ITSHKSH nënshkroi protokoll bashkëpunimi me “Vardar film Maqedoni”

ITSHKSH nënshkroi protokoll bashkëpunimi me “Vardar film Maqedoni”

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve sot u nënshkrua memorandum bashkëpunimi me Institucionin Nacional të Qendrës së Filmit “Vardar Film Maqedoni”, të cilin e nënshkruan dy drejtorët e institucioneve përkatëse, Skender Asani për ITSHKSH dhe Naser Curri për “Vardar Film Maqedoni”.

Me këtë rast drejtori Asani deklaroi se: “Ky është një ogur i mirë për të vënë ura bashkëpunimi me institucionin më të rëndësishëm të prodhimit të filmit në vendin tonë, në mënyrë që kështu të punojmë në projekte të përbashkëta për afirmimin e kulturës dhe, në përgjithësi, të trashëgimisë. Përmes këtij protokolli neve na hapen rrugë për projekte të përbashkëta dhe qasje në fonde që sigurisht do të ndihmojnë në avancimin e jetës kulturore në vend”.

Drejtori i “Vardar Film “Maqedoni”, Naser Curri, pasi u falënderua për këtë mundësi, shprehu kënaqësinë që tashmë edhe zyrtarisht krijohen mundësi bashkëpunimi me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. “Synimi ynë është që resurset tona të këmbehen dhe kapacitetet të bashkohen për të prodhuar projekte kulturore që do të jetë tejkohore”, deklaroi drejtori Curri pas nënshkrimit të protokollit.

Me këtë memorandum parashikohet që dy institucionet të aplikojnë në projekte të përbashkëta dhe të organizojnë bashkërisht ngjarje kulture dhe aktivitete të tjera që janë në fokusin e punës së tyre.

Dy nënshkruesit deklaruan se opinioni së shpejti do të njoftohet edhe me nismat dhe projektet konkrete të këtyre dy institucioneve. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Qershor 12, 2019 22:56

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.