Hoxha e deputetet e pozitës akuzojnë Pacollin për lobim kundër Kosovës

Hoxha e deputetet e pozitës akuzojnë Pacollin për lobim kundër Kosovës

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, ka raportuar sot në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.

Para deputetëve, ajo tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, por që nuk e di se kur do të hidhet në votim në Këshillin e Ministrave. Hoxha shtoi se Franca, Belgjika dhe Holanda kanë hezitime sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ministrja Hoxha deklaroi se futja e liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave nuk do të ndodh nëse nuk ka një konsensus të ndërtuar paraprakisht. E këtë iniciativë ajo tha se presim ta merr një nga shtetet, duke mos përjashtuar as Finlandën që veç e ka kryesimin e Presidencës.

Sa i përket mirëmbajtjes së kritereve për liberalizim të vizave, Hoxha tha se deri tani puna është duke shkuar mirë edhe sa i përket rasteve të shënjestruara.

Deputetja e Vetëvendosjes Fitore Pacolli, pati kritika sa i përket listës së rasteve të shënjestruara, ndërsa ministrja Hoxha i tha asaj se lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të vazhdojë.

Ajo tha se nuk duhet të ketë në institucione zyrtarë të cilët janë me aktakuza.

Deputetja e AAK-së Time Kadriaj e ka pyetur ministren Hoxha në ndonjë takim që ka pasur jashtë vendit, nësë i është thënë se një subjekt politik po lobon kundër liberalizimit të vizave.

Një çështje të tillë e ka thënë edhe deputetja Evgjeni Thaçi – Dragusha, e cila ka akuzuar deputeten e VV-së Fitore Pacolli se në një takim kishte folur se si Kosova nuk i ka përmbushur kriteret për viza.

Deputetja Pacolli i ka kërkuar deputetes Thaçi që të tregojë raste konkrete, për çka kjo e fundit e ka dhënë.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, tha se edhe asaj i është thënë se një subjekt politik po lobon kundër liberalizimit të vizave, madje ajo thotë edhe kundër shtetit të Kosovës.

Por, deputetja Fitore Pacolli ka kërkuar nga ministrja Hoxha që të jap dorëheqje për siq ka thënë ajo dështimit në reformat sa i përket integrimeve evropiane.

Por, kësaj kërkese i ka reaguar ministrja Hoxha, e cila tha se do të jepte dorëheqje nëse Komisioni Evropian do të thoshte se nuk janë përmbushur kriteret.

Gjatë raportimit të ministres Dhurata Hoxha, ajo është pyetur disa herë nga deputetja e Vetëvendosjes lidhur me një kontratë që Ministria që ajo e drejton ka lidhur me një kompani lobimi, e cila sipas saj do t’i kushtojë Kosovës 152 mijë euro për shërbime që i duhen Ministrisë dhe këto shërbime kjo kompani mund t’i kryejë qoftë në ShBA, qoftë në BE.

Ministrja është pyetur edhe rreth asaj se në takimet zyrtare që ka pasur, a i është përmendur kërcënimi që i është bërë prokurorit Elez Blakaj nga kryeministri Ramush Haradinaj. Hoxha tha se në asnjë rast nuk i është përmendur ky rast në asnjë takim zyrtar jashtë vendit që ka pasur.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 10, 2019 21:00
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.