#Investigim | Vjedhjet nëpër objektet e kultit, vjedhësit tanimë kanë kaluar përtej vijës së kuqe

#Investigim | Vjedhjet nëpër objektet e kultit, vjedhësit tanimë kanë kaluar përtej vijës së kuqe

Të mërkurën rreth orës 8, në Policinë e Tetovës është denoncuar vjedhje e ndodhur në Xhaminë “Dardania” që ndodhet në rrugën “29 Nëntori”, njofton Agjencia Nacionale e Lajmeve Flaka, duke u thirrur në buletinin policor. 

Sipas dëshmive të deponuara në Polici nga personat përgjegjës të Xhamisë, vjedhja ka ndodhur brenda pesë ditëve të kaluara.

“Persona të panjohur, sipas të gjitha gjasave kanë shfyrtëzuar dritaren në katin përdhes të Xhamisë për të hyrë brenda objektit. Pasi kanë hyrë brenda, ata kanë grabitur një presë kullose dhe të pavërejtur nga askush kanë braktisur vendin”, deklaruan nga Policia e Tetovës.

Pas denoncimit, Policia u vë në kërkim të autorëve dhe zbardhjes së rastit.

Sakaq, kjo grabitje në objekte kulti nuk paraqet ndonjë përjashtim apo rast të izoluar. Raste të tilla të vjedhjeve nëpër Xhami dhe Manastire, tashmë janë bërë dukuri e zakonshme.

 

Gjendja e rënduar sociale dhe ekonomike, krahas pasojave të tjera në rrafshin social, shoqërohet edhe me rritje drastike të rasteve të vjedhjeve. Thellimi i krizës sociale dhe ekonomike, ka thelluar edhe fushëveprimin e autorëve të vjedhjeve. Buletini i policisë për çdo ditë pasqyron raste të vjedhjeve të kryera thuajse në çdo vend, në çdo formë dhe në çdo kohë. Grabitësit nuk zgjedhin mënyrën dhe mjetet për të arritur deri te qëllimi.

Profesori universitar Ali Pajazi, thotë se vjedhësit tanimë kanë kaluar përtej vijës së kuqe.

“Vënia dorë mbi shenjtëritë, objektet fetare, depërtimi në hapësirat e diskrecionit të njerëzve flasin se vjedhësit tanimë kanë kaluar përtej vijës së kuqe. Rreziku qëndron në atë që ky fenomen dalëngadalë po shndërrohet në trend, pra një grup të rinjsh dalëngadalë po fillojnë të identifikohen me aktin e jetesës ditore me gjërat e vjedhura, dhe kjo te ky grupim po shndërrohet në sjellje ordinere, pra pa u bërë syri pët, rrëfejnë për atë që kanë marrë gjatë gjahut të natës. Nëse kjo shkon duke u masovizuar, rrezikohet anija jonë kolektive”, theksoi Pajaziti.

Sipas tij, ngjarjet e fundit në vendin tonë flasin për një dukuri në rritje e sipër, për faktin që mund të kalojë deri te psikologjikja: kleptomani, pasion marramendës dhe patologjik për të vjedhur, për të hyrë edhe aty ku s’bën për të grabitur a plaçkitur.

“Shikuar në aspektin sociologjik, vjedhjet, gjegjësisht tendenca për të vënë dorë mbi mallin apo pronën e tjetrit, qoftë ajo individuale, kolektive a publike, përbëjnë një dukuri është refleksion i një shoqërie krizologjike, i një shoqërie që përballet me lëkundje të natyrave të ndryshme, por para së gjithash të natyrës morale. Në këtë drejtim janë evidente edhe problemet e sferës ekonomike dhe sociale, pra kriza financiare dhe shoqërore, por ama faktori i drobitjes morale të individualitetit është determinant”, vijon Pajaziti.

Sipas tij, edhe papunësia mund të jetë faktor, pra njeriu që s’ka për të blerë gjërat elementare të jetesës, më në fund vendos të bëjë aktin e vjedhjes, por Pajaziti thotë se vjedhësit e sodit i vërehen që pinë kafe nëpër kafene të shtrenjta, me rroba si të të gjithë të tjerëve, madje edhe duke rrëfyer për “heorizmin banal”.

“Na mungon dhe çalon në përgjithësi procesi i eticizimit, edukimit të brezave. Vjedhje ka pasur dhe do të ketë, por ama nuk guxojmë të lejojmë që të vijmë në situatë kur s’jemi të sigurt as në rrugës, as në shkollë, as në darsëm, as në shtëpi…. Prindërit dhe shkolla, edhe mediat, ligjëratat fetare duhet të luajnë rolin e tyre socializues dhe humanizues për ta bërë të minimizuar skajshmërisht këtë dukuri negative.

Policia njofton thuajse vazhdimisht për vjedhje të ndodhura në objekte fetare, Kisha dhe Xhamia. Se kriza sociale thellohet çdo ditë e më tepër, flasin edhe rastet e tentimeve për vjedhje edhe nëpër varreza të vjetra. flaka.com.mk

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shkurt 8, 2018 13:12
Loading...

REKLAMA

PARTNER

Maqedoni
10°
19°
Fri
17°
Sat
13°
Sun

ARKIVI I LAJMEVE