Korita, fshati me veçori unikate dhe që po shuhet për çdo ditë

Korita, fshati me veçori unikate dhe që po shuhet për çdo ditë

Banorët e fshatit, të ndikuar nga theksi dhe dialekti i tyre, mes veti fshatin e tyre e quajnë “Karitë”. Fshati është i shtrirë në një lartësi mbidetare prej 1400 metrash. Nga e kaluara historike e fshatit Koritë mund të konstatohet se ky fshat ka qenë i banuar një qind për qind me popullatë autoktone shqiptare. Fshati Koritë shtrihet në juglindje të qytetit të Gostivarit. Në letërnjoftimin e fshatit Koritë figurojnë 11 mëhallë. Popullata e fshatit dallohet duke folur gjuhen shqipe te pastër. Gratë e fshatit Koritë në të kaluarën e afërt kultivonin edhe veshjen e tyre autoktone. Dikur mbi 1 mijë banorë, aktualisht fshati Koritë numëron vetëm 30 familje dhe rreth 100 banorë. Shkak është bërë migrimi dhe mërgimi masiv i banorëve të këtij fshati

Driton ZENKU

Është një nga fshatrat e vetme me veçori dalluese për nga dialekti gjuhësor i popullatës. Veçori tjetër ka edhe konfiguracionit gjeografik dhe është e shtrirë në një lartësi mbidetare prej 1400 metrash. Fjala është për fshatin Koritë të rrethinës së Gostivarit.

Banorët e fshatit, të ndikuar nga theksi dhe dialekti i tyre, mes veti fshatin e tyre e quajnë “Karitë”. Nga e kaluara historike e fshatit Koritë mund të konstatohet se ky fshat ka qenë i banuar një qind për qind me popullatë autoktone shqiptare. Popullata e fshatit dallohet duke folur gjuhen shqipe te pastër, duke mos përdorur barbarizma nga gjuhë të huaja.

Banorët e fshatit Koritë, dhe veçmas gratë, në të kaluarën e afërt kultivonin edhe veshjen e tyre autoktone. Kostumi është pagëzuar si terik me shype dhe me korp me oja. Në fotografi shihet veshja e nuses, e cila karakterizohet për nga shumësia e stolive, gjersa kostumi i vajzave është më i thjeshtë. Është kostum i ngjashme me vendbanimet e Rekës së epërme dhe disa lokaliteteve të tjera, siç është Sallareva dhe disa fshatra të tjera.

Lidhshmëria mes luginës së Rekës dhe Koritës, është e madhe. Konsiston tek dialekti gjuhësor, kostumet dhe shumë ngjashmëri të tjera. Sipas gojëdhënave, thuhet se fshati Koritë e ka prejardhjen nga një çoban i anës së Rekës. Një veçori tjetër e popullatës koritase është bujaria, çiltërsia dhe
atdhedashuria. Është një nga fshatrat shqiptare ku është gjendur në front të luftës atdhetari i Ballit kombëtar, Xhemë Hasa. Është një vend malor i cili shtrihet në Malin e Thatë.

Fshati  Koritë shtrihet në juglindje të qytetit të Gostivarit. Është një vendbanim rural dhe malor që shtrihet në mes të bjeshkëve të malit të thatë. Në letërnjoftimin e fshatit Koritë figurojnë 11 mëhalla, edhe atë mëhalla e Reçëve, Dervishëve, Kodrallarëve, Puhillat; Bahullat, Bardhat, Xakët, Karabashët, Shahinallarët; Sharovallaret dhe Kacipulat. Fshati Koritë ë anën e saj jugore kufizohet me fshatin Tërnovë, në anën perëndimore me fshatin Çajlë, Forinë dhe Çegranë, në anën veriore kufizohet me fshatin Gurguricë dhe Vollkovi, ndërsa në anën lindore kufizohet me fshatrat e Poreçit, si fshatin Bitovë dhe fshatin Vollçe.

