Gazetarët dhe mediat, LSDM dhe VMRO-DPMNE akuzojnë njëra tjetrën

Gazetarët dhe mediat, LSDM dhe VMRO-DPMNE akuzojnë njëra tjetrën

Partia opozitare, VMRO-DPMNE përmes një kumtese me shkrim thonë se gazetarët që shkruajnë për krimet skandaloze të Zoran Zaevit dhe kartelit rreth tij nuk janë të kotë.

Nga kjo parti thonë se ata janë zëri i qytetarëve dhe nuk duhet të nënshtrohen ndaj trysnive dhe kërcënimeve të kriminelit të amnistuar.

“Censura është trup për secilin shtet. Tashmë është e qartë që në Maqedoni sundon regjimi totalitar kriminal”, thuhet në kumtesën e VMRO-së.

Nga kjo parti shprehen se Suedia e vërtetoi se në Maqedoni, Zaev kryen ndjekje politike dhe se rasti i 27 prillit është edhe një montim gjyqësor i Zoran Zaevit. Suedia, thonë nga VMRO-DPMNE, refuzoi të ekstradojë njërin e të akuzuarve për 27 prillin me arsyen se në vepër nuk ka elemente për terrorizëm.

“Kjo e bën Maqedoninë të vetmin shtet në Evropën demokratike që në shekullin e 21-të ende ka të burgosur politik, që vuajnë burg vetëm për shkak të qëndrimeve politike”, thuhet në njoftimin e partisë opozitare maqedonase.

Ata shtojnë se një funksionar i lartë i pushtetit vërtetoi dje se Zoran Zaev ndikon në gjyqësi dhe se Zoran Zaev e hoqi shtetin e së drejtës.

Partia më e madhe në pushtet përmes një kumtese me shkrim thonë se VMRO-DPMNE është simbol i kërcënimeve dhe trysnive ndaj mediave dhe gazetarëve.

“Asnjë kumtesë nga pallati i bardhë nuk mund ta ndryshojë faktin se për 11 vite shteti ynë ishte i kapur dhe gjendej në fund të Evropës sa i përket lirive të medias”, thuhet në njoftimin e LSDM-së duke shtuar se se nuk mund të fshihet fakti që për 11 vite VMRO-DPMNE arrestonte, rrihte , paraburgoste gazetarë dhe mbyllte media.

Nga LSDM thonë se që kur LSDM dhe Zoran Zaev janë në pushtet, shteti shënon ngritje në listat botërore sa i përket lirisë së fjalës, dhe se nuk sulmohen, kërcënohen dhe maltertohen gazetarë ashtu siç ishte në kohën e VMRO-DPMNE-së.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Gusht 14, 2019 12:44

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.