KORRIGJIMI I SË KALUARËS. Një libër historie për gjithë shqiptarët

KORRIGJIMI I SË KALUARËS. Një libër historie për gjithë shqiptarët

Studiuesit dhe historianët shqiptarë kërkojnë që Maqedonia e Veriut të formojë një komision të posaçëm i cili do të merrej me korrigjimin e gabimeve në librat shkollor të historisë në gjuhën shqipe. Ato thonë se krahas komisioneve ndër-shtetërore me Bullgarinë dhe Greqinë, tani është momenti që të formohet edhe një komision i veçantë për çështjen shqiptare në librat shkollor

Formimi i komisioneve ndërshtetërore midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë për korrigjimin e gabimeve në librat shkollor të historisë, është konsideruar si një hap serioz në drejtim të përmirësimit të raporteve ndërfqinjësore dhe motiv për aspiratat euro-atlantike të vendit. Nga ana tjetër në librat shkollor të historisë nëpër shkollat e vendit janë hasur me qindra shtrembërime të fakteve në transmetimin e historisë shqiptare, shkruan gazeta KOHA.

Edhe pse ky avaz zanafillën e ka shumë të hershme, megjithatë studiuesit dhe historianët shqiptarë vlerësojnë se ky ka qenë momenti që të formohet edhe një komision i veçantë, krahas atyre ndër-shtetërore i cili do të merrej posaçërisht me korrigjimin gjegjësisht shënimin e drejt dhe real të historisë shqiptare në librat shkollor.

“Nevojitet një Komision që historia të shkruhet në mënyrë reale. Këtu po shkohet me një mënyrë strategjike, apo tendencë që të vazhdohet me frymën e njëjtë. Shqiptarët nuk duhet ta lejojnë këtë moment historik që të tejkalon. Propozimi im si historian dhe studiues është që përveç komisioneve me Bullgarinë dhe Greqinë të krijohet edhe një komision i posaçëm për tekstet mësimore për popullin shqiptar. Sepse dihet fortë mirë që populli shqiptarë është autokton në këto treva dhe nuk ka të beje vetëm me Shqipërinë. Ne duhet ta shkruajmë historinë lokale, tonën, historinë e shqiptarëve të Maqedonisë e cila për fat të keq nuk është as një për qind e përfaqësuar në tekstet mësimore. Në këto momente kur Maqedonia e Veriut po drejtohet drejt strukturave euro-atlantike, ne nuk mund të flasim vetëm për fyerje, por duhet të shkruhet historia e vërtet e shqiptarëve të këtyre trevave”, deklaroi për gazetën KOHA, dr. Skender Asanin, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH). Sipas tij, komisionet të cilat janë formuar me Bullgarinë dhe Greqinë, për të rishikuar historinë që nuk bie ndesh mes dy popujve, nuk është në nivelin e duhur dhe nuk është e hartuar mirë si duhet nga pala e Maqedonisë së Veriut, si në aspektin e përbërjes, po ashtu edhe në aspektin shkencor.

“Ka shumë devijime nuk ka një orientim të qartë se çka duhet të arrihet dhe shkohet në këto bisedime që të dalin sa për të dalë prej një momenti, një ngërçi apo krize momentale. Këtu pala shqiptare nuk është marrë parasysh fare, edhe pse në ato komisione ka ndonjë shqiptarë. Edhe me palën bullgare dhe me palën greke, historia e popullit shqiptarë në këto treva duhet të merret parasysh. Mendoj se përsëri po bëhet një gabim i cili do të na kushtojë në të ardhmen, sepse gabimet do të vijnë vetvetiu duke i shtjelluar dokumentet faktet historike. Prekja e antikitetit, mesjetës dhe kohës më të re, që ka të bëjë me territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut prek drejtpërdrejt edhe historinë e popullit shqiptar. Për fat të keq këto problematika të shqiptarëve, neglizhohen ndoshta edhe në mënyrë të qëllimshme. ITSHKSH, por edhe unë si historian dhe studiues, kemi shumë vërejtje në qasjen e këtyre bisedimeve, sidomos në gabimet historike sepse ato po shihet që janë të imponuara nga Greqia dhe Bullgaria “, theksoi Asani.

“Jam i bindur se gjerat që po bëhen tash do të kenë pasoja negative në të ardhmen, sidomos në shkencën e historisë sepse ka devijime të caktuara shkencore”, nënvizoi Asani. Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori i Arkivit të Maqedonisë së Veriut, dr. Muzafer Bislimi, vlerëson se komisioni maqedonas-bullgar nuk paraqet ndonjë problem për shqiptarët. “Ne shumë herë kemi pasur ministra të arsimit dhe përsëri kemi Ministri të Arsimit. Problemi është tek ajo, që së pari duhet të bëhet programi. Flas për tekstet e historisë, të përcaktohet sasia e njësive dhe çfarë do tu shpjegohet nxënësve të shkollave fillore e të mesme dhe pastaj, ai komision që do ti kontrollojë tekstet të jetë i përbërë nga historian shqiptarë që të shihet se çfarë po shkruhet, të shkruhet me fakte historike e jo vetëm shkel e shko”, deklaroi për gazetën KOHA, Bislimi.

Ai konsideron se këto problem është dashur të zgjidhen shumë herët, pasi që sipas tij prej pavarësimit të vendit e këndej disa herë Ministri i Arsimit ka qenë e drejtuar nga kuadro shqiptarë. Sipas tij, kjo çështje duhet të rregullohet njëherë e përgjithmonë. Ndërkohë, komisioni ndërshtetëror midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në takimin e fundit ka diskutuar rreth figurës dhe rolit historik të Goce Dellçevit. Pikërisht për ketë fakt është lënë që në takimin e radhës në qershor, Komisioni të diskutojë edhe njëherë për rolin e Dellçevit në historinë maqedonase-bullgare. Ajo që kanë bërë të ditur të dyja palët është që po kërkohet një zgjidhje e ngjashme me atë të mbretit Samoil. Krerët e komisioneve nga të dyja palët janë zotuar se po punojnë në gjetjen e zgjidhjeve, rekomandimet e të cilave do të jenë shkencore që të merren para sysh nga qeveritë e dyja vendeve.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 14, 2019 17:09

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA