bre Xhemajl për atë bast që e vura me ty. Fjala fjalë e gjak nuk bën, thonë: por s’e di ti, se s’ta thashë kurrë, sa keq më vjen për atë bast koti. Sepse e vërteta është, or Xhemajl miku, e do të doja më mirë të isha vrarë unë njëqind herë o shoku im: se isha beqar, e pa fëmijë që thirrin ”babë!” në një shtëpi bosh: se që shkove e u vrave ti. Nuk e di se me cfarë të drejte unë jam, e ti nuk je, Xhemajl miku. Edhe s’po e marr vesh ende, ndonëse kaluan sa e sa vjet. Sa ditë me diell, sa netë me shi, mbi varrin e Xhemajlit: vetëm era që fryn e lirë mbi Kosovë kuvendon me të. Ndoshta i thotë atij varri, që tjerët ndoshta po e harrojnë pse u vra ai aty brenda. Tjerët ndoshta, por unë jo. Gjindja thonë, koha plagë shëron: po po rrejnë bre, pasha besën! Pse s’po e shëron këtë plagë timen, bre Xhemajl. Pse çdo vit në përvjetor, më fanitesh prapë si atë ditën e fundit kur u ndamë, me helmetën mënjanë, e snajperin në dorë, e tromblonët, e vllashkat me fishekë, ndërsa dukeshe si zot i luftës që lufton për atdhe. E më thua: ”E fitove bastin, gjakovar! Tash mos ma harro amanetin!”

Marrë nga libri Këtu jam për t’i luftuar armiqët Monogrfi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj.
Faleminderit z. Ibish Neziri për insistimin që të shkruaj diçka për Heroin tim

Nevrij Ademi
nga Nevrij Ademi Qershor 1, 2019 13:54
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.