Gjoka: Te Shkëndija për titullin kampion dhe grupet e Europa League!

Gjoka: Te Shkëndija për titullin kampion dhe grupet e Europa League!

Ernest Gjoka është trajneri i ri i Shkëndijës së Tetovës. Klubi kuqezi me një komunikatë ka zyrtarizuar emërimin e ish-trajnerit të Kukësit dhe Vllaznisë në krye të kampionëve në fuqi të Maqedonisë së Veriut.

Për  Gjokën kjo është eksperienca e parë si trajner jashtë Shqipërisë. Në stolin e Shkëndijës ai zëvendëson Erhan Selimin i cili ishte trajner i përkohshëm i skuadrës tetovare pas shkarkimit të Qatip Osmanit. Selimi gjithsesi nuk është larguar nga klubi por do të rikthehet në detyrën e tij si drejtor i shkollës së futbollit Shkëndija. Objektivi i Gjokës i cili ka firmosur deri në fund të sezonit do të jetë të rikthejë kuqezinjë në garën për titull në Maqedoninë e Veriut dhe të luftojë deri në fund për të mbrojtur kurorën e skuadrës kampione. Në 9 javët e para të kampionatit Shkëndija ka grumbulluar vetëm 11 pikë, 9 më pak se Vardari kryesues. 49-vjeçari kryeqytetas menjëherë pas zyrtarizimit do të fillojë punën teksa pasditen e kësaj të marte do të drejtojë stërvitjen e parë të Shkëndijës. Gjoka tha edhe fjalët e para si trajner i skuadrës tetovare duke u shfaqur shumë i lumtur për këtë eksperiencë të re në karrierën e tij.

“Mendoj se kam ardhur në një klub si Shkëndija që mbi të gjitha është një klub profesional dhe është një klub i ndërtuar me shumë kujdes. Përshtypjet e para janë shumë të mira dhe mendoj e shpresoj që këto përshtypje që do kem sot t’i kem gjatë gjithë kohës që do të punoj këtu. Jam i gatshëm për këtë sfidë, sepse dihet se Shkëndija kërkon gjithçka. Kërkon të jetë gjithë kohës e suksesshme, të jetë kampion, të eci shumë në Europa League, të kapë grupet e Europa League apo pse jo edhe të Champions League“.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 8, 2019 20:01

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA