Haradinaj reagon për njësitin serb që këndoi për pushtimin e Kosovës

Haradinaj reagon për njësitin serb që këndoi për pushtimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me një ngjarje në Banjallukë, ku një njësit serb këndon këngën e “Heronjëve të Kosovës”, e cila në tekstin e saj thërret për hakmarrje dhe pushtim të Kosovës. Haradinaj kujton se kënga përcillet me thirrjet kundër Bashkimit Europian.

“Provokimet e Serbisë ndaj Kosovës vazhdojnë, tash në satelitin e tyre të quajtur Republika Srpska. Fatkeqësisht Serbia refuzon aktivisht integrimin dhe përqafimin e vlerave europiane.

Në Banjallukë një njësit me tipare të pastërta paramilitare në marshin më provokues që synon destablilizimin e tërë Ballkanit këndon këngën e “Heronjëve të Kosovës”, e cila në tekstin e saj thërret për hakmarrje dhe pushtim të Kosovës. Njësiti dhe kënga gjenocidale përcillet me thirrjet kundër Bashkimit Europian.

Kjo skenë që përkujton sentimentin gjakpirës të aparaturës së Millosheviqit, bëhet në nder dhe para Kryeministres kukull të Vuciqit, Ana Bërnabic dhe Ministrit të Mbrojtjes kukull të Rusisë, Aleksandar Vulin.

Përderisa Bashkimi Europian shfrytëzon të gjitha kanalet për të bërë presion ndaj Kosovës për një masë legjitime dhe ligjore siç është taksa, e e cila përdoret edhe nga shtetet e zhvilluara siç janë ShBA, Franca, Kanadaja etj., vendosë të mbyllë sytë ndaj kësaj skene e cila bën thirrje për luftë e gjenocid.

Edhe përkundër këtij disbalansi të politikës së Bashkimt Europian, Kosova është e përkushtuar që të jetësojë idealet europiane në ekonomi, sundim të ligjit, mbrojtje e zhvillim. Synimi ynë strategjik është integrimi dhe anëtarësimi euro-atlantik dhe përqafimi i vlerave të demokracisë, përderisa Serbia ka Rusinë si alternativë kërcënuese në zemër të Europës. RH”, ka shkruar ai.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Janar 10, 2019 20:07
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.