Intervistë, Timonie: Presim me padurim funksionimin normal të parlamentit

Intervistë, Timonie: Presim me padurim funksionimin normal të parlamentit

Në një mega intervistë për Agjencinë e Lajmeve “Flaka” ambasadori francez në Republikën e Maqedonisë, z. Kristian Timonie ka shpalosur qëndrimet e shtetit që përfaqëson rreth zhvillimeve politike në Maqedoni. Ambasadori Timonie flet për miratimin e Ligjit për Gjuhët, refuzimin e presidentit Ivanov për ta nënshkruar si dhe paraqitjen e amendamenteve në Parlament nga partia opozitare, VMRO-DPMNE. Rreth bisedimeve me Greqinë për zgjidhjen e  kontestit për emrin, ambasadori Timonie thotë që kryeministrat e të dy vendeve tregojnë një vullnet dhe guxim të pashoq, që sipas mendimit të tij, është shenjë dalluese e burrështetasve. Ambasadori Timonie komenton edhe bojkotoin e dhomës ligjdhënëse nga VMRO-DPMNE, si dhe rolin e shoqatave joqeveritare që veprojnë në Republikën e Maqedonisë. Ambasadori u pyet të komenton edhe deklaratën që bëri jehonë në publik të deputetit Branko Manajllovski për homoseksualët, të cilin e quan njeri me mendje të hapur dhe guximtar. Edhe ngjarjet e dhunshme në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, ligji për amnisti, si dhe lidershipi i ri të VMRO-DPMNE-së, janë pjesë e trajtimit ne intervistën me ambasadorin francez në Maqedoni, z. Kristian Timonie.  

Intervistoi: Nevrij Ademi

FLAKA: Z. ambasador, duhet ta pranojmë që jeni një nga ambasadorët më aktiv të akredituar në Republikën e Maqedonisë dhe jeni një njohës i mirë i zhvillimeve politike që ndodhin në vendin tonë. Debati aktual politik në Maqedoni është miratimi i Ligjit për Gjuhët. Presidenti i shtetit refuzoi ta nënshkruan, kurse VMRO-DPMNE ka deponuar gati 35 mijë amendamente në Parlament. Cili është komenti juaj rreth kësaj teme ?

KRISTIAN TIMONIE: Në fakt, duke pasur parasysh ngërçin e tanishëm, ku ka aq shumë reforma të tjera prioritare e që janë të nevojshme dhe për të cilat do të ishte i mundur një konsensus eventual, shtrohet pyetja nëse ky ligj duhej të paraqitej, ashtu siç është bërë aktualisht. Ne presim me padurim funksionimin normal të parlamentit, që do të bëjë të mundur të harrohet nata e 27 prillit dhe do të mundësojë miratimin e agjendës së reformave prioritare, që po ngelet prapa dhe është vonuar.

FLAKA: Temë debati është edhe kontesti i emrit të Maqedonisë me shtetin fqinj, Republikën e Greqisë. Si diplomat me përvojë, mendoni që do të arrihet një marrëveshje mes palëve, derisa opozita në Greqi dhe Maqedoni paraqiten kundërshtare direkte apo indirekte e këtyre bisedimeve ?

KRISTIAN TIMONIE: Kryeministrat e të dy vendeve tregojnë një vullnet dhe guxim të pashoq, që sipas mendimit tim, është shenjë dalluese e burrështetasve. Shpresojmë që ky guxim do të vazhdojë edhe më tej dhe që llogaritjet dritëshkurta nuk do të ndikojnë në sabotimin e zgjidhjes, e cila do të mund të arrihej. Kjo zgjidhje duhet të sqarohet dhe qartësohet sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të konsiderohet si fitore e të dy vendeve dhe të gjitha palëve.

FLAKA: VMRO-DPMNE vazhdon të bojkoton punimet e dhomës ligjdhënëse. Shkak është bërë arrestimi i njerëzve që u akuzuan për dhunë në Parlament. Mendoni që është i drejtë ky bojkot i opozitës ?