Fshati Koritë aktualisht numëron rreth 120 shtëpi. Në fshat funksionon ambulanca, shkolla dhe xhamia. Fshati Koritë për nga madhësia sipërfaqësore llogaritet si fshati më i madh në komunën e Gostivarit, me një sipërfaqe prej 31,7 km². Në këtë fshat, si zakonisht të ardhurat kryesore sigurohen nga mërgimtaret, pjesa tjetër e popullatës i siguron të ardhurat një pjesë të madhe nga blegtoria, pylltaria dhe veprimtari tjera individuale.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Koritë, Mahir Bekteshi thotë se katër familje të fshatit, aktualisht ekzistencën e sigurojnë nga kultivimi i dhenve. Janë gjithsej 1500 kokë dhensh që kullotin bjeshkëve të Koritës, edhe pse në kohërat e më hershme, ky numër ka qenë shumëfish më i madh. Fshati Koritë llogaritet edhe si vatër e intelektualëve të shumtë. Është arsimtari i ndjerë Malik Azizi, si dhe inxhinieri i parë nga ky fshat Bilall Selimi, të cilët po ashtu plasuan rrugën e dijes dhe përparimit të banorëve të fshatit, dhe të cilët në formë misterioze u vranë nga sistemi i kaluar monist. Banorët e fshatit, me plotë të drejtë këto dy personalitet i llogarisin edhe si “truri” i fshatit. Në këtë kontest, duhet përmendur gazetarin Kasam Selimi, dhe shumë e shumë personalitete të tjera që shquhen në profesionin e tyre.

Përpjekje për të rikthyer gjallërinë e fshatit

Në gusht të vitit të kaluar, atëherë kur në vendlindje ndodhen mërgimtarët, në fshatin Koritë u realizua manifestim i parë dhe i përbashkët i gjithë banorëve të këtij fshati i quajtur “Korita Feston”, ku morën pjesë me qindra qytetarë me origjinë nga fshati Koritë. Nga këshilli organizativ shpresojnë që ky manifestim të bëhet i përvitshëm. “Është një manifestim i përbashkët i gjithë fshatarëve të Koritës pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe veprojnë.

Të gjithë u ftuan që familjarisht të marrin pjesë në manifestim. Shpresojmë që kjo datë të mbetët datë festive për çdo vit për fshatin tonë”, thonë Havzi Selimin dhe Nazif Nuhiun nga Këshilli Organizativ. Banorët e fshatit Koritë janë shprehur të kënaqur që u mbajt ky manifestim i cili
për herë të parë i mblodhi në një vend të gjithë banorët e këtij fshati dhe ata me origjinë nga ky fshat. Manifestimi i u shoqërua me vallëzim, këngë dhe ushqim.

Toponimet si veçori e banorëve të Koritës

Dialekti gjuhësor i koritasve vjen në shprehje edhe tek toponimet e lokaliteteve brenda fshatit. “Arën pjellore” të fshatit e quajnë si gropa e gjatë, “tri shtungat” quhet një vend i ngushtë shkëmbor. “Taul” i thonë kodrinës më të lartë të fshatit. “Gjyle” e quajnë vendin ku mendohet se ka rënë një gjyle, ndërsa samar e quajnë një lokalitet që ka formën e samarit.

“Topallët” quhet një lokalitet tjetër ku ka plepa dhe puse, ndërsa “kodra e lartë” është pagëzuar bjeshka më e lartë e fshatit. “Mbas bregut” banorët e fshatit e quajnë një lokacion ku nuk duket asgjë. “Bjeshka e madhe”, për banorët e Koritës aludon në bjeshkë me sipërfaqen më të madhe në fshat. Vendi i quajtur “Bunarët e vjetra”, quhet vendi me puse të ndërtuara në të kaluarën, kurse vendi i quajtur “Bunarët e ri”, llogaritet lokaliteti ku janë
krijuar puset e reja.

Banorët ankohen se dikush ua “vjedh” malin

Ashtu si çdo vendbanim tjetër, edhe fshati Koritë po përballet me shumë sfida. Së fundmi, banorët e Koritës ankohen se institucionet e shtetit po tentojnë të grabisin një pasuri të tyre natyrore, për të cilën janë kujdesur brez pas brezi. Fjala është për malin e quajtur “Jallovdoll” e që kufizohet me fshatin e tyre.

Njëzëri, banorët pretendojnë se sipërfaqja malore me të cilën ekonomizohet aktualisht nga firma tenderuese e shpallur nga Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë”, është pronë e fshatit, dhe se për menaxhimin e kësaj hapësire vetëm ato vendosin se çka duhet të bëhet. Ato thonë se bëhet fjalë për mal të thatë që nuk mund të rikuperohet me shekuj pastaj.

