Kosova mund të iniciojë padi në GJND kundër Serbisë për Gjenocid

Kosova mund të iniciojë padi në GJND kundër Serbisë për Gjenocid

Ekzistojnë prova bindëse që tregojnë qartë se forcat që ishin nën kontroll të drejtpërdrejt të udhëheqjes politike dhe ushtarake të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) kanë kryer krimin ndërkombëtar të gjenocidit në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.

Republika e Kosovës  një padi të mundshme në Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë kundër Serbisë duhet ta përqendrojë mbi ngjarjet që kanë ndodhur ndërmjet javës së fundit të marsit 1999 dhe javës së parë të qershorit të 1999, kur popullsia civile etnike shqiptare e zhvendosur, iu nënshtrua një fushate të intensifikuar të krimeve kundër njerëzimit, që përkoi me mbylljen e kufijve të Kosovës me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Gjatë kësaj periudhe, ata shqiptarë që mbetën në Kosovë ishin qartë në shënjestër të asgjësimit fizik si formë ndëshkimi për fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999.

Është gjithashtu e pamohueshme se që nga lufta Republika Federative e Jugosllavisë dhe më pas Serbia, ka vepruar në kundërshtim me Nenin 1 të Konventës së Gjenocidit të vitit 1948, duke mos i dënuar personat përgjegjës bazuar në dispozitat e sistemit ligjor kombëtar.  Republika e Kosovës ka mundësinë e ngritjes së një padie të fortë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku pretendon shkelje të shumta të Konventës.

Për qëllime të tanishme, mjafton të regjistrohet se

(a) dëshmia e padisë për gjenocid në kontekstin e Kosovës është në mënyrë cilësore e ndryshme dhe dukshëm më e fortë se sa dëshmitë që ishin në dispozicion në Rastin e Gjenocidit në Kroaci ; dhe

(b) nuk ka asnjë dyshim që Serbia të tentojë të shmang përgjegjësinë për veprimet e një administrate vartëse, ashtu siç bëri në Rastin e Gjenocidit të Bosnjës, për shkak se krimet në Kosovë janë kryer nga forcat që ishin nën komandën e drejtpërdrejt të ushtrisë dhe udhëheqjes politike të RFJ-së.

Prandaj, një kërkesë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka të ngjarë të ketë sukses bazuar në meritat e saj.

Juridiksioni i Gjykatës për të shqyrtuar një kërkesë nga Kosova varet nga përgjigjet në pyetje thelbësore të juridiksionit:

a. A ishte RFJ palë nënshkruese e Konventës mbi Gjenocidin në kohën e konfliktit?

Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) nënshkroi dhe ratifikoi Konventën mbi Gjenocidin në vitin 1948, pa asnjë rezervë, në mënyrë që Konventa të zbatohej në mënyrë të plotë gjatë gjithë kohës në territorin e Federatës, përfshirë edhe territorin dhe popullin e Kosovës.

Si shtet trashëgues, më pas Republika Federale e Jugosllavisë i trashëgoi këto detyrime automatikisht në vitin 1992, pa ndonjë kualifikim sa i përket fushëveprimit të tyre aplikativ.

Kjo vlen jo vetëm për ndalimin substancial të gjenocidit dhe krimeve që ndërlidhen me të, por edhe me Nenin IX, i cili jep juridiksionin për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të përcaktuar shkeljet e pretenduara. Ky pozicion mbahej në kohën e luftës 1998 dhe 1999.

Neni IX I Konventës për Gjenocidin parashikon që:

“Mosmarrëveshjet ndërmjet Palëve Kontraktuese në lidhje me interpretimin, aplikimin ose plotësimin e kësaj Konvente, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e një Shteti për gjenocid ose për ndonjë nga aktet e tjera të renditura në Nenin III, do t’i dorëzohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me kërkesë të cilës do palë në mosmarrëveshje.”

Më 4 shkurt 2003, RFJ-ja riemëroi veten “Serbia dhe Mali i Zi”, por kjo nuk bëri ndonjë ndryshim  në detyrimet e saj ligjore në fushën e së drejtës ndërkombëtare.

Kur Mali i Zi shpalli pavarësinë më 3 qershor 2006, detyrimet ligjore ekzistuese të shtetit të mëparshëm të “Serbisë e Malit të Zi” u ndanë midis dy shteteve të reja. Ato që lidheshin me Kosovën iu bartën vetëm Serbisë.

A i ka trashëguar Kosova automatikisht të drejtat dhe obligimet e Republikës Federative të Jugosllavisë /Serbisë, kur ka shpallur pavarësinë në vitin 2008?

Është i qartë- i ka trashëguar. Në rastin e Gjenocidit në Bosnjë, Gjyqtari  Weeramantry dha një shpjegim konkret që shpjegon përse:

“Mund të ketë rrethana kur, pasi një shtet i ri shpall pavarësinë e tij,  pranimi i shtetësisë së tij (njohja e shtetësisë) mund të shtyhet/vonohet si pasojë e mosnjohjes nga shteti, prej të cilit është shkëputur. Në një situatë të tillë, kur ardhja/paraqitja e shtetit të ri në shtetësi vonohet qëllimisht nga veprimet e shtetit të mëparshëm,  nuk mund të ketë aderim në traktat të shtetit të shkëputur për një kohë të konsiderueshme.

