Gjykatat me shërbime gjysmake

Gjykatat me shërbime gjysmake

Kategori të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara ballafaqohen me pengesa të llojllojshme gjatë pranimit të shërbimeve brenda objekteve të gjykatave. Hulumtimi i fundit i “Koalicionit për gjykim të drejtë” tregon se kësaj kategorie të popullatës në Maqedoninë e Veriut në mënyrë efektive i është cenuar e drejta e gjykimit të drejtë nën kushte të barabartë që vlejnë për të gjithë qytetarët e vendit.

Siç njoftojnë nga kjo organizatë, lëndë e mbikëqyrjes kanë qenë dhjetëra gjykata të vendit, me çka gjatë periudhës dhjetor 2018 deri në mars 2019, është konstatuar se të gjitha këto gjykatë ofrojnë vetëm kushte të jashtme për qasje deri te objektet e gjykatave. Mirëpo, një gjë e tillë nuk mund të thuhet se ekziston brenda gjykatave.

“Gati gjysma e gjykatave, sipas të dhënave nga hulumtimi, nuk kanë qasje të përshtatshme deri te hapësirat e tyre, respektivisht nuk kanë kushte për lëvizje individuale nëpër objektet e tyre, si dhe nuk ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara. Në këtë kontekst, situata mbetet e njëjtë në Gjykatën Civile të Shkupit dhe Gjykatën Themelore në Strugë. Hulumtimi i realizuar tregon se këto dy gjykata nuk kanë sallë gjyqësore në katet përdhes. Përderisa në Gjykatën e Gostivarit dhe atë Ohrit – ekzistojnë vetëm nga një sallë gjyqësore në katet përdhes”, thuhet në publikimin e “Koalicionit për gjykim të drejtë”.

Stagnimi në sferën e përmirësimit të qasjes së barabartë të personave me aftësi të kufizuar në gjykatat e vendit është konstatuar dhe në Gjykatën e Velesit, Ohrit, Prilepit, Shtipit dhe Strumicës. Element i përbashkët i këtyre gjykatave sa i përket ofrimit të kushteve adekuate për të gjithë qytetarët është mungesa e ashensorëve.

“Shembull më i mirë i respektimit të të drejtave të qytetarëve është Gjykata e Manastirit, e cila nga hulumtimi i realizuar – është konstatuar se është e vetmja gjykatë që posedon salla gjyqësore në katin përdhes, respektivisht disponon me ashensor funksional. Kjo është gjykata e cila ofron qasje më të lehtë për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara”, thuhet në hulumtim.

Ndryshe, nga monitorimi i gjykatave në fjalë është vërtetuar se të gjitha gjykatat ofrojnë udhëzime për lëvizje më të lehtë të palëve, si arritje deri te salla e gjykatave, po ashtu edhe renditjen numerike të këtyre sallave. Por, këto gjykata (Shkup, Veles, Shtip, Strumicë, Manastir, Prilep, Ohër, Strugë, Tetovë dhe Gostivar) nuk ofrojnë shërbime të njëjta për të gjitha kategoritë e qytetarëve. Kësisoj, monitoruesit e “Koalicionit për gjykim të drejtë” kanë konstatuar se në gjykatat e apostrofuara mungojnë tapete të prekshme, letra braile dhe forma tjera ndihmëse për nevojat e personave që kanë pengesa me shikimin, apo shikim të dëmtuar. Personat me aftësi të kufizuar në rast të ndonjë nevoje në gjykatat e theksuara ndihmë mund të hasin vetëm në Gjykatën Civile të Shkupit dhe Gjykatën e Strugës, ku edhe ekziston person i punësuar për ofrimin e këtij lloji të ndihmës. Mungesa e këtyre të punësuarve në gjykatat tjera, sipas hulumtimit të organizatave joqeveritare, e vë në pikëpyetje funksionimin praktik të ofrimit të ndihmës për personat me aftësi të kufizuara. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 11 Korrik, 2019 20:35

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.