“Ne këtë mal e kemi mbrojtur vet. Unë si e kam parë në jetën time e kemi ruajtur njeri prej tjetrit këtë mal, nga vëllai prej vëllait, katundari prej katundarit.

Është ruajtur ky vend, thotë dikush se është vend i “drzhavës”, edhe ne jemi të “drzhavës”, në qoftë se “drzhava” donë të na shpërngule prej këtu neve atëherë do shkojmë diku në pustelinë. Atë vend ne e kemi si bahçen tonë, e kemi ruajtur si bahçen tonë njeri tjetrin e kemi dhënë. Unë vëllain tim e kam paraqit dhe kam thënë se ruajeni se ka shkuar sonte në Jallovdoll për të prerë drunj. Kam qenë imam i fshatit dhe e kanë kapur vëllain tim në mal dhe e kanë gjobitur. Ne këtij vendi nuk i e biemi inqar dhe ta shkelim dhe në qoftë se njëri tjetrin ta japim më mirë të ngrihemi dhe të mos rrimë në këtë fshat. Ai mal neve na bën idare, tjetër mal ne nuk kemi. Ne e kemi atë si bahçen tonë, sikush që e kemi ruajtur, “shumar” nuk ka pas ta ruaje. Vëllai vëllanë e ka ruajtur”, shprehet Sefer Emini, imam i Xhamisë së fshatit Koritë. Një kontest i hapur i banorëve të fshatit Koritë, mbetet edhe përvetësimi i një hapësire bukur të mirë malore nga komuna e Makedonski Brodit. Ato thonë se padrejtësisht u aneksua ky territor që i takon fshatit të tyre.

Migrimi si plagë e hapur e fshatit

Gjatë të kaluarës historike, numri i popullsisë së fshatit Koritë ka shënuar në përgjithësi një  shtim të pandërprerë, edhe pse ka pasur periudha kohore ku numri i popullsisë ka stagnuar.

Por, 20 viteve të fundit, migrimi dhe mërgimi kanë ndikuar tej mase në zvogëlimin e numrit të popullatës në këtë fshat. Përskaj faktit se thuajse gjysma e shtëpive janë ndërtime të reja, numri i familjeve të fshatit thuajse është përgjysmuar në dy dekadat e fundit. Kasam Selimi me prejardhja nga ky fshat, dhe prej tetë vitesh i shpërngulur në Gostivar, thotë se aktualisht të evidentuar janë 700 banorë, por realisht në fshat nuk jetojnë më tepër se 30 familje dhe rreth 100 banorë. Të dhënat numerike për popullsinë e fshatit Koritë datojnë që nga periudha osmane 1455 e deri më sot. Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Koritë, Mahir Bekteshi thotë se në vitin 1455 fshati Koritë ka numëruar 208 banorë, në vitin 1467 numri i popullatës
ka qenë 312 banorë, në vitin 1568 janë numëruar 280 banorë), në 1921 ka pasur 403 banorë, në vitin 1942 numri i popullatës është uluar në 330 banorë, në vitin 1948 ka pasur një rritje prej 578 banorëve), në 1953 po ashtu ka shënuar rritje numri i banorëve, edhe atë 638. Në vitin 1961 ka pasur 718 banorë), në vitin 1971 janë llogaritur 926 banorë, në vitin 1981 numri ka rënë në 875 banorë, në vitin 1987 janë numëruar 865 banorë, në vitin 1992 numri ka qenë 910 banorë, në vitin 1994 janë numëruar 715 banorë, dhe në vitit 2002 fshati Koritë ka pasur 783 banorë. Përveç të dhënave të lartpërmendura, gjatë regjistrimeve të bëra në kohë të ndryshme, numri i familjeve ka pasur oscilime të ndryshme. Në vitin 1455 ka pasur 21 familje, duke arritur deri në 120 familje në vitin 1925 dhe 122 familje në vitin 1971, duke pësuar zvogëlim të numrit të familjeve në vitin 2002 në 114 sosh. Në shënimet e para statistikore-tatimore e gjejmë në defterin regjistrues kadastral Nr.4 të viteve 1467-68 të perandorisë osmane. Nga defteri i zgjeruar regjistrues Nr.12 të shekullit XV Bleni III, botuar nga ana e Arkivit të Maqedonisë,Shkup 1976, shkruan se fshati ka pasur 26 Familje dhe 6
beqarë. Migrimi në vendbanimet përreth, kryesisht në Gostivar dhe Tetovë, por edhe mërgimi në vendet e jashtme, ka ndikuar edhe në bankat shkollore. Aktualisht, vetëm 16 nxënës po ndjekin mësimet në shkollën e fshatit me emrin “Përparimi”.

