Greqi, partia Potami pro Marrëveshjes së Prespës. Demokracia e re: Cipras dorëzoi gjuhën e përkatësinë maqedonase

Greqi, partia Potami pro Marrëveshjes së Prespës. Demokracia e re: Cipras dorëzoi gjuhën e përkatësinë maqedonase

Vetëm disa ditë para se Marrëveshja e Prespës të gjendet në votim në parlament grek, kryeministri Cipras po arrin të mbledh numrin e nevojshëm të votave të deputetëve për të ratifikuar marrëveshjen.

Syriza qeveritare ka siguruar nga partia Potami pesë vota në parlament, të cilët përmes kumtesës partiake kanë sqaruar se përkrahja e Marrëveshjes së Prespës nuk nënkupton edhe përkrahje për qeverinë e Ciprasit, por këtë e bëjnë vetëm për interesat e popullit grek.

“Lëvizja jonë mbetet në pozicionin se kontesti me IRJM-në duhet të zgjidhet dhe Greqia duhet të luajë rol në hapjen e rrugës evropiane për shtetin fqinj”,- thuhet në komunikatën e partisë greke POTAMI.

Ndërkohë, partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ka refuzuar ftesën e kryeministrit Cipras për duel televiziv.

Sipas tyre, Cipras ka dorëzuar gjuhën dhe përkatësinë maqedonase, që asnjë qeveri e mëparshme nuk e ka menduar.

“Për marrëveshjet ndërkombëtare diskutohet në Parlamentin grek, me pjesëmarrje të të gjitha partive dhe deputetëve të cilët duhet ta marrin në dorë përgjegjësinë historike, aq më tepër kur është në pyetje marrëveshja, që është kyçe për zgjidhjen e çështjes së emrit me IRJM-në”,- thuhet në komunikatën e Demokracisë së Re.

Edhe një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve grekë nuk përkrahin fuqizimin e Marrëveshjes së Prespës.

Në shenjë revolte, organizatat joqeveritare po mobilizohen për të mbajtur një protestë të madhe, siç kalkulojnë mediat greke, pikërisht ditën e diel kur edhe në shtypin grek do të publikohet përmbajtja e Marrëveshjes së Prespës.

Sipas disa informacioneve, Marrëveshja e Prespës do të votohet në kuvendin grek javën e ardhshme, ndërkaq analistët grekë vlerësojnë se Marrëveshja e Prespës do të mbështetet nga 153 deputetë të kuvendit grek. (Tvm2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Janar 18, 2019 19:15

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA