Kosovë, asnjë rezultat nga takimi konsultativ i partive

Kosovë, asnjë rezultat nga takimi konsultativ i partive

Takimi konsultativ i partive politike në Kosovë nuk ka sjellë ndonjë rezultat për të zgjidhur situatën e krijuar rreth konstituimit të institucioneve të reja.

Në takim kanë qenë të pranishëm të gjithë përfaqësuesit e partive politike, ndërkohë që nuk kanë munguar akuzat dhe kundërakuzat mes kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Adem Mikullovci, përfaqësuesve të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës (PAN) dhe zyrtarëve të koalicionit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës (LAA).

Përfaqësuesi i koalicionit PAN, Enver Hoxhaj ka thënë se deputetët e tij nuk do të marrin pjesë në seancën e së enjtes të thirrur nga Mikullovci.

“Kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës do të jetë Kadri Veseli dhe zgjedhja e tij është e pandalshme. Dua të njoftoj se ne nuk do të marrim pjesë në seancën konstituive, përderisa nuk respektohet vullneti i subjekteve politike”, tha Hoxhaj.

Nga ana tjetër, Avdullah Hoti, përfaqësues i koalicionit të kryesuar nga LDK, i ka bërë thirrje PAN-it që të marrë pjesë në seancën e thirrur për të enjten, në mënyrë që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se është detyrim para qytetarëve të vendit që të krijohen institucionet e reja të Kosovës.

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë kërkuar që seanca e së enjtes të shtyhet për javën e ardhshme dhe paraprakisht të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ. Një propozim i tillë është kundërshtuar nga LAA, duke thënë se koalicioni PAN po tregon “papërgjegjësi dhe joseriozitet”.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se kërkesa për shtyrjen e seancës është në funksion të synimeve të PAN-it “për të blerë kohë”. Kryesuesi i seancës konstituive ka thënë se seanca e thirrur për të enjten nuk mund të shtyhet.

/ Top Channel

Abedin Bilalli
nga Abedin Bilalli Gusht 9, 2017 23:43