Ambasadorët e fshatit Koritë !

Fshati Koritë nuk është një toponim i panjohur në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky fshat është përmendur në masmedia sa herë që është përmendur emri i Nuri Seferit dhe vëllait të tij Sefer Seferi. Pikërisht ky fshat, është vendlindja e dy boksierëve shqiptarë të njohur në ringjet botërore. “Familja Seferi, edhe pse prej vitesh jashtë vendlindjes, në asnjë moment nuk hoqën dorë nga fshati i tyre. Sa herë që kthehen nga mërgimi, është e pamundur që të mos e vizitojnë fshatin dhe shtëpinë e tyre. Madje, ato kanë ndihmuar financiarisht edhe në realizimin e disa projekteve infrastrukturore për fshatin”, thotë Selimi, i cile me mburrje potencon se vëllezërit Seferi janë ambasador të denjë të fshatit Koritë, për çka dhe krenohen.

Një emër tjetër i njohur dhe që është me prejardhje nga fshati Koritë, është edhe solistja Hava Bekteshi. Edhe pse jeton dhe vepron në Gjermani dhe e rrethuar çdo ditë me një shoqëri me kulturë tjetër, edhe pse ka mbaruar fakultetin e ekonomisë, pasioni i saj shpirtëror është një “nuancë” krejtësisht e kundërt nga përditshmëria e saj. Është folklori dhe çiftelia të cilat kanë zënë rrënjë në shpirtin e saj. Këtë është duke e bërë më së miri, madje në televizione dhe festivale gjermane, krahas pjesëmarrjes në festivalet e organizuara në trojet shqiptare.

Rruga që mori jetën e katër banorëve të fshatit

Për të arritur në fshatin Koritë e që graviton në një lartësi mbidetare prej mbi 1 mijë metra lartësi, vërtetë paraqet një sfidë në vete. Edhe pse rruga është e asfaltuar, mungojnë rrethojat anësore të sigurisë. Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Koritë, Mahir Bekteshi, thotë se mungesa e rrethojave mbrojtëse përgjatë rrugës edhe ashtu me rrezik të lartë për qarkullim të automjeteve, është një brengë e madhe për banorët e fshatit Koritë. Situata ende më tepër paraqitet shqetësuese sidomos tani në periudhën e stinës së dimrit, kur kihet para sysh fakti se kjo rrugë është rrugë malore, me kthesa dhe lartësi të lartë mbidetare. Bekteshi thotë se kjo rrugë ka marrë jetën e katër banorëve të fshatit, por se këtë vit kanë marrë garancë nga drejtuesit e Komunës së Gostivarit për zgjidhje të shpejtë të problemit. Projekti tashmë është përgatitur dhe mjetet financiare janë siguruar. Në bashkëpunim me Byronë për Zhvillim Rural, brenda vitit do të bëhet realizimi i këtij projekti. Me vendim të këshillit komunal, është dhënë leje për kofinancim të projektit për vendosjen e mburojave përgjatë rrugës nga fshati Çegran deri në fshatin Koritë.

Nga buxheti i komunës së Gostivarit do të ndahen 1 milion denarë nga vlera e përgjithshme prej 2 milion denarë. Mjetet tjera prej 1 milion denarë do të sigurohen nga Byroja për zhvillim rajonal, si institucion partner në realizimin e projektit. Të flitet dhe të shkruhet për historikun dhe të tashmen e fshatit Koritë, është një punë që do të kërkonte shumë mundë dhe kohë. Vërtetë ka se për çka të flitet dhe të shkruhet. Ky është vetëm një letërnjoftim i shkurtër për fshatin me veçori dalluese dhe ku ruhet tradita kombëtare shumë më herët se periudha osmane e viteve 1400 e këndej. FLAKA

 

 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 6, 2018 14:21

PUBLICI8

Sondazhi

Vlerësimi juaj për vitin 2018 ?
Maqedoni
1°
0°
Mon
-4°
Tue
-1°
Wed

ARKIVI I LAJMEVE