Ibrahim Kodra: Bota, një mrekulli e përzier me tmerr

Ibrahim Kodra: Bota, një mrekulli e përzier me tmerr

A. PAPUÇIU

Para 30 vitesh, në shtator të vitit 1989 në Gjenevë, në kohën kur unë drejtoja Misionin shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, erdhi mjeshtri i madh, Ibrahim Kodra, ashtu siç ishte ai, fisnik, modest, komunikues.

Bios

Ibrahim Kodra lindi në 22 prill 1918 në fshatin Ishëm (Durr¸s). Në moshën 3 vjeç, ai ishte jetim dhe u rrit nga gjyshi i tij. Ai studioi në Shkollën e Mesme Teknike “Harry Fultz” në Tiranë dhe njëkohësisht u fut në një klasë pikture në shkollën e parë të vizatimeve nën drejtimin e skulptorit Odhise Paskali (Artist i Popullit). Në vitin 1938, falë një burse, ai realizoi ëndrrën e tij për të shkuar në Milano dhe për t’u regjistruar në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, ku mjeshtrit e tij të parë të pikturës ishin Carrà, Carpi dhe Funi, ndërsa në skulpturë, Francesco Messina. U përfshi në lëvizjet artistike të pasluftës, një periudhë që korrespondonte me epokën e surrealizmit, ekspresionizmit, kubizmit dhe futurizmit. Ibrahim Kodra, brenda këtyre formave të artit, realizoi rrugën e tij të veçantë që u quajt “primitivi i një civilizimi të ri”. Pa dyshim, Kodra ishte një nga më të dalluarit nga një brez piktorësh të viteve 1960-1970. Në vitin 1947, ai u takua me Paul Eluard dhe më 1948 me të famshmin Pablo Picasso. Në vitin 1953, ai mori pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Universitetit të Parisit dhe vazhdoi të ekspozojë veprat e tij në të gjithë botën. Kodra ka ekspozuar me Picasso, Chagal, Roualt, Dufy, Matisse dhe Modigliani në Ekspozitën Ndërkombëtare të Venecias. Punimet e tij gjenden në shumë antologji të artistit në muze të ndryshëm në Europë, Amerikë dhe në panaire të artit ndërkombëtar. Për më shumë se 30 vjet, ai jetoi në Milano, ku vdiq në 7 shkurt 2006. Piktori që kishte miqësi me artistët më të mëdhenj të epokës, nuk e harroi asnjëherë origjinën shqiptare. Nëna e tij dhe Shqipëria ishin gjërat më të shtrenjta për të. Vizatimet e para për nënën i ruajti gjatë gjithë jetës. Ndërsa flamurin shqiptar e mbajti me vete edhe në shtratin e spitalit ku mbylli sytë. Më 10 shkurt 2006, u organizuan homazhe në Teatrin e Operës dhe Baletit të Tiranës, për para se të merrte rrugën për në vendlindjen e tij, ku u varros. Trupi i piktorit prehet paqësisht para derës së kalasë antike në Ishëm. Shtëpia e tij në Milano u bë “Muzeu Ibrahim Kodra”, ku artistë, talente të reja dhe artdashës shkojnë të admirojnë veprat e tij. Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht. Në librin “Kujtime”, të shkruar nga Ibrahim Kodra, thuhet: “Ishte marsi i vitit 1984 dhe ekspozita ime ‘Fantastikja në art’ bëri shumë bujë, sepse gazetarët shkruanin se Kodra qëndron midis Da Vinçit dhe Mikelanxhelos”. Kaq mjafton për të zbuluar ngjashmëritë. Efekti i “V”- së, formuar në pikturën “Darka e fundit” të Da Vinçit, midis Krishtit dhe Maria Madalenës është një mesazh. Nëse Dan Braun, autori amerikan i romanit “Kodi i Da Vinçit” do të njihte dhe Ibrahim Kodrën, ndoshta do të gjente një hapësirë më të madhe për të zgjeruar idetë e tij.

E bëmë këtë digresion për të treguar se nëse në të kaluarën, figura e artistit të madh është anashkaluar te ne, sot ai kujtohet me respekt. Në vitin 1996, u nderua me titullin “Nderi i Kombit”. Ai ka një koleksion të pasur çmimesh, ku mund të evidentojmë: Medalja e Artë e Akademisë Franceze, Qytetar Nderi në shumë qytete të Italisë, çmimi “Ambrogini i Artë” nga Bashkia e Milanos. Një punë të mirë në këtë drejtim për njohjen e veprës së tij, bën fondacioni zviceran “Ibrahim Kodra”. Ky fondacion u themelua në Lugano për të transmetuar mesazhin e artit të artistit europian Ibrahim Kodra, si një instrument për paqen dhe kulturën, si një fije e përbashkët që lidh popuj të ndryshëm. Zonja Maria Pacolli, presidentja e këtij fondacioni me prestigj, tepër komunikuese, fisnike, modeste, por e angazhuar më së miri me këtë projekt, thekson se në bashkëpunim me institucione në Shqipëri, Kosovë, Itali dhe të tjerë, “Fondacioni mbështet dhe zhvillon projekte kulturore, sociale dhe edukative, duke promovuar shkëmbimin kulturor midis Zvicrës dhe vendeve të ndryshme të botës”. Falë bujarisë së donatorëve të tij, fondacioni mbështet projekte të reja kulturo-arsimore. Një prej tyre është dhe Projekti Wopart 2019 me temën “Arti dhe liria” që u prezantua nga fondacioni zviceran “Ibrahim Kodra”.

”Çdo fëmijë është një artist, por problemi është se si të mbetemi të tillë edhe kur të rritemi”, tha Pablo Picasso.
Po çfarë është liria? Çfarë është arti? Çfarë është liria e shprehjes? Fondacioni i bëri këto pyetje nxënësve të shkollës së Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan, Kosovë – brezit të ri të kësaj toke të vuajtur, e cila po rilind nga pasojat e rënda të
së kaluarës. Liria e shprehjes artistike është e lindur në çdo qenie njerëzore. Pra, përgjigjet më të bukura të pyetjeve që shtruam ne vetë, janë imazhet e artistëve të rinj, mënyra e tyre pozitive për të parë botën duke respektuar të tjerët dhe veten.

Top Channel

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 10, 2019 08:34

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA

PARTNER