KRISTIAN TIMONIE: Bojkoti afatgjatë nuk është asgjë, përpos se një shantazh dhe dëshmi e mungesës së pjekurisë politike: ai nuk paraqet asnjë zgjidhje. Mund të shfaq në mënyrë të përpiktë dhe të jashtëzakonshme një protestë, por në këto rrethana në të cilat gjendet vendi, bojkoti mban peng të ardhmeb e vendit; politikanët përgjegjës duhet të punojnë për ta kapërcyer atë. Në këtë drejtim meriton të përshëndetet dhe lavdërohet kryeparlamentari për përpjekjet e tij, me qëllim rivendosjen e funksionimit normal të këtij institucioni.

FLAKA: Si do të komentoni qasjen e institucioneve për të zbardhur ngjarjen në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë. Cili është vlerësimi i juaj për arrestimin e disa deputetëve që u dyshuan për nxitje të dhunës në Parlament ?

KRISTIAN TIMONIE: Rrethanat ligjore të arrestimeve po debatohen dhe kryetari i Kuvendit është shprehur për këtë rast. Gjëja thelbësore është, megjithatë, se nxitësit e dhunës së papranueshme janë identifikuar dhe dënuar për masën e veprimeve të tyre, dhunë kjo që ishte një goditje ndaj kredibilitetit të të gjithë vendit. Si i pranishëm në vendngjarje, isha i tronditur nga vonesa e ndërhyrjes së forcave policore, përkundër urdhrave të ministrit kompetent; andaj duhet shlyer edhe ky detyrim, për të kaluar në një faqe tjetër të rrëfimit.

FLAKA: Aktuale është edhe ligji për amnisti që u dedikohet kategorive të caktuara të personave të burgosur. Si do ta vlerësonit këtë ligj, dhe a mendoni që do të zbus gjendjen nga mbipopullimi në të cilën ndodhet burgjet e Maqedonisë ?

KRISTIAN TIMONIE: Ka ndodhur edhe në Francë që vendime të tilla janë sjellur për të zbutur gjendjen e mbipopullimit dhe mbingarkimit të burgjeve; është e qartë se është një e keqe më e vogël, andaj opinioni publik është paksa i kënaqur: por është i nevojshëm një reflektim në nivel evropian mbi vlerën e burgosjes përtej dënimit; Maqedonia pa dyshim se do të duhet gjithashtu të arrijë në atë pikë, por secili vend ka kulturën e vet në këtë fushë: kohët e fundit është konstatuar se parapëlqehet burgimi para gjykimit ose konfiskimi i pasaportave, ndërsa ikjet jashtë vendit janë të rralla.

FLAKA: VMRO – DPMNE mbajti kongres dhe u zgjodh kryesia e re e partisë. Mendoni që VMRO – DPMNE po reformohet ?

KRISTIAN TIMONIE: Takimet e para që kam pasur me udhëheqësit e rinj të kësaj partie, më duken inkurajuese. Por megjithatë, pema do të vlerësohet sipas frutave; statuti i ri i partisë do të jetë një mundësi për të realizuar rrjedhën e re të gjërave dhe ngjarjeve; do të shohim nëse angazhimi i tyre i prokamuar në dobi të integrimit evropian është real në terrenin parlamentar dhe legjislativ: kjo është ajo që ka rëndësi, në fund ; duhet ditur se si të hapet faqja e re pa u mbërthyer në pakënaqësi.

FLAKA: Një vendim i debatueshëm ishte largimi i partisë, Aleanca për Shqiptarët nga koalicioni qeveritar. Kryeministri vendosi që postin e Ministritë të Shëndetësisë ta mbaj për partinë e tij, kurse lideri i ASH-së, Ziadin Sela nuk pranoi të vazhdonte qeverisjen  pa këtë dikaster ministror. Si do ta komentonit këtë moment politik ?

