Haradinaj: Kosova duhet të jetë insistuese në të drejtat e saj

Haradinaj: Kosova duhet të jetë insistuese në të drejtat e saj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është pak fajtor pse rinia e Kosovës shkon jashtë vendit. Ai ka deklaruar se ka kërkuar viza pune për qytetarët e Kosovës në vendet evropiane, kur i ka parë ata duke u përpjekur të dalin ilegalisht.

Në një takim me strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj, Haradinaj ka folur për daljen e kosovarëve jashtë vendit, në kërkim të një jetë më të mirë, duke thënë se i nuk gëzohet gjendjes aktuale.

“Kemi kërkuar edhe në Amerikë punësim sezonal, me i çu motrat medicinale sepse i kemi njerëzit pa punë, ne e kemi ditë që nuk arrijmë kaq shpejtë me i çelë vendet e punës për krejt në Kosovë, edhe nëse i heqim nja 20 kushëri që i kemi shti, a të familjes, a disa shokë, prapë nuk është që ndryshon gjendja me vende të punës, ajo nuk është porosi e shëndetshme. Unë i kam lyp këto viza, është meritë e punës që e kam bërë me këtë qeveri me na çelë vizat e punës”, tha ai.

Kryeministri i vendit tha se është e vështirë me hap shumë vende të punës në një afat të shkurtë kohor.

Në takimin me strukturat e partisë në Ferizaj, shefi i ekzekutivit ka thënë se dialogu e proceset e tjera të rëndësishme për Kosovën nuk duhet të bëhen vetëm si përshtatje, por shteti duhet t’i ketë argumentet e tij në çdo temë.

Edhe njëherë, Haradinaj tha se Kosova duhet të jetë insistuese në të drejtat e saj.

Në Ferizaj, Haradinaj tha se AAK i ka disa vlera të veçanta që nuk i ka ndonjë parti tjetër. Siç tha ai, Aleanca nuk shkon vetëm nga zbukurimi i temave dhe i proceseve, por është shumë e fokusuar në përmbajtje dhe argumente.

Gjatë këtij takimi në Ferizaj u bë edhe aderimi i disa të rinjve në AAK.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 13, 2019 19:52
Loading...