Krerët e shtetit kërkojnë votimin e rezolutës për dënimin e krimeve serbe

Krerët e shtetit kërkojnë votimin e rezolutës për dënimin e krimeve serbe

Në 20-vjetorin e masakrave në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, liderët institucionalë kanë bërë thirrje që të enjten të bëhen të gjithë bashkë për votuar rezolutën, e cila dënon gjenocidin e kryer nga shteti serb në Kosovë.

I pranishëm në këtë akademi, të organizuar nga zyra e kryeministrit të Kosovës, ishte edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili tha se edhe pas 20 vjetësh, mbetet brengë për institucionet, që nga 400 masakra që janë bërë në Kosovë, nuk është dënuar ende askush.

Kreu i vendit tha se në seancat e ardhshme të Kuvendit, në mënyrë unike të gjithë së bashku duhet të nxjerrin rezolutën, e cila e dënon gjenocidin nga shteti i Serbisë në Kosovë.

Thirrje të njëjtë bëri edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai në 20-vjetorin e kësaj masakre tha se në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, të gjithë duhet bërë bashkë, për të nisur një rrugëtim, në mënyrë që të dënohen krimet serbe.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj tha se nuk duhet të diskutohet se kush e inicioi ligjin për dënimin e krimeve serbe.

Kryetari i Akademisë dhe Shkencave, Nexhat Daci, tha se duhet të përkrahet nisma që Kosova njëherë e përgjithmonë të mos e ndjejë veten fajtore dhe që e kanë njollosur gjatë gjithë historisë.

Në emër të familjarëve foli Naser Rama, i cili tha se pavarësisht se janë të mërzitur për humbjen e më të dashurve të tyre, janë të vetëdijshëm se pa gjakun e tyre sot nuk do të kishte liri.

Ndryshe, në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan nga forcat serbe janë vrarë dhe masakruar rreth 100 civilë, në mesin e të cilëve kishte edhe banorë të zhvendosur nga fshatrat Vranoc, Raushiq, Batushë, Graboc e Zllapek, që strehoheshin në këto fshatra.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 14, 2019 21:04

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.