KRISTIAN TIMONIE: Kjo ngjarje është pa dyshim e rëndësishme për ca individë apo për politikat e ca partive, por duhet të konsiderohet më tepër si sfidë me të cilën do të duhet të ballafaqohet vendi në muajt e ardhshëm.

FLAKA: Kur jemi te presidenti i shtetit, George Ivanov. Në disa raste, Ivanov sillet konform politikave të VMRO-DPMNE-së dhe shpeshherë është quajtur si president partiak. Cili është vlerësimi juaj për punën e tij si president ?

KRISTIAN TIMONIE: Franca ka përjetuar kohabitacionin e Presidentit dhe Kryeministrit të shumicave të ndryshme: pas ca fillimeve paksa të vështirë, ishte interesi kombëtar ai që prevalonte dhe mbizotëronte; duhet të ndodh e njëjta gjë edhe këtu, për sa kohë që të gjithë e vendosin veten e vet në respektimin e fuqive kushtetuese.

FLAKA: Në Maqedoni më së shumti filet për politikë, por ka edhe ekonomi, art, kulturë, sport dhe zhvillime të tjera shoqërore. Një deklaratë që bëri jehonë në publik ishte deklarata e deputetit Branko Manajllovski për homoseksualët. Konsideroni që në Maqedoni kjo kategori shoqërore është e diskriminuar ?

KRISTIAN TIMONIE: Deputeti Manojlovski, në cilësinë e deputetit më i vjetër të Parlamentit, është një njeri me mendje të hapur dhe guximtar. Ai na nderoi duke pranuar ftesën për festën tonë kombëtare, e cila është gjithashtu edhe kremtim i të drejtave të njeriut, dhe me këtë rast ai u takua me kryetarët e dy organizatave që punojnë për të drejtat e komunitetit LGBTI. Ka një zhvillim pozitiv në përgjithësi, i pabarabartë te të gjithë komunitetet, por duhet vazhduar në këtë fushë, sikurse edhe në fushat tjera, siç është dhuna ndaj grave apo gjendja e romëve. Në lidhje me këtë temë specifike kam matur rëndësinë e pranisë së Kryeministrit në ndarjen e çmimit franko-gjerman për të drejtat e njeriut, të cilin i`a kemi ndarë së bashku me kolegun tim gjerman, kryetarit të shoqatës LGBT UNITED nga Tetova.

FLAKA: Për fund, një pyetje që lidhet me sektorin joqeveritar. Si e vlerësoni rolin e shoqatave joqeveritare që veprojnë në Republikën e Maqedonisë ? A është duke e luajtur rolin e vet Sektori Joqeveritar ?

KRISTIAN TIMONIE: Përveç këtij shembulli të jashtëzakonshëm, kam pasur rastin të takohem përmes programit tonë të mbështetjes së OJQ-ve, individë që janë efikasë dhe të përkushtuar ndaj kauzave të interesit të përgjithshëm. OJQ-të luajtën një rol të shquar në potencimin e devijimeve anti-liberale të vlerave demokratike dhe të të drejtave të njeriut. Aktualisht, shoqatat joqeveritare duhet të marrin përsipër sfidën e pjesëmarrjes në një ndryshim (alternim), që është besnik ndaj këtyre vlerave, pa revanshizëm dhe pa vetëkënaqësi. Transicionet ende të papërfunduara ose regresionet e sundimit të ligjit brenda vetë Bashkimit  Evropian.

FLAKA:  Z. ambasador, ju falënderojmë për respektin që treguar dhe për kohën që e ndatë për të shpalosur qëndrimet e juaja rreth aktualiteteve politike në Maqedoni.

KRISTIAN TIMONIE: Falenderimi u takon juve. flaka.com.mk 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shkurt 13, 2018 20:00 I përditësuar
Loading...

Publicitet

Moti sot
6°
4°
Thu
3°
Fri
3°
Sat
-2°
Sun

ARKIVI I LAJMEVE