Hoti: S’ka marrëveshje pa njohje nga Serbia

Hoti: S’ka marrëveshje pa njohje nga Serbia

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me masakrën e Reçakut, duke thënë se Kosova nuk guxon të hyjë në aventura për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë derisa kjo e fundit të mos e njohë shtetin tonë të pavarur.

“Si mund të negociohet me dikë që e quan fabrikim masakrën e Reçakut?! Kështu ka deklaruar sot presidenti serb. Kjo është sikur të mohohet holokausti. Duhet të jemi unik dhe të kërkojmë reagim të fuqishëm nga e gjithë bota demokratike kundër këtyre deklarimeve të Beogradit.

Është e qartë se do të na duhen vite dhe ndërrim të disa qeverive në Beograd para se atje politikanët t’i thërrasin ndërgjegjes për krimet e bëra në Kosovë nga shteti serb.

Vetëm atëherë Serbia mund të bëjë hapin e madh për njohjen e shtetit të Kosovës dhe normalizim të marrëdhënieve. Deri atëherë ne nuk duhet të hyjmë në asnjë aventurë për të arritur ndonjë marrëveshje gjysmake”, shkruan Hoti në Facebook.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 10, 2019 20:42
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.