Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, kontroll pronës së gjykatësve e prokurorëve

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, kontroll pronës së gjykatësve e prokurorëve

Duke filluar nga viti 2020, Komisioni për Anti-korrupsion do të kontrollojë gjendjen pronësore të gjykatësve dhe prokurorëve publikë.

Nga ky komision kumtojnë se kjo do të jetë pjesë e planit vjetor për ndjekjen e gjendjes pronësore dhe ndeshjes së interesave, duke u bazuar në analizën e bërë dhe vlerësimin e rrezikut nga korrupsioni në disa fusha. Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se nevojitet përgatitje e strategjisë nacionale për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave.

“Në bazë të rreziqeve të konstatuara në analizë, jurisprudenca është vlerësuar si shtyllë me rrezik të lartë nga ndikime korruptive dhe të tjera, nga kjo bartësit e funksioneve të kësaj shtylle (gjykatësit dhe prokurorët publikë) do të jenë pjesë e planit vjetor për ndjekjen e gjendjes pronësore dhe ndeshjes së interesave për vitin 2020”.

Gjendja pronësore do të kontrollohet përmes të dhënave në listat anketuese, si dhe kontrollit të gjendjes pronësore nëse ka dyshime të bazuara se prona e personit është rritur në përmasa të mëdha në krahasim me të ardhurat e tij të rregullta dhe të ardhurat e anëtarëve të familjes. Nga Komisioni për Anti-korrupsion thonë se kontrolli i gjendjes pronësore është kompetencë e re e Komisionit, andaj është i nevojshëm përforcim i kushteve teknike, materiale dhe rersurseve njerëzore si dhe inkuadrimi i organeve të tjera hetuese, për shkak se bëhet fjalë për numër të madh prej rreth 600 gjykatësve, gjykatësve porotë dhe prokurorëve publikë.

Por, kryeministri, Zoran Zaev, ka kërkuar që përveç Komisionit për Anti-korrupsion, të inkuadrohen edhe Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve publikë, të cilët do ta hetonin profesionalizmin dhe përgjegjësinë, sidomos gjatë vendimeve për lëndë të vjetruara.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE kanë vlerësuar se Qeveria deri më tani nuk ka bërë asgjë për sistemin e jurisprudencës. Njëherit paralajmërojnë se do të propozojnë ligj me të cilin do të mundësohet kontroll i prejardhjes së pronës së gjykatësve dhe prokurorëve, përfshirë edhe bartësit e funksioneve publike dhe politikanët si dhe hetim për prokurorë dhe gjykatës.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 2, 2019 19:25

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.