Kosova e zjarrtë për Maltën | VIDEO

Kosova e zjarrtë për Maltën | VIDEO

Kombëtarja e Kosovës triumfoi me rezultat 3:1 në përballje me Maltën, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të grupit 3 të Ligës së Kombeve në Divizionin C. Mbi 12 shikues u ndanë të kënaqur me lojën shumë të mirë të djelmoshave tanë dhe në bazë të rasteve fitorja ka mundur të jetë edhe shumë më e thellë.

Tifozët ‘Dardanët’ krijuan atmosferë fantastike, duke i dhënë zemër djelmoshave tanë për fitoren e dytë rresht pas asaj me 2:0 ndaj Ishujve Faroe. Benjamin Kololli me dy gola dhe Vedat Muriqi me një vulosën fitoren e madhe. Ndërkaq, Edon Zhegrova ka qenë i pafat, pasi që dy herë ka qëlluar shtyllën pingule.  Pa dyshim se Kosova ka qenë e zjarrtë për rivalin, sepse e ka fundosur edhe më shumë në grup. Në minutën e 12-të, futbollisti Edon Zhegrova lirohet për bukuri dhe krijoi hapësirë, i cili nga rreth 18 metra goditi bukur dhe portieri Hogg mezi shpëtoi portën e tij.

Ndërkaq, në minutën e 20-të, Valon Berisha nga gjuajtja e lirë rreth 21 metra gjuajti drejt në duart e portierit të Maltës. Pas dy minutave (22’) Vedat Muriqi nuk ishte si duhet i vendosur dhe nuk arriti me kokë që të shënojë nga një pozitë e mirë. Muriqi nuk ishte sërish në element, i cili në minutën e 29-të, humbi një rast ideal, kur doli i vetmuar dhe nuk arriti ta mposht portierin Hogg. Në minutën e 30-të, u ‘ndez’ stadiumi “Fadil Vokrri”. Valon Berisha me zgjuarsi e gjeti të vetmuar Benjamin Kolollin, i cili i vetmuar e me mjeshtri fërfëlloi topin në rrjetë, 1:0. Në minutën e 43-të, fat i madh për Maltën.

Veprim i jashtëzakonshëm i Kosovës, Zhegrova i pafat, për bukuri në 16-sh dhe nga afërsia goditi fuqishëm, por aleat i portierit Hogg është shtylla pingule. Një minutën më vonë, Muriqi humb një rast të qind për qindtë, duke goditur topin jashtë portës. Në minutën e 51-të, mbrojtja e Kosovës në gjumë, kurse Andrei Agius nga afërsia me kokë goditi bukur dhe e la të shtangur portierin Samir Ujkanin, 1:1. Nëse shikojmë ndeshjet zyrtare Kosova pësoi gol pas 231 minutave nën drejtimin e përzgjedhësit Bernard Challandes dhe nëse bazohemi edhe në tri miqësore pas 501 minutave.  Edon Zhegrova vërtetë ka qenë i pafat në minutën e 65-të, i cili me një mjeshtri të rrallë nga rreth 13 metra goditi përtokë por për fat të keq të tij topi u ndal në shtyllë. Në minutën e 68-të, Vedat Muriqi më në fund shkrepi, pas humbjes së dy rasteve ideale, e treta i doli e vërteta dhe nga një pozitë e shkëlqyeshme shënon për epërsinë 2:1.

Mysafirët mbeten pa një futbollist në minutën e 70-të, kur kapiteni i Maltës Mifsud përjashtohet nga loja pas kartonit të dytë të verdhë dhe i dha një epërsi numerike Kosovës. Në minutën e 77-të Milot Rashica si buldozer i cili me goditje të fortë gati thellojë epërsinë por Hogg me vetëmohim dëboi në korne. Në minutën e 81-të, gjithçka u vendos, Benjamin Kololli nga rreth 14 metra me një goditje përvëluese thelloi fitoren në 3:1 pas asistimit të Rashicës. Kosova prinë në grup me 7 pikë, ka dy fitore e një barazim, duke lënë pas Azerbajxhanin me 5 sosh, Ishujt Faroe 3 dhe Maltën me një pikë. Të dielën e fundjavës, Kosova luan si mysafirë (18.00) kundër Ishujve Faroe, në kuadër të xhiros së katërt.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 11, 2018 22:57

PUBLICI8

Sondazhi

Vlerësimi juaj për vitin 2018 ?
Maqedoni
6°
-1°
Wed
-2°
Thu
-2°
Fri

ARKIVI I LAJMEVE