Gjatë asaj periudhe, duket e paarsyeshme që qytetarët e shtetit të shkëputur të jenë të privuar nga mbrojtja që mund t’u japë Konventa, ndaj akteve të gjenocidit të kryera nga shtetit, prej të cilit janë shkëputur.

Sa më e gjatë vonesa në njohje, aq më e gjatë do të ishte periudha gjatë së cilës ata qytetarë do të mbeteshin të pambrojtur.

Një rezultat i tillë, më duket krejtësisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore- posacërisht në lidhje me një traktat që mbron të drejtat e njohura botërisht sipas Konventës mbi Gjenocidin.”

Veprat e gjenocidit të kryera nga forcat e Republikws Federative tw Jugosllavisw kundër popullatës civile etnike shqiptare krijuan pretendime të detyrueshme ligjore sipas Konventës mbi Gjenocidin kundër RFJ-së.

Përpara Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008, nuk kishte asnjë shtet në dispozicion për ta sjellë këtë kërkesë në Gjykatë në të drejtën e vet ose si mbrojtës legal i qytetarëve që nuk mund ta mbrojnë veten, në emër të viktimave. Kjo situatë ndryshoi më 2008.

Sipas rregullave përkatëse të trashëgimisë shtetërore, Republika e Kosovës ishte automatikisht e gatshme të dorëzojë kërkesën në momentin që u bë e pavarur për marrëdhëniet e veta ndërkombëtare.  Ngjarja operative për këtë qëllim ishte miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 15 qershor 2008.

E vetmja mënyrë përmes të së cilës veprimet e forcave të RFJ-së në vitin 1998 dhe 1999 do të mund të konsideroheshin ndonjëherë si shkelëse të Konventës mbi Gjenocidin është që Gjykata të njohë si Serbinë ashtu edhe Kosovën si vende që kanë trashëguar të drejtat dhe detyrimet përkatëse, që janë dakorduar në kohën kur RSFJ nënshkroi Konventën në vitin 1948.

Një shtet i sapoformuar dhe i krijuar në një pjesë të territorit të një shteti tjetër (paraardhës),merr përsipër detyrimet e traktatit ndërkombëtar të shtetit paraardhës, kur bëhet përgjegjës për marrëdhëniet e veta ndërkombëtare.

Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, përfshin zotimin e mëposhtëm (në paragrafin 9:

“Ne marrim përsipër detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë traktatet dhe detyrimet e tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, së cilës i detyrohemi si një ish-pjesë përbërëse e saj.”

Në mënyrë të ngjashme, Neni 145 (1) i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i miratuar më 15 qershor 2008, parasheh që:

“Marrëveshjet ndërkombëtare dhe aktet e tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtar, që janë në fuqi, në ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, do të vazhdojnë të respektohen derisa këto marrëveshje ose akte të ri-negociohen ose tërhiqen, në përputhje me kushtet e tyre ose derisa të zëvendësohen me marrëveshje ose akte të reja ndërkombëtare, që mbulojnë fushat e njëjta dhe miratohen në bazë të kësaj Kushtetute.”

Parimi themelor i trashëgimisë automatike të traktateve është përcaktuar në nënin 34 të Konventës së Vjenës të vitit 1978 mbi Trashëgiminë e Shtetit në Respektimin e Traktateve:
“Kur një ose disa pjesë të territorit të një shteti të ndarë për të formuar një ose më shumë shtete, pavarësisht nëse Shteti paraardhës vazhdon të ekzistojë ose jo: cdo traktat në fuqi në datën e trashëgimit të shteteve në lidhje me tërë territorin e shtetit paraardhës vazhdon të jetë në fuqi për secilin Shtet pasardhës të formuar kështu.”

RSFJ-ja ishte nënshkruese e Konventës së Vjenës për Trashëgiminë e Shtetit në Respektimin e Traktateve. Prandaj, detyrimet sipas traktateve që ekzistonin në kohën e shpërbërjes së RSFJ-së, automatikisht u bartën në RFJ dhe në shtetet e tjera përbërëse, që siguruan pavarësinë në atë kohë.

Hapat të cilat duhet t’i ndjek Republika e Kosovës janë:

1. Duhet të paraqitet një kërkesë/padi sipas Konventës mbi Gjenocidin nga Kosova kundër Serbisë, në lidhje me gjenocidin e kryer më 1998 dhe 1999.

2. Para depozitimit të kërkesës/padisë, Qeveria e Kosovës duhet që së pari t’i dërgojë dy Nota Verbale:

– Fillimisht një të Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Pas njoftimit se dokumenti është pranuar, atëherë dërgohet Nota tjetër verbale në adresë së sekretarisë së Gjykatës.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 12, 2019 21